Bastisje në Shkup, kapen armë, municione dhe substanca të dyshimta
Një 39-vjeçar nga Shkupi është arrestuar në zonën e Kisella Vodës, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij policia gjeti municion, barut dhe substanca të dyshimta, që dyshohet të jenë substanca narkotike, përcjell TV21. Sipas autoriteteve, personi në fjalë dorëzoi vullnetarisht edhe armë dhe fishekë nga një shtëpi vikendi në fshatin Moranë. “Më 22.04.2026, në […]
Një 39-vjeçar nga Shkupi është arrestuar në zonën e Kisella Vodës, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij policia gjeti municion, barut dhe substanca të dyshimta, që dyshohet të jenë substanca narkotike, përcjell TV21. Sipas autoriteteve, personi në fjalë dorëzoi vullnetarisht edhe armë dhe fishekë nga një shtëpi vikendi në fshatin Moranë.
“Më 22.04.2026, në ora 19:30, në Shkup, në zonën e Kisella Vodës, zyrtarë policorë nga Njësia për tregti të paligjshme pranë SPB Shkup e privuan nga liria D.L. (39) nga Shkupi, pasi gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij, me urdhër gjykate, u gjetën dhe u sekuestruan: 165 fishekë, 56 fishekë gjahu, një kuti me kapsolla, tetë qese me plumb në formë kokrrizash me madhësi të ndryshme, dy qese dhe dy shishe me barut, 32 fishekë, mjete të ndryshme për mbushjen e municionit, një kuti me 12 sfera për fishekë, një qese me substancë të bardhë në formë të ngurtë dhe një qese me substancë pluhur. Gjithashtu, D.L. nga shtëpia e tij e vikendit në fshatin Moranë, në rajonin e Shkupit, ka dorëzuar vullnetarisht dy karabina gjahu, 58 fishekë gjahu, gjashtë fishekë me kokë të gjatë dhe 50 fishekë me kokë të shkurtër. Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të pasojë kallëzim penal për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale “prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” dhe “prodhim, posedim dhe tregti e paligjshme me armë ose mjete shpërthyese”, sipas neneve 215 dhe 396 të Kodit Penal”, thonë nga MPB.