Azhurnimi i numrit në “Termini im”: Më shumë punë për mjekët amë, stres për një pjesë të pacientëve
Për herë të parë dëgjoj se ekziston aplikacioni “Shëndeti im” dhe se duhet të bëj azhurnimin e numrin tim të telefonit, na tha Igori nga Shkupi për risinë në “Termin im” të cilën e kërkon detyrimisht sistemi tashmë plot një javë, që nga data 3 prill, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk. Një përgjigje […]


Për herë të parë dëgjoj se ekziston aplikacioni “Shëndeti im” dhe se duhet të bëj azhurnimin e numrin tim të telefonit, na tha Igori nga Shkupi për risinë në “Termin im” të cilën e kërkon detyrimisht sistemi tashmë plot një javë, që nga data 3 prill, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Një përgjigje të ngjashme morëm nga rreth dhjetëra qytetarë të tjerë me të cilët kontaktuam gjatë ditës.
Ata nuk e dinin se duhet të bëjnë verifikimin ose konfirmimin e numrave të telefonit të pacientëve përpara se të kontrollohen dhe para se tu jepet fletëudhëzim ose recetë.
Zbatimi i këtij ndryshimi po bëhet pasi analizat treguan se një numër i konsiderueshëm pacientësh nuk paraqiten në terminet e tyre të caktuara për shkak të ndryshimit të numrave të telefonit, sqaruan në shkurt nga Ministria e Shëndetësisë.
Për shembull, më shumë se 50% e pacientëve me ekzaminime të caktuara të gjirit nuk e kanë realizuar atë, me çka janë humbur shumë termine që mund të ishin shfrytëzuar për pacientë të tjerë.
Si rrjedh procesi i verifikimit?
Nuk ka një afat të caktuar për atë se deri kur duhet të bëhet verifikimi i numrit të telefonit. Kjo bëhet një herë, ndërsa duhet të përsëritet vetëm në rastet kur pacienti e ndryshon numrin e telefonit.
Ekzistojnë dy mundësi – njëra është që gjatë vizitës mjeku amë ose mjeku i përgjithshëm, gjinekologu ose dentisti, mjeku ta plotësojë kodin i cili i është dërguar pacientit përmes një mesazhi SMS.
Tjetra është që ta verifikoni vetë dhe online, përmes aplikacionit celular “Shëndeti im”. Këtë mënyrë e ka zgjedhur Marija nga Shkupi duke menduar se kështu do të kryente punë më shpejt.
“Kam humbur më shumë kohë vetëm për ta verifikuar numrin për veten time. Kur erdhi puna te fëmijët, thashë me vete, do ta kryej punën më shpejt te pediatri”, tha Marija.
Procedura shkon shpejt nëse pacienti di të përdorë celularin, gjë që mund të jetë problem për më të moshuarit, prandaj duhet të shkojnë te mjeku i tyre amë. Kodi zakonisht arrin brenda gjysmë minute, por ndonjëherë ka probleme teknike, thotë Dr. Lilija Çollakova-Dervishova, kryetare e Shoqatës së mjekëve privatë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Dje kisha tre pacientë që nuk mund t’i zhbllokonin telefonat e tyre. “Si të hyj tek mesazhet? Ja, doktor, bëje ti”. Një pacient tjetër më kërkoi tre orë me vonesë për të më thënë se e kishte marrë kodin, kur tashmë ishte në shtëpi”, thotë Çollakova-Dervishova.
Sa i përket problemeve teknike nga “Termini im” thonë se të gjithë mjekët janë njoftuar me kohë për procedurën dhe kompanitë e tyre softuerike në kohën e duhur i kanë marrë udhëzimet për zbatim.
“Edhe pse pjesa më e madhe e procesit zbatohet pa vështirësi, janë raportuar disa situata, ndërprerje teknike apo vonesa të mesazheve SMS, kryesisht në periudhat kur numri i pacientëve të ekzaminuar është më i madh dhe disa raste të zbatimit të gabuar nga kompanitë softuerike, të cilat tashmë janë korrigjuar”, thanë nga “Termini im” për Radion Evropa e Lirë.
Nga atje shtojnë se sistemi monitorohet vazhdimisht dhe kur evidentohen probleme merren masa të menjëhershme dhe theksojnë se numrat e verifikuar dhe të saktë të telefonit janë çelësi për planifikimin, raportimin dhe komunikimin digjital me pacientët.
Çfarë nëse ndonjë person nuk ka smart telefon ose kurrfarë lloji të telefonit?
Për disa verifikimi tek mejku amë që në fillim është opsioni i vetëm. Për shembull, për nënën e moshuar të Borisit nga Shkupi, e cila nuk ka smart telefon.
“Ajo duhet ta bëjë azhurnimin tek mjeku amë, i cili këto ditë përveç ekzaminimeve të rregullta, është i stërngarkuar edhe me azhurnimin e të dhënave për pacientët e tjerë, të cilët si edhe ajo nuk e bëjnë dot vetë këtë gjë”, thotë Borisi.
Verifikimin për atë mund ta bëjë edhe i biri, nëse bëhet fjalë për një person të moshuar. Në një rast të tillë, si në rastet e verifikimit për fëmijët, procesi mund të bëhet përmes një personi tjetër, si prindi apo një anëtar tjetër i familjes, pra një numër telefoni të regjistrohet për më shumë pacientë.
Në rastet kur bëhet fjalë për ekzaminime urgjente, kur pacienti nuk ka një numër të verifikuar, përdoret opsioni për raste urgjente, pa pasur nevojë për verifikim, thonë nga “Termini im”.
“Është fat që ekziston një buton i tillë për ta reduktuar rrëmujën dhe për t’i ndihmuar të gjithë”, thotë Çollakova-Dervishova.
“Në një ditë kur kam bërë 80 ekzaminime, 10 pacientë të rritur nuk kishin celularët me vete. Disa nuk kanë celular, të moshuarit funksionojnë me telefonat fiks. Dje erdhën një çift që marrin asistencë sociale dhe nuk kanë celularë. Janë nga ato momente kur nuk ka numër për ta regjistruar”, shton Çollakova-Dervishova.
Disa duan që ta bëjnë verifikimin përmes bisedës telefonike me infermieren ose mjekun, por kjo është e papranueshme për të, sepse kjo do ta mbante linjën e zënë ndërkohë që dikur mund të ketë nevojë urgjente për t’i kontaktuar. Sipas mjekes më mirë do të ishte që i gjithë procesi të bëhej online, nëpërmjet kompjuterit. Si shembull përmendi funksionimin e platformës screening.mk.
“Mjeku amë dhe infermieret nuk janë centralistë. Nuk mund të bëjmë verifikimin nëpërmjet telefonit dhe ta mbajmë zënë linjën që na shërben për t’i ndihmuar njerëzit kur janë të sëmurë, kur kanë vështirësi, kur nuk mund të vijnë, ne ta mbajmë telefonin zënë me orë të tëra që të verifikojmë, kush do ta bëjë EKG-në, kush do t’i shënojë diagnozat”, thotë mjekja.
Këto ditë ajo po azhurnon të dhëna për qindra pacientë në ditë dhe është e bindur se kjo është një gjë që nuk duhet të bëhet nga mjekët amë.
“Për këtë ka një milion institucione që mund të verifikojnë ose telefonojnë dhe bëjnë azhurnim. Kërkoj që të keni respekt për kohën tonë, në interes të shëndetit të pacientëve tanë”, tha mjekja.
Nga “Termini im” presin që të gjithë qytetarët që i përdorin shërbimet shëndetësore ta përfundojnë gradualisht verifikimin, për ta menaxhuar sa më mirë komunikimin dhe njoftimin e pacientëve.
“Verifikimi kryhet në kuadër të një kontrolli të rregullt te mjeku amë dhe për momentin nuk ka një afat të caktuar brenda të cilit duhet të kryhet. Kjo do të thotë se nuk kërkohet ndonjë veprim i veçantë nga pacientët – procesi zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme, në kuadër të kontrollit shëndetësor”, thonë nga “Termini im”.
Vitin e kaluar, në sistemin “Termini im” u regjistruan rreth 1,7 milionë pacientë për ndonjë lloj shërbimi shëndetësor.
Deri më 9 prill, 458.428 pacientë e kanë bërë verifikimin e numrit të tyre të telefonit në sistemin “Termini im” përmes mjekëve të tyre amë. Prej tyre, 7.072 pacientë e kanë bërë këtë në mënyrë të pavarur dhe online përmes aplikacionit celular “Shëndeti im”.