Bizneset private në Tetovë uzurpojnë vendparkimet publike duke vendosur shtylla, karrige dhe kartonë (Video)

Hapësirat publike përreth trotuareve në Tetovë uzurpohen nga bizneset private. Pronarët e bizneseve parandalojnë parkimin e qytetarëve para lokaleve të tyre duke vendosur shtylla, karrige dhe kartonë. Portalb-i dokumentoi disa prej këtyre rasteve, Besarta Ramadani nga komuna e Tetovës paralajmëroi gjoba për këto biznese. Tetova është ndër qytetet me mungesë të theksuar të vendeve për […]

Mars 15, 2025 - 10:00
 0  4
Bizneset private në Tetovë uzurpojnë vendparkimet publike duke vendosur shtylla, karrige dhe kartonë (Video)
Tetova, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Hapësirat publike përreth trotuareve në Tetovë uzurpohen nga bizneset private. Pronarët e bizneseve parandalojnë parkimin e qytetarëve para lokaleve të tyre duke vendosur shtylla, karrige dhe kartonë. Portalb-i dokumentoi disa prej këtyre rasteve, Besarta Ramadani nga komuna e Tetovës paralajmëroi gjoba për këto biznese.

Tetova është ndër qytetet me mungesë të theksuar të vendeve për parkim dhe me kaos në komunikacion. Bllokimi edhe i atyre pak hapësirave për parkim vetëm se e përkeqëson gjendjen.

Përderisa disa pronarë të lokaleve kishin vendosur shenja si “mos parko” dhe “e rezervuar”, disa prej tyre ishin treguar më kreativ, duke vendosur kutia, karrige dhe gjësende të ndryshme në mënyrë që të parandalojnë parkimin e veturave.

Portalb-i ishte në terren dhe incizoi dhjetë raste të uzurpimit të hapësirave publike nga bizneset private, përkundër që një pjesë e konsiderueshme e pronarëve të këtyre bizneseve përmes kërcënimeve tentuan të parandalojnë punën tonë.

Policia nuk është kompetente, Komuna e Tetovës paralajmëroi gjoba

Fatmir Rexhepi nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë tha se “gjithçka që ka të bëje me uzurpimin e pronave publike, është në kompetencë të komunës” ndërsa u shprehën të gatshëm të asistojnë në qoftë se ndërmerren masa.

Besarta Ramadani nga Komuna e Tetovës potencoi se janë të vetëdijshëm për këtë problematikë dhe se më herët veçse i kanë paralajmëruar këto biznese.

Besarta Ramadani, komuna e Tetovës.
Besarta Ramadani, komuna e Tetovës.

“Vendparkimet që janë të hapësirave publike, shpesh herë ndodhë këtu në Tetovë që të uzurpohen nga biznese të ndryshme, ajo edhe shkakton kaos në trafik por po ashtu edhe nuk i lënë qytetarët tjerë që të shfrytëzojnë këto hapësira. Sigurisht që kur ka pasur nevojë inspektorati komunal ka qenë në terren, por kemi shkuar sipas asaj që t’ju bëjmë vetëm paralajmërim këtyre bizneseve që të mos shkojmë direkt me gjoba, kemi paralajmëruar që të mos i uzurpojnë këto vendparkime” tha Besarta Ramadani nga Komuna e Tetovës.

Ramadani tha se tashmë nuk do të ketë tolerime, paralajmëroi se organet kompetente brenda komunës shumë shpejt do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për lirimin e këtyre hapësirave.

“Sigurisht nga inspektorati komunal poashtu na informuan se shumë shpejt do të nis një aksion edhe më i gjërë jo vetëm për vendparkimet publike që uzurpohen nga këto biznese por edhe të gjitha hapësirat tjera, pengesat rrugore që shpesh herë individët apo qytetarët uzurpojnë një pjesë të vendit” tha Ramadani.

Kujtojmë që kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami disa herë ka premtuar lirimin e të gjitha hapësirave publike të uzurpuara dhe në këtë drejtim janë ndërmarrë disa aksione. Por që pavarësisht veprimeve “sy e faqe” të institucioneve, në Tetovë nuk ka zgjidhje konkrete afatgjate për kaosin në trafik.

Para pak javësh Komuna e Tetovës ka lidhur një kontratë në vlerë prej 16 mijë eurove për projektimin e parkingjeve të mbyllura në Tetovë. Përkundër që e ka premtuar disa herë, jozyrtarisht mësojmë se realizimi i këtij projekti është i pamundur brenda këtij mandati të kryetarit Kasami.