Avokati i Popullit apeloi për miratim urgjent të një zgjidhjeje të re ligjore për “balancuesin”

Heqja e balancuesit ka krijuar një vakum ligjor, tha sot Naser Ziberi, Avokati i Popullit, duke i bërë apel qeverisë që të dorëzojë urgjentisht ndryshimet ligjore në parlament. Sipas tij, nuk duhet të ketë një hendek të tillë sa i përket dispozitave të punësimit. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Avokati i Popullit iu referua edhe […]

Prill 15, 2025 - 23:00
 0  4
Avokati i Popullit apeloi për miratim urgjent të një zgjidhjeje të re ligjore për “balancuesin”
Naser Ziberi, Avokati i Popullit në RMV. Foto nga Portalb.mk

Heqja e balancuesit ka krijuar një vakum ligjor, tha sot Naser Ziberi, Avokati i Popullit, duke i bërë apel qeverisë që të dorëzojë urgjentisht ndryshimet ligjore në parlament. Sipas tij, nuk duhet të ketë një hendek të tillë sa i përket dispozitave të punësimit. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Avokati i Popullit iu referua edhe ligjit për gjuhët dhe porositi gjyqtarët e kushtetueses që të qëndrojnë larg politikës, transmeton Portalb.mk.

“Informacionet tona flasin se ka devijime nga ky përcaktim, ku nuk respektohet kjo e drejtë dhe prandaj apeloj deri tek Qeveria, deri tek parlamenti që sa më shpejtë të tejkalohet kjo shprastirë juridike të sillet ligji aq i proklamuar për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe me këtë të pamundësohet procesi i deformimit të implemetimit të përcaktimit kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Informacionet vijnë nga gati të gjitha organet shtetërore, duke filluar nga ministritë, drejtoritë etj”, tha Ziberi.

Në lidhje me Ligjin për gjuhët, avokati i popullit apeloi që Gjykata Kushtetuese të mos merret me politikë, por të mbrojë Kushtetutën.

Ndryshe, Avokati i Popullit, me iniciativë të tij, ka hapur një rast për ndotjen e ajrit në 15 komuna, qytetet e të cilave janë në listën e më të ndoturve në Evropë. Ai konstatoi  se masat janë duke u zbatuar, por këtë vit do të fokusohet në pyetjen se pse nuk po japin efekt.

“Çfarë masash duhen marrë sepse të dhënat e UNICEF-it për vdekshmërinë e foshnjeve, që lidhen drejtpërdrejt me këtë problem, janë vërtet të frikshme. Besoj se kësaj fushe duhet t’i jepet prioritet kryesor jo vetëm nga Avokati i Popullit por edhe nga të gjitha institucionet kompetente, sepse e drejta për mjedis të pastër është e garantuar me Kushtetutë”, tha tutje avokati i popullit.

Kujtojmë se, avokati i popullit gjatë vitit të kaluar ka vepruar për 3148 ankesa, një numër i madh i të cilave kanë të bëjnë me pamundësinë e qytetarëve për të siguruar dokumente personale, kamata të larta për arkëtim nga përmbaruesit, si dhe persona fantazmë që pa asnjë dokument janë duke vuajtur edhe dënimin me burg. Avokati i Popullit shprehu një regres të përgjithshëm në raport me gjykatat.

LEXO: Intervistë me Avokatin e Popullit Naser Ziberi: Në fokus institucionet etnikisht të pastra, arsimi i ndaluar shqip në RMV, gjyqësori dhe korrupsioni