Blerje të mëdha të ujit, heshtje në qytetin e Shkupit dhe “Ujësjellës Kanalizime, në spitale do të operohen vetëm pacientët emergjentë
Në pritje të ndërprerjes së paralajmëruar të ujësjellësit kryesor këtë fundjavë, si dhe në mungesë të informacioneve të sakta për të gjithë rastin, shkupjanët janë në panik këto ditë duke blerë ujë të pijshëm në shishe. Disa media, duke u thirrur në burime anonime në NP “Ujësjellës Kanalizime”, bëjnë të ditur se për shkak të […]
Në pritje të ndërprerjes së paralajmëruar të ujësjellësit kryesor këtë fundjavë, si dhe në mungesë të informacioneve të sakta për të gjithë rastin, shkupjanët janë në panik këto ditë duke blerë ujë të pijshëm në shishe. Disa media, duke u thirrur në burime anonime në NP “Ujësjellës Kanalizime”, bëjnë të ditur se për shkak të këtij renovimi, të gjitha vendbanimet nga rrethrrotullimi në komunën e Gjorçe Petrovit deri në fshatin Zelenikovë, të cilat gjenden në anën e djathtë të Vardari nuk do të kenë ujë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Ndërkohë, raftet bosh nëpër supermarketet e Shkupit pasqyrojnë panikun. Meta.mk sot ka vizituar disa markete nëpër qytet, ku kemi vërejtur blerje masive të ujit të pijshëm në shishe.
Në marketet që kemi vizituar, që konsiderohen më të lira, raftet janë krejtësisht bosh dhe nuk ka asnjë paketë me ujë të gazuar në shishe, as nuk ka shishe me ujë 1.5 litër e më shumë në shitje. Punonjësit konfirmuan se nuk kanë mbetur asnjë pako as nëpër magazina.
Nga ana tjetër, zinxhirët më të mëdhenj të supermarketeve kishin ujë në magazinë, por jo në sasi të mëdha. Ajo që vumë re ishte se pothuajse të gjithë konsumatorët që prisnin në radhë në arkë kishin të paktën një shishe ujë në shporta.
Punonjësit me të cilët biseduam na thanë se shitja e ujit është rritur ndjeshëm që nga e mërkura, ndërsa përveç ujit të rregullt, është rritur edhe shitja e ujit mineral.
Ajo që ka mbetur e njëjtë tani për tani është çmimi i ujit në shishe. Nuk është i ngritur as në kioska dhe dyqane më të vogla në të gjithë qendrën e qytetit. Kishin edhe ujë për blerje, por në sasi më të vogël. Edhe atje punonjësit thanë se këto ditë ka pasur rritje të blerjes së ujit të ambalazhuar.
Ndërhyrja në rrjetin kryesor të ujësjellësit, sipas njoftimeve jozyrtare të NP “Ujësjellës Kanalizime”, do të fillojë të premten (20 dhjetor) në orën 22:00 dhe nuk dihet se sa do të zgjasë. Sipas deklaratës së para disa ditëve të kryetares Danela Arsovska, ndërprerja “nuk do të zgjasë më shumë se një riparim i rregullt i ndonjë defekti që kemi në qytet”. Sipas saj, e gjithë ndërhyrja “do të përfundojë absolutisht brenda një dite e një nate”.
Qyteti i Shkupit dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellës Kanalizime” Toni Minovski nuk po u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.
Spitalet poashtu përgatiten për ndërprerjen e paralajmëruar të furnizimit me ujë. Ajo që lind si pyetje në situata të tilla është se si do të funksionojnë shkollat, kopshtet dhe spitalet. Sipas njoftimit të vetëm në Facebook nga 15 dhjetori, uji do të mbyllet të shtunën dhe shkollat dhe kopshtet do të mbyllen atë ditë. Për funksionimin e spitaleve dhe klinikave kemi kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, ku thonë se janë duke u përgatitur.
Kështu, Shërbimi i Çështjeve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë klinikave bën me dije se “po vijojnë aktivitetet përgatitore për funksionimin e pandërprerë të klinikave gjatë ndërprerjes së furnizimit me ujë”.
“Për ngrohje do të përdoren depozitat rezervë.e. Burimet e tjera si gazrat mjekësore, energjia elektrike, ujërat e zeza dhe klimatizimi do të funksionojnë normalisht”, tha ministria.
Drejtori i Klinikës Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit”, Nebojsha Nastov, thekson se ata së bashku me Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” dhe klinikat, po përgatiten të operojnë pandërprerë në kohë krize. Siç shton ai, ata kanë më shumë nevojë për ujë për sterilizimin e instrumenteve dhe për larje.
“Ne e dimë që uji do të mbarojë në mesnatën e së premtes dhe se nuk do të ketë të nesërmen, deri në pasdite. Kemi zhvilluar disa variante, kemi protokolle sipas të cilave organizohemi në kohë krize. Uji në vendin tonë nevojitet më së shumti për sterilizimin e instrumenteve dhe larje”, thotë doktor Nebojsha Nastov.