Dimitrieska-Koçoska: Nuk mund të krahasohen çmimet për shkak të masave të ndryshme të qeverisë së kaluar dhe kësaj qeverie

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, tha se çmimet e produkteve bazë në shkurt nuk mund të krahasohen me ato të muajit të njëjtë të vitit të kaluar, pasi atëherë ishin në fuqi masa të qeverisë së kaluar, transmeton Portalb.mk. Sipas saj, tani, që nga 18 shkurti, janë marrë masa të reja, prandaj periudhat nuk janë […]

Mars 7, 2025 - 23:00
 0  4
Dimitrieska-Koçoska: Nuk mund të krahasohen çmimet për shkak të masave të ndryshme të qeverisë së kaluar dhe kësaj qeverie
Gordana Dimitrieska Koçoska. Foto: Ministria e Financave

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, tha se çmimet e produkteve bazë në shkurt nuk mund të krahasohen me ato të muajit të njëjtë të vitit të kaluar, pasi atëherë ishin në fuqi masa të qeverisë së kaluar, transmeton Portalb.mk.

Sipas saj, tani, që nga 18 shkurti, janë marrë masa të reja, prandaj periudhat nuk janë të përshtatshme për krahasim.

“Vitin e kaluar deri në fund të shkurtit ishin në fuqi masat e qeverisë së kaluar, ndërsa këtë vit, duke filluar nga 18 shkurti, hyjnë në fuqi masat e reja, prandaj periudhat nuk janë të përshtatshme për krahasim. Megjithatë, si qeveri, ne mbetemi të përkushtuar për të përgatitur një strategji ose një drejtim të cilin do ta punojmë më thellë në një periudhë afatmesme, që të mos na krijojë probleme si tani“, tha Dimitrieska – Koçoska në konferencën e sotme për media në Qeveri.

Sipas saj, rritja e çmimeve nuk është rezultat vetëm i asaj që po ndodh në tregti dhe ajo shton se problemi është shumë më i madh.

“Të mos harrojmë, rritja e çmimeve nuk është rezultat vetëm i asaj që po ndodh në tregti, kemi pasur shumë herë rritje të çmimit të energjisë elektrike, liberalizimi i tregut të energjisë elektrike ka shkaktuar disa probleme. Kështu që problemi është shumë më i madh se sa duket. Qeveria punon me përkushtim, çdo ministër në segmentin e tij për të adresuar problemet që mbetën nga periudha e kaluar. Ashtu siç i sanojmë, ashtu i publikojmë, të dhënat janë në drejtimin e duhur”, shtoi Dimitrieska-Koçoska.

Ajo vlerëson se për një kohë të shkurtër do të ketë stabilizim më serioz të çmimeve, për çka thotë se nuk do të jetë me intervenime nga Qeveria, por “do të vijë natyrshëm si rezultat i masave që ka marrë Qeveria”.

Përgjigja e ministres vjen pasi sot Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) publikoi se, inflacioni në muajin shkurt është rritur prej 5 përqind dhe rritje më të madhe ka te produktet ushqimore.