Demokratët në SHBA kërkojnë shkarkimin e shefit të Pentagonit

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndodh një përplasje e fortë politike mes republikanëve dhe demokratëve. Këta të fundit kanë nisur zyrtarisht procedurat për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, duke e akuzuar atë për “krime të rënda dhe shkelje serioze”. Në mocionin e demokratëve janë depozituar 6 akuza, ku në qendër janë sulmet ushtarake […]

Prill 16, 2026 - 13:30
Demokratët në SHBA kërkojnë shkarkimin e shefit të Pentagonit

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndodh një përplasje e fortë politike mes republikanëve dhe demokratëve. Këta të fundit kanë nisur zyrtarisht procedurat për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, duke e akuzuar atë për “krime të rënda dhe shkelje serioze”.

Në mocionin e demokratëve janë depozituar 6 akuza, ku në qendër janë sulmet ushtarake ndaj Iranit pa miratimin e Kongresit dhe operacione të tjera të diskutueshme, përfshirë goditjet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge.

Nisma vjen në një moment kur administrata e Donald Trump është nën presion në rritje për veprimet e fundit në politikën e jashtme, sidomos për konfliktin me Iranin.

Mocioni u prezantua nga kongresmenja demokrate Yassamin Ansari, së bashku me ligjvënës të tjerë si John Larson. Ata e akuzojnë Hegseth se ka shpërfillur rregullat për mbrojtjen e civilëve gjatë operacioneve ushtarake.

Sipas raportimeve, SHBA mund të ketë qenë përgjegjëse për një sulm në mars ndaj një shkolle në Iran, ku humbën jetën të paktën 175 persona, mes tyre edhe fëmijë.

Në dosje përmenden edhe sulmet e përsëritura ndaj anijeve në Karaibe, ku ushtria i ka cilësuar personat në bord si “narco-terroristë”.

Demokratët e akuzojnë gjithashtu Hegseth për cenim të sigurisë kombëtare për shkak të “sjelljes së pakujdesshme”, duke përmendur një rast në vitin 2025 kur informacione të klasifikuara u shpërndanë në aplikacionin Signal.

Skandali shpërtheu kur kryeredaktori i “The Atlantic”, Jeffrey Goldberg, u përfshi gabimisht në një bisedë ku diskutohej një sulm ajror ndaj rebelëve Houthi në Jemen. Në atë bisedë ishin edhe zyrtarë të lartë si zëvendëspresidenti JD Vance dhe drejtori i CIA-s John Ratcliffe.

Në akuzat përfshihet edhe fshehja e informacioneve mbi viktimat civile në Iran dhe Venezuelë, si dhe tentativa për të ndëshkuar senatorin Mark Kelly, i cili u kishte kujtuar ushtarakëve se kanë të drejtë të refuzojnë urdhrat e paligjshëm.

Po ashtu, Hegseth kritikohet edhe për largimin e personave transgjinorë nga ushtria.

“Pete Hegseth nuk ka respektuar betimin ndaj Kushtetutës. Ai ka kryer krim lufte në Iran,” deklaroi Ansari, duke kërkuar që të gjithë përgjegjësit në administratë të mbajnë përgjegjësi.

Ajo shtoi se nëse ai vijon të qëndrojë në detyrë, rreziku për sigurinë kombëtare do të rritet.

Nga ana tjetër, Pentagoni i ka hedhur poshtë akuzat. Zëdhënësja Kingsley Wilson i quajti ato një “shfaqje për vëmendje” dhe një përpjekje për të larguar fokusin nga sukseset e departamentit.

Megjithatë, pavarësisht akuzave të forta, gjasat që mocioni i shkarkimit të kalojë janë të ulëta, për shkak sepse republikanët kanë shumicën rnë Kongres.