Çair, policia doli me detaje për vrasjen e mbrëmshme
Ministria e Punëve të Brendshme ka dalur me detaje nga përleshja e mbrëmshme më armë në Çair të Shkupit, ku si pasojë dy persona janë plagosur, ndërsa një tjetër ka ndërruar jetë, shkruan Portalb.mk. “Më datë 10.02.2025, rreth orës 23:50, në SPB Shkup është raportuar se në një parking në rrethinën e Çairit, për shkak […]
![Çair, policia doli me detaje për vrasjen e mbrëmshme](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2024/08/Foto-4.png?fit=1024%2C576&quality=80&ssl=1)
![Policia e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2024/08/Foto-4.png)
Ministria e Punëve të Brendshme ka dalur me detaje nga përleshja e mbrëmshme më armë në Çair të Shkupit, ku si pasojë dy persona janë plagosur, ndërsa një tjetër ka ndërruar jetë, shkruan Portalb.mk.
“Më datë 10.02.2025, rreth orës 23:50, në SPB Shkup është raportuar se në një parking në rrethinën e Çairit, për shkak të një mosmarrëveshje të mëparshme në komunikacion, mes dy grupeve ka pasur një debat, gjatë së cilës janë përdorur edhe armë zjarri.
Më datë 11.02.2025 ora 00.06, nga Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “Shën Naum Ohridski”, u raportua se me plagë nga arma e zjarrit janë sjellë H.B (35) dhe A.D.(35), të dy nga Shkupi. Më pas, H.B ka ndërruar jetë, ndërkaq ndaj A.D është intervenuar dhe i njëjti është mbajtur për mjekim. Për shkak të plagëve me armë zjarri në Kompleksin Klinikë “Nënë Tereza” është transferuar edhe N.D. nga Shkupi. Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë i të ndjerit është dorëzuar për obduksion”, thuhet në njoftim.
Pas marrjes së masave dhe për shkak të dyshimit se kanë marrë pjesë në shkëmbim zjarri, zyrtarët policorë nga SPB Shkup rreth orës 01:40 në spital kanë arrestuar B.B (39), ndërkaq pak më vonë janë gjetur dhe arrestuar R.R (42) dhe K.T (28), gjithashtu nga Shkupi.
Pas marrjes së masave, në vendngjarje janë gjetur dy armë, disa automjete dhe sende të tjera që lidhen me krimin. Personat janë ndaluar në polici dhe pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të bëhet kallëzimi përkatës.
Për rastin në fjalë janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore. Nga aty njoftojnë se Prokuroria Themelore Publike Shkup ka kryer kontrollin në vendngjarje në komunën Çair të Shkupit.
“Sipas informacioneve fillestare, në të shtënat kanë marrë pjesë disa persona, ndërsa nga vendi i ngjarjes janë gjetur gjurmë dhe gëzhoja dhe do t’i nënshtrohen analizës mjeko-ligjore. Janë siguruar edhe pamjet e video survejimit dhe janë duke u shqyrtuar. Gjithashtu është dhënë urdhër për autopsi të trupit të të ndjerit dhe po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e shkaqeve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
I ndjeri është djali i ish-zyrtarit të BDI-së.