Deputetët e FE me letër zyrtare deri te KE: Kërkojmë ekspertizë mbi drejtësinë selektive pas tragjedisë në Koçan
Grupi Parlamentar i Frontit Europian në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut i ka dërguar letër formale katër instrumenteve kyçe të Këshillit të Europës, përmes së cilës kërkon një vlerësim urgjent dhe ekspertizë mbi drejtësinë selektive pas tragjedisë në diskotekën në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj, shkruan Portalb.mk. Sipas njoftimit të Frontit […]


Grupi Parlamentar i Frontit Europian në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut i ka dërguar letër formale katër instrumenteve kyçe të Këshillit të Europës, përmes së cilës kërkon një vlerësim urgjent dhe ekspertizë mbi drejtësinë selektive pas tragjedisë në diskotekën në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj, shkruan Portalb.mk.
Sipas njoftimit të Frontit Europian, letra i është drejtuar: Michael O’Flaherty, Komisioner për të Drejtat e Njeriut, Claire Bazy, Kryetare e Komisionit të Venecias; Livia Stoica Becht, Sekretare Ekzekutive e GRECO-s (Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit) dhe Theodoros Rousopoulos, Kryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Në letër, thuhet në kumtesë, deputetët shprehin shqetësim për hetimet politikisht të motivuara dhe skandaloze, të cilat kanë në shënjestër vetëm ish-zyrtarë, ndërsa funksionarët aktualë – të cilët kanë pasur përgjegjësi institucionale pothuajse gjatë gjithë vitit para tragjedisë – janë lënë jashtë çdo procedure.
“Letra thekson gjithashtu përfshirjen direkte dhe transaksionale të Kryeministrit në prokurori dhe në vetë hetimin, si dhe paradën publike dhe abuzimin gjatë arrestimit të një ish-ministri. Grupi parlamentar i Frontit Europian i kërkon Këshillit të Europës: Të dërgojë një mision të pavarur ekspertësh për të vlerësuar pavarësinë e hetimit; Të iniciojë një debat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës; Të kërkojë opinion nga Komisioni i Venecias për ndikimin mbi prokurorinë; Të angazhojë GRECO-n për të hetuar ndikimin politik mbi vendimet e prokurorisë. Deputetët theksojnë se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë dhe nuk guxon të varet nga përkatësia politike. Drejtësia selektive e minon shtetin e së drejtës dhe e shkatërron besimin e qytetarëve në institucionet”, thuhet në kumtesën e Frontit Europian.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka kishte shkelje të shumta: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.
- LEXO: BDI: Do të kërkojmë krijimin e një komisioni parlamentar për të hetuar qasjen selektive në trajtimin e tragjedisë së Koçanit
- LEXO: Edhe LSDM-ja si BDI-ja, përmes komisionit hetimor në Kuvend do të kërkojë përgjegjësi politike për tragjedinë në Koçan
- LEXO: Tragjedi në Koçan: 59 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar nga zjarri në një diskotekë, viktimat janë të rinj