Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, VLEN pranoi

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtese sot informoi se kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga VLEN-i reaguan duke thënë se pranojnë zgjedhje të parakohshme, njofton Portalb.mk. “Bashkimi Demokratik për Integrim i drejtohet publikisht partive shqiptare në qeveri dhe me një thirrje të qartë: Nëse nuk keni frikë nga vullneti i popullit, atëherë ejani në […]

Prill 26, 2025 - 23:00
 0  5
Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, VLEN pranoi
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtese sot informoi se kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga VLEN-i reaguan duke thënë se pranojnë zgjedhje të parakohshme, njofton Portalb.mk.

“Bashkimi Demokratik për Integrim i drejtohet publikisht partive shqiptare në qeveri dhe me një thirrje të qartë: Nëse nuk keni frikë nga vullneti i popullit, atëherë ejani në zgjedhje të parakohshme. Nëse mendoni se populli pajtohet që partitë humbëse të përfaqësojnë shqiptarët – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se është në rregull që ministrinë për Marrëveshjen e Ohrit ta udhëheq një pitinist që mohon atë – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se shqiptarët e pranojnë anulimin e balancuesit – ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se punësimet njëetnike, përjashtuese nuk shqetësojnë askënd – ejani në zgjedhje!”, thonë nga BDI.

Nga BDI-ja potencojnë se ai që është i sigurt në drejtësinë e rrugës së vet, siç thonë, nuk ka pse të ketë frikë nga zgjedhjet.

“BDI nuk e frikësohet popullit. Ne e dëgjojmë, e respektojmë dhe besojmë tek ai. Nëse edhe ju e bëni të njëjtën gjë –
ejani në zgjedhje! Ne jemi gati!”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Nga VLEN-i njëherë reaguan se BDI-ja gjithçka bën për të mbuluar të kaluarën e tyre kriminale, por më vonë kumtuan se pranojnë zgjedhje të parakohshme.

“Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që me paratë tona blenë për vete qendrën tregtare Soravia, ejani ne zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që na helmonin me mazut kancerogjen, ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që shpëtuan Gruevskin e Mijallkovin nga burgu, ejani ne zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ministra që luajnë futboll nëpër zyra e institucione, ejani në zgjedhje!
Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që legalizuan kumarin dhe e futën në çdo familje shqiptare, ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë ata që lejuan trafikun e drogës përmes fabrikave të marihuanës, ejani në zgjedhje! Nëse mendoni se duhet të na përfaqësojnë njerëz nga Lista e zezë amerikane, ejani në zgjedhje! Ne nuk i frikohemi vullnetit të popullit. Populli kërkon përgjegjësi për hajnat, dhe përgjegjësi do të ketë!”, reaguan nga VLEN-i.

Partitë politike por edhe njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut janë të ndarë në mendimet për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare bashkë me zgjedhjet lokale. Në opinion zërat për zgjedhje të dyfishta në vjeshtë të këtij viti dolën pas vendimit të largimit të ASH-së së Arben Taravarit nga koalicioni  VLEN gjë që ka krijuar mundësi për rikonstruim të mundshëm të qeverisë.

Mbetet pikëpyetje se vallë turbulencat brenda koalicioneve në qeveri do të krijojnë hapësirë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të mbaheshin bashkë me lokalet në tetor.