Denari digjital, sa është RMV-ja e përgatitur për valutë virtuale?

Shumë zhurmë për prezantimin e denarit digjital dhe pak informacion për përdoruesit. Kështu mund të përshkruhet ideja për të cilën po dëgjohet gjithnjë e më shpesh në deklaratat e përfaqësuesve të lartë të Qeverisë. Banka Popullore po punon në projektin i cili pritet të reduktojë paratë e gatshme dhe mundësinë për një ekonomi gri, shkruan […]

Jan 8, 2025 - 11:00
 0  4
Denari digjital, sa është RMV-ja e përgatitur për valutë virtuale?
Analiza ekonomike, ekonomi, euro, denare

Shumë zhurmë për prezantimin e denarit digjital dhe pak informacion për përdoruesit. Kështu mund të përshkruhet ideja për të cilën po dëgjohet gjithnjë e më shpesh në deklaratat e përfaqësuesve të lartë të Qeverisë. Banka Popullore po punon në projektin i cili pritet të reduktojë paratë e gatshme dhe mundësinë për një ekonomi gri, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

“Denari digjital i Maqedonisë – për momentin është vetëm një ide, por do të shohim se si do të zhvillohet në të ardhmen. Kjo është e ardhmja dhe unë mendoj se ne do të jemi të parët në rajon që do të provojmë të bëjmë diçka të tillë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski korrikun e kaluar pas takimit me Howard Lutnik, të cilin presidenti amerikan Donald Trump planifikon ta emërojë si sekretar të ardhshëm të tij për tregti.

Më 5 dhjetor Mickoski tha se pikërisht gjatë vizitës së Lutik kanë ardhur me idenë për një denar digjital të Maqedonisë dhe për një bankë digjitale.

Ideja për një denar digjital ekziston prej disa vitesh, që para se të vinte në pushtet VMRO DPMNE-ja.

Guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska në maj të vitit 2022 njoftoi se Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut po analizon mundësinë e prezantimit të një versioni digjital të monedhës zyrtare të vendit, denarit të Maqedonisë.

“Sipas shembullit të Bankës Qendrore Evropiane, pikërisht këtë vit kur ne shënojmë tridhjetë vjetorin e denarit si njësinë tonë monetare, filluam edhe aktivitetet fillestare për ta shqyrtuar mundësinë dhe domosdoshmërinë e prezantimit të denarit digjital. Nëse analizat tregojnë se prezantimi i denarit digjital është i nevojshëm dhe është gjëja e duhur, gjatë ndonjërit nga shënimet e ardhshme të ditës së pavarësisë monetare, shpresoj se do mund të flasim për denarin digjital si mjet zyrtar pagese në vend”, tha Angellovska.

Qytetarët e Maqedonisë do të kenë kuleta digjitale

Radio Evropa e Lirë pyeti disa qytetarë të rastësishëm nëse e dinë se çfarë nënkuptojmë me termin “denar digjital” dhe nëse e dinë se si do të funksiononte pagesa me të, por rrallë kush se kishte njohuri për këtë ide, e aq më pak se çfarë do prezantohej me këtë projekt.

“Për herë të parë po dëgjoj për një gjë të tillë, as nuk e kuptoj se si mund të funksionojë. Sinqerisht nuk i besoj as sistemit bankar në Maqedoni, e lëre më valutave digjitale”, tha Zoran G.

“Kam dëgjuar për këtë ide, por nuk e di se çfarë është denari digjital. Nuk mund të bëj dallim nga pagesa e mëparshme pa para me kartelë”, thotë Aneta M.

Nga Banka Popullore për Radion Evropa e Lirë thonë se në fakt denarin digjital, sikurse paratë e gatshme, pra ato në letër dhe monedhat, do t’i lëshojë banka, por ndryshimi do jetë se ato do jenë në dispozicion të qytetarëve dhe kompanive në formë elektronike. Ndër të tjera qëllimi është shmangia e pagesës me para në dorë, që sipas bankës bart në vete rreziqe të ndryshme.

“Denari digjital do të ruhet në kuleta digjitale (e-wallets) që mund të lidhen me aplikacionet mobile bankare të bankave, por edhe të funksionojnë në mënyrë të pavarur përmes aplikacioneve të zhvilluara nga sektori fintech. Këto kuleta do të jenë të disponueshme për përdorim nga qytetarët në telefonat celularë ose në pajisje të tjera elektronike. Qytetarët mund ta menaxhojnë drejtpërdrejt bilancin e tyre përmes këtyre kuletave, duke e ndjekur gjendjen në kohë reale dhe duke bërë pagesa apo transferta të parave në mënyrë të thjeshtë”, thonë nga BPRM.

Si karakteristikë të veçantë nga banka e veçojnë mundësinë e përdorimit të denarit digjital në të ashtuquajturin regjim offline. Kjo mundëson kryerjen e pagesave edhe kur nuk ka lidhje aktive në internet, me ç’rast transaksionet do të ruhen në nivel lokal dhe do të sinkronizohen kur interneti të jetë sërish i disponueshëm.

Ky funksion është veçanërisht i dobishëm për rajonet me qasje të dobët në internet, ku pritet të kontribuojë për një përdorim më të gjerë të pagesave elektronike në vend të pagesave me para të gatshme, thonë nga BPRM.

Nuk ka afate të caktuara për projektin

Edhe krahas njoftimeve pompoze të përfaqësuesve të Qeverisë për denarin digjital, ende nuk ka një përgjigje konkrete nëse shteti është teknologjikisht i gatshëm për ta mundësuar funksionimin e valutës digjitale.

Ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski, thotë se digjitalizimi i plotë i sistemit bankar do të bëhet në disa faza. Pritet që të përfundojë deri në fund të mandatit të kësaj Qeverie, pra në vitin 2028.

“Ne në programin e Qeverisë kemi parashikuar jo vetëm digjitalizimin e valutave, por digjitalizimin e plotë të shoqërisë. Digjitalizimi i bankave dhe i sistemit të pagesave është diçka që shteti po e bën dhe duhet ta bëjë në mënyrë dinamike. Besoj se nëse drejt digjitalizimit të valutës shkojmë me faza, atëherë do të kemi rezultate pozitive. Nuk duhet të bëhet pa plan dhe duhet të jetë në përputhje me rregulloren ekzistuese të Bashkimit Evropian”, thotë Andonovski.

Ekonomistët Pavle Gacov, Aleksandar Stojkov dhe Zoran Jovanovski për nevojat e Odës Ekonomike kanë përgatitur një publikim në të cilin thuhet se denari digjital shihet si mundësi për uljen e korrupsionit dhe ekonomisë gri.

“Gjurma digjitale nuk humbet definitivisht, sepse është në zonën e shifrave binare dhe mund të rikthehet edhe pas fshirjes. Për shkak të kësaj, politikanët e korruptuar do duhet t’i thonë lamtumirë ryshfeteve dhe korrupsionit. Dhe punëdhënësit nuk do të munden pa lënë gjurmë t’u kërkojnë punonjësve t’u kthejnë një pjesë të pagës ose t’u paguajnë K-15, të cilin ata do ta tërheqin nga një bankomat dhe do t’ua kthejnë paratë”, shkruhet në botimin “Pjesa gri e ekonomisë në Maqedoni”.

Sipas kësaj, çdo transaksion digjital mund ta lajmërojë Drejtorinë e Policisë Financiare dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Si shembull i japin edhe pagesat më të vogla, si p.sh nëse hidraulikut i paguani për riparimin e një rubineti valutë digjitale, kjo gjë do të lërë gjurmë dhe ai do të duhet të paguajë tatim.

Gjithashtu, edhe kompanitë e vogla ndërtimore do duhet t’u paguajnë paga punëtorëve me denarë digjital, me çka nuk do të mund t’i fshehin kontributet për sigurim, siç bëhet tani kur i paguajnë punëtorët “në të zezë”.

Edhe euroja do të digjitalizohet

„Digjitale apo në letër euroja gjithmonë do të jetë euro.“

Me këtë fjali Banka Qendrore Evropiane (BQE) e përfundon një nga videot e saj promovuese në të cilën u shpjegon evropianëve se çfarë në të vërtetë përfaqëson euroja digjitale që tashmë është në fazë përgatitore.

Euro Digjitale është një projekt i BQE-së, i pranuar në korrik të vitit 2021, për prezantimin e mundshëm të një monedhe digjitale të Bankës Qendrore. Atëkohë është promovuar se qëllimi ishte zhvillimi i një instrumenti të shpejtë dhe të sigurt për pagesa elektronike. Kjo duhej të ishte një plotësim i euros për individët dhe bizneset në formën e saj ekzistuese, siç janë tani paratë e gatshme ose llogaritë bankare. Euro digjitale do të lëshohej nga Sistemi Evropian i Bankave Qendrore të Eurozonës.

Në fund të muajit maj të vitit 2023 BQE i publikoi rezultatet e hulumtimit të tregut dhe një projekt për prototip të euros digjitale.

Hulumtimi i tregut nxorri në pah se ekziston një numër shumë i madh i kompanive evropiane të afta për të zhvilluar zgjidhje digjitale për euron.

Por më 18 tetor të vitit 2023 BQE njoftoi se ishte marrë vendim për të vazhduar me fazën përgatitore dhe njoftoi pilot projekti se mund të lëshohej në qarkullim në vitin 2025-2026.

Shpjegimi nga banka ishte se euro digjitale do të ishte ekuivalenti i parave të gatshme.

Ajo dallohet nga kripto-valutat, sepse eurot digjitale do të jenë para të Bankës Qendrore.

Banka Qendrore Evropiane do të garantonte se ato janë të sigurta, se euro digjitale ka një vlerë të qëndrueshme dhe se mund të këmbehet sipas vlerës nominale me para të gatshme në euro.

Për dallim nga këto, kripto-valutat mund të kenë luhatje të ndjeshme në vlerë dhe konvertimi i tyre në para në euro nuk mund të garantohet.

Euro digjitale do i ofronte mundësitë që ofrojnë kartelat dhe aplikacionet edhe sot, por edhe pagesa pa qasje në internet, gjë që nuk është e mundur me kartela apo aplikacione celulare.

Euro digjitale “offline” do të mundësojë transaksione edhe pa qasje në internet nëse pala tjetër e transaksionit është fizikisht afër, qoftë ky person apo dyqan. Kjo do të mundësonte edhe pagesa në zona të largëta me lidhje interneti jo të qëndrueshme dhe në raste kur ka mungesë të rrjeteve të komunikimit apo ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Organet legjislative në BE, Këshilli dhe Parlamenti, janë përgjegjës për miratimin e kornizës ligjore, por vendimin përfundimtar për prezantimin e euros digjitale e merr Banka Qendrore Evropiane. Komisioni thekson se do të duhen disa vite për ta prezantuar euron digjitale, por sido qoftë kjo nuk do të ndodhë para vitit 2028.

Euro digjitale do mund të përdoret gjithkund në eurozonë, pa dallim të vendndodhjes së paguesve, apo asaj se cila bankë tregtare ose ofrues i shërbimit të pagesave e përdor atë. Pagesat do të mund të bëhen në çdo kohë, 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.