BDI drejt reformave të brendshme? Priten ndryshime dhe emra të rinj në parti
Bashkimi Demokratik për Integrim deri me 20 dhjetor do të duhet të mbajë Kongresin e partisë, nga i cili pritjet janë reforma dhe emra të rinj në skenë, duke u larguar ato që gjatë kohë kanë qenë në kryesi. Sinjal për këtë me sa duket janë emrat e rinj që u zgjodhën dje për Këshillin […]
Bashkimi Demokratik për Integrim deri me 20 dhjetor do të duhet të mbajë Kongresin e partisë, nga i cili pritjet janë reforma dhe emra të rinj në skenë, duke u larguar ato që gjatë kohë kanë qenë në kryesi. Sinjal për këtë me sa duket janë emrat e rinj që u zgjodhën dje për Këshillin organizativ të Kongresit.
Burimet e TV21 në BDI thonë se në mbledhjen e fundit kryesia është pajtuar që të largohen emrat që janë një kohë të gjatë në parti, ndërsa ristrukturime priten edhe në degët e BDI-së.
Se do të ketë lëvizje tek integristët, sinjal dhe edhe komunikata e Sekretariatit për Mundësi të Barabarta, nga ku kërkuan përgjegjësi për integritetin politik dhe moral.
“Ngjarjet e fundit kanë hapur debat të gjerë në shoqëri dhe kanë ngritur nevojën për reflektim të thellë brenda strukturave të partisë. BDI-ja është ndërtuar mbi vlera të qarta politike dhe morale – integritet, drejtësi, barazi dhe përkushtim ndaj qytetarëve – vlera të cilat duhet të ruhen dhe të përfaqësohen me dinjitet nga të gjithë anëtarët dhe përfaqësuesit tanë”, thanë nga Sekretariati për mundësi të barabarta në BDI.
Analisti Xhelal Neiziri thotë se BDI tash është opozitë dhe e ka shumë më të lehët të reflektojë dhe të reformohet, pasi sipas tij, në BDI deri më tani kanë qarkulluar fytyrat e njëjta.
“Tani kemi zgjedhjet lokale dhe pse fitoi në listat për këshilltarë më shumë vota se VLEN-i, megjithatë humbi shumicën e komunave që i kishte dhe është një porosi e qartë për këtë parti se duhet të ndërmarrë diçka, të ndryshoj diçka. Ajo se ku duhet të ndryshoj i ka rezultatet e zgjedhjeve, ku i ka të organizuara degët në këshilla vendor, po ashtu ka edhe numra edhe aty si ka kaluar edhe e ka shumë kollaj”, deklaroi analisti, Xhelal Neziri.
Burime në TV21 tregojnë se në kryesinë djeshme të partisë është diskutuar edhe çështja e deputetëve, por mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim në grupin parlamentar të Frontit Evropian.