RMV, rënie e madhe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit
Në raportin e ri të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit Republika e Maqedonisë së Veriut ka 40 pikë, dy pikë më pak se vitin e kaluar dhe ka shënuar një rënie prej 12 pozitash në tabelë, duke zënë vendin e 88-të, shkruan Portalb.mk. Sipas kryetarit të Transparency International-Maqedoni, Bllagoja Pandovski, këto rezultate negative janë pasojë […]
![RMV, rënie e madhe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2025/02/Untitled-design-5.png?fit=1024%2C683&quality=80&ssl=1)
![Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit/ Foto: Transparency International, 2025](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2025/02/Untitled-design-5.png)
Në raportin e ri të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit Republika e Maqedonisë së Veriut ka 40 pikë, dy pikë më pak se vitin e kaluar dhe ka shënuar një rënie prej 12 pozitash në tabelë, duke zënë vendin e 88-të, shkruan Portalb.mk.
Sipas kryetarit të Transparency International-Maqedoni, Bllagoja Pandovski, këto rezultate negative janë pasojë e numrit të madh të skandaleve që ndodhën vitin e kaluar, veçanërisht në fushën e gjyqësorit, Këshillit Gjyqësor dhe Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë. Siç thotë ai, mosndëshkimi i korrupsionit të nivelit të lartë në lidhje me personat në poste publike, indikacionet për ndikim politik në gjyqësor, kontrolli i dobët që ushtron Këshilli Gjyqësor ndaj gjyqtarëve dhe 40 rekomandimet e misionit vlerësues të Bashkimit Evropian, shkelja e ligjit me përzgjedhjen e kandidatëve për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë kanë lëkundur disa nga gjyqtarët gjatë zgjedhjeve.
“Vitin e kaluar kemi pasur edhe një rast të dëshmuar të korrupsionit nga një gjyqtar suprem, shkarkimin e një gjyqtari penal nga Gjykata e Kavadarit, i cili kishte dëgjuar një të pandehur të cilin e kishte gjykuar 97 herë brenda pak ditësh, dhe disa raste të tjera që vetëm gërvishtin sipërfaqen e gjyqësorit ku qytetarët nuk kanë besim. Situata është e ngjashme edhe në prokurori, e cila nuk është e azhurnuar në ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë dhe nuk i trajton iniciativat e marra nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, dhe vetë ishte objekt i skandaleve me një rast të dëshmuar korrupsioni në të cilin ishte përfshirë një ish-anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë” tha Pandovski.
Kjo pamje u konfirmua nga Sistemi i Integritetit Nacional i publikuar nga TI-Maqedonia në janar 2024, ku prokuroria dhe gjyqësori u vlerësuan të ulëta në rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit.
“Hapi i parë në rrugën e gjatë në luftën kundër korrupsionit është kriminalizimi i tij dhe parandalimi i përgjithshëm që kriminalizimi ka në shoqëri. Derisa të arrihet kjo, nuk mund të presim rezultate pozitive në indeksin e perceptimit të korrupsionit”, deklaroi Pandovski.
Ndryshe, Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar Maqedoninë në luftën kundër korrupsionit. Shqipëria ndodhet në vendin e 80-të me 42 pikë. Kosova ka 44 pikë dhe është në vendin e 73-të. Mali i Zi është në vendin e parë ndër të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor – vendi i 65-të me 46 pikë. Serbia është në vendin e 105-të me 35 pikë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 114-të me 33 pikë.
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit vlerëson dhe rendit vendet/territoret bazuar në nivelin e perceptuar të korrupsionit në sektorin publik të vendit, siç vlerësohet nga ekspertë dhe biznesmenë.
Kujtojmë se, Raporti i KE-së për progresin në reforma të vendeve kandidate për anëtarësim në BE ka adresuar problemet e Maqedonisë së Veriut në luftën kundër korrupsionit.
“Maqedonia e Veriut ka nevojë për përmirësim në zbatimin e ligjit kundër korrupsionit dhe për Kod Penal të ri që përputhet me standardet ndërkombëtare. Miratimi i Kodit të ri Penal madje ka të përcaktuar afatin e miratimit në Agjendën Reformuese. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) duhet të forcojë kapacitetet e tij dhe të sigurojë që rekomandimet e tij të ndiqen efektivisht. Transparenca dhe përgjegjësia në administratë, si dhe mbikëqyrja e financimit të fushatave zgjedhore janë të dobëta dhe kërkojnë burime të mjaftueshme. Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe reforma të tjera janë të nevojshme për të forcuar luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni mbetet një shqetësim i madh në sektorë si shëndetësia dhe prokurimi publik”, veçohet mes tjerash në Raport.
Se sa është i lartë korrupsioni në Maqedoninë e Veriut tregon edhe përfshirja e ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe gjykatësit Enver Bexheti në Listën e Zezë amerikane. Siç potencohet në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan, Artan Grubi bashkë me gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.
Eksponentë tjerë nga Maqedonia e Veriut, figura publike nga politika dhe gjyqësori, të përfshirë në Listën e zezë janë: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski, kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“, ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.