Avioni shtetëror u prish më 3 dhjetor në Suedi, Qeveria e RMV-së mendon se duhet të blihet i ri
Avioni qeveritar i Maqedonisë së Veriut u prish më 3 dhjetor. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ka udhëtuar me të në Stokholm të Suedisë. Gjatë përgatitjes së avionit për fluturim në Shkup dhe aktiviteteve dhe kontrolleve të rregullta në aeroportin e Stokholmit, është konstatuar mosfunksionim në njërin nga dy instrumentet që tregojnë temperaturën e gazrave […]
Avioni qeveritar i Maqedonisë së Veriut u prish më 3 dhjetor. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ka udhëtuar me të në Stokholm të Suedisë. Gjatë përgatitjes së avionit për fluturim në Shkup dhe aktiviteteve dhe kontrolleve të rregullta në aeroportin e Stokholmit, është konstatuar mosfunksionim në njërin nga dy instrumentet që tregojnë temperaturën e gazrave të shkarkimit nga motorët, transmeton SDK.
“Sipas rregulloreve të prodhuesit, mosfunksionimi i një instrumenti të tillë nuk lejon funksionimin e fluturimit apo ndezjen e motorëve derisa të zëvendësohet. Një instrument i ri ka mbërritur më 4 dhjetor dhe menjëherë pas zëvendësimit dhe kontrollit, avioni është kthyer në Shkup. Analizat dhe testet shtesë po bëhen në mënyrë që të mund ta vëmë në mënyrë të sigurt në funksion avionin. Aeroplani sa herë që ka qenë në funksion ka qenë plotësisht i sigurt”, tha drejtori i Shërbimit për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ivica Tomovski.
Avioni i Qeverisë shpesh ka defekte. Ai u prodhua në vitin 2004 në Wichita, Kansas, në fabrikën Bombardier Aerospace dhe ka qenë në shërbim që nga janari 2005. Është blerë në kohën e Qeverisë së Vlladimir Buçkovskit. Sipas performancës së tij, ai është aeroplan biznesi me një sërë linjash të mesme, pra nga Shkupi dhe Ohri mund të fluturojë nëpër Evropë dhe në Lindjen e Mesme, por jo në fluturime transoqeanike.
Tomovski thotë se për të nuk prodhohen më pjesë, përkatësisht për përmirësime përdoren pjesë të riparuara. Ai beson se si shtet duhet të blejmë një aeroplan të ri qeveritar.
“Nga viti 2017 e deri më tani kemi shpenzuar rreth 3.5 milionë euro për riparime. Unë besoj se duhet blerë një aeroplan i ri dhe jam i gatshëm ta diskutoj në Kuvend dhe të kemi konsensus nga të gjitha partitë politike. Kam folur me ish-drejtorët e Shërbimit dhe të gjithë besojnë se një blerje e tillë është e nevojshme. Avioni, përveçse i vjetër, është edhe i vogël. Ka vend vetëm për gjashtë pasagjerë, që do të thotë se shpesh nuk mbledh as të gjithë delegacionin, kështu që rrethi i funksionerëve të rangut të lartë duhet të udhëtojë me fluturime komerciale, gjë që është joefikase dhe shpesh më e shtrenjtë. Na duhet një aeroplan biznesi që të ketë të paktën 15 ulëse”, thotë Tomovski.
Si rezultat i defektit në avionin qeveritar, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dje nuk mundi të udhëtonte për në Paris për hapjen e katedrales së rinovuar Notre Dame.