BDI thotë se Mexhitit i janë marrë kompetencat në ministri, heshtje nga LD-ja
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka njoftuar se pas një kontrolli nga Inspektorati për Administratë, është vërtetuar keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ana e ministrit Izet Mexhiti dhe stafit të tij në kabinet. Nga partia e Mexhitit nuk kanë komentuar rastin, reaguan nga ministria, transmeton Portalb.mk. Nga BDI thonë se në bazë të vendimit të […]


Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka njoftuar se pas një kontrolli nga Inspektorati për Administratë, është vërtetuar keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ana e ministrit Izet Mexhiti dhe stafit të tij në kabinet. Nga partia e Mexhitit nuk kanë komentuar rastin, reaguan nga ministria, transmeton Portalb.mk.
Nga BDI thonë se në bazë të vendimit të Inspektoratit Administrativ me numër 11-1653/2024, të datës 17.01.2025, Izet Mexhiti është zhveshur nga të gjitha kompetencat e tij, të cilat janë transferuar në Drejtorinë e Mjedisit.
“Me këtë vendim, Drejtori i ri është urdhëruar që të mos dërgojë për nënshkrim në kabinetin e Mexhitit asnjë dokument nga sektorët kryesorë të ministrisë, përfshirë Sektorin e Natyrës, Ujërave, Mbeturinave, Mjedisit dhe Ndotjes Industriale. Këta sektorë përbëjnë mbi 70% të kompetencave të Ministrisë së Mjedisit, duke e bërë këtë akt një zhvillim të paprecedentë”, thonë nga BDI.
Ata shtuan se ky veprim ka ardhur si pasojë e ankesave dhe denoncimeve të shumta nga qytetarë dhe kompani, të cilët janë kushtëzuar nga kabineti i Mexhitit për të dhënë ryshfet në këmbim të shërbimeve administrative.
Nga ana tjetër edhe pse u paralajmërua se Izet Mexhiti sot do të ketë paraqitje për mediat në një aktivitet partiak, i njëjti nuk u paraqit.
Në vend të tij u paraqit Bashkim Hasani i cili kur u pyet për reagimin e BDI-së nuk dha komente.
“Besoj që ditët në vijim do të ketë edhe deklaratë”, tha Hasani.
Ndaj deklaratës së BDI-së kanë reaguar nga Ministria e Mjedisit, por nuk komentuan konkretisht ingerencat të cilat i publikoi BDI. Ata thonë se Izet Mexhiti, si Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Lëvizja Demokratike dhe koalicioni VLEN, i kanë të gjitha kompetencat nga qytetarët, Ligji dhe Kushtetuta për të menaxhuar me institucionet, me kapacitet të plotë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim për 22 vjet nuk ka kuptuar se organet qeveritare siç janë ministritë, nuk udhëhiqen nga letrat e arkivuara, por nga ligjet dhe Kushtetuta…Lidhur me kompetencat që cekë BDI, i përkujtojmë se kompetencat dhe ingerencat ndaj inspektorateve që iu morën atyre para 10 viteve, kjo qeveri i ka kthyer nën ministritë e ndryshme, aty ku e kanë vendin, për të cilën gjë BDI nuk guxoi ta thotë as edhe një fjali të vetme, nga frika se po i humb benefitet e një grupi nga kupola e tyre”, thanë nga Ministria e Mjedisit.