BE vlerëson progresin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit
Në Tiranë u zhvillua takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit Shqipëri – Bashkimi Europian, ku u diskutua mbi ecurinë e procesit të negociatave dhe reformat kyçe që lidhen me integrimin europian të vendit. Në përfundim të takimit, u prezantua një rezolutë që mbështet ambicien e Shqipërisë për të çuar përpara negociatat e anëtarësimit


Në Tiranë u zhvillua takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit Shqipëri – Bashkimi Europian, ku u diskutua mbi ecurinë e procesit të negociatave dhe reformat kyçe që lidhen me integrimin europian të vendit.
Në përfundim të takimit, u prezantua një rezolutë që mbështet ambicien e Shqipërisë për të çuar përpara negociatat e anëtarësimit, duke vlerësuar hapjen e disa grupeve të kapitujve negociues gjatë vitit të fundit dhe pritshmërinë për të hapur edhe grupin e fundit përpara përfundimit të vitit. Rezoluta thekson gjithashtu rreshtimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe nevojën për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, vlerësoi progresin në fushën e shtetit ligjor dhe pavarësinë e SPAK-ut, por nënvizoi se lufta ndaj korrupsionit duhet të vijojë me hetime efektive ndaj zyrtarëve të lartë.
“Është me rëndësi po ashtu hetimi zyrtarëve të lartë për korrupsion që mbetet një problem. Shqipëria ka miratuar strategjinë antikorrupsion e cila duhet përshëndetur. SPAK jashtëzakonisht i pavarur në mënyrën e operimit të vet. Duhet të pranojmë që në fund nuk është SPAK-U, që fut njerëzit në burg por gjykatat”, tha Andreas Schieder.
Nga ana shqiptare, deputetja demokrate Jorida Tabaku theksoi rëndësinë e përshpejtimit të rrugëtimit europian të vendit. “Ne do të debatojmë e diskutojmë si ballkanas, por për ne rruga europiane është e ardhmja”, u shpreh Tabaku.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, përsëriti kritikat ndaj qeverisë për dështim në luftën kundër korrupsionit, duke përmendur hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. “Është e vështirë të flasësh për sukses në një qeveri ku numri 2 është nën hetim për shkelje tenderash”, tha Bardhi.
Ndërsa socialisti Ulsi Manja u shpreh se shteti i së drejtës ka shënuar përparim të dukshëm, por mbeten ende sfida përpara. “Nuk mund ta bësh Shqipërinë pis siç bën opozita. Ne kemi përgjegjësi të mbyllim kapitujt dhe kjo është e matshme”, deklaroi Manja.
