Diskriminim në kufi të racizmit/ Serbia vazhdon t’i shtyp shqiptarët në Luginë

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në Serbi ka emëruar së fundmi Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë, një vendim që ka ngjallur kritika të shumta, veçanërisht nga komuniteti shqiptar në këtë rajon. Emërimi i saj në një pozitë të tillë ka ngjallur shqetësime për objektivitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit në këtë

dhjetor 8, 2024 - 18:00
 0  7
Diskriminim në kufi të racizmit/ Serbia vazhdon t’i shtyp shqiptarët në Luginë
diskriminim-ne-kufi-te-racizmit/-serbia-vazhdon-t’i-shtyp-shqiptaret-ne-lugine

diskriminim-ne-kufi-te-racizmit/-serbia-vazhdon-t’i-shtyp-shqiptaret-ne-lugine

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në Serbi ka emëruar së fundmi Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë, një vendim që ka ngjallur kritika të shumta, veçanërisht nga komuniteti shqiptar në këtë rajon.

Emërimi i saj në një pozitë të tillë ka ngjallur shqetësime për objektivitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit në këtë rajon, duke rritur pasigurinë dhe mosbesimin ndaj institucioneve.

Nuk është vetëm sistemi i drejtësisë ku shqiptarët diskriminohen rëndë nga shteti serb, por një politikë e tillë haset pothuajse në të gjithë sektorët ku ka kompetenca niveli qendror.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ditë më parë ka akuzuar Serbinë për “diskriminim agresiv” të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.
Përmes një postimi në X, ai kritikoi Serbinë për “thellim të margjinalizimit” të profesionistëve shqiptarë, teksa foli për emërimin e një gjyqtareje serbe në Gjykatën për Kundërvajtje në Preshevë.
“Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në Serbi së fundi ka emëruar Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë. Ky vendim thellon margjinalizimin e profesionistëve shqiptarë, forcon pabarazinë në institucionet vendimmarrëse”, tha ai.
Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.
“Përkushtimi i Serbisë për të drejtat e minoriteteve është joekzistent. Është urgjente që Bashkimi Evropian të reagojë dhe të ndalë këtë diskriminim agresiv”, tha ai.

 

Kamberi: Serbia diskriminon shqiptarët në Luginë të Preshevës në çdo sektor

Shaip Kamberi, Deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë,  ka reaguar ndaj emërimit të Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës në Preshevë, Komunë kjo me shumicë shqiptare, duke e cilësuar këtë veprim si një tregues të politikës diskriminuese të Serbisë.

‘’Emërimi i gjykatëses serbe në krye  të Gjykatës për kundërvajtje në Preshevë, është edhe një tregues, në mesin e shumë tjerëve të politikës diskriminuese të Serbisë në Luginë të Preshevës’’, tha Kamberi për FrontOnline.

Sipas Kamberit, ky emërim nuk është një veprim i izoluar, por pjesë e një politike më të gjerë të shtypjes dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e cila ka vazhduar për më shumë se dy dekada. Një prej hapave që Kamberi thekson është shuarja e Gjykatës Themelore dhe e Prokurorisë Themelore në Preshevë dhe Bujanoc.

‘’Fillimisht ishte shuarja e Gjykatës themelore në Preshevë e përcjellë edhe me shuarjen e prokurorisë themelore në Preshevë, por edhe në Bujanoc’’, tha Kamberi.

Po ashtu, Kamberi ka përmendur edhe disbalancin e theksuar etnik në sistemin gjyqësor, si në rastin e Gjykatës së Bujanocit, ku prej 13 gjykatësve, vetëm 3 janë shqiptarë. Një tjetër shqetësim që Kamberi ka ngritur është përdorimi i gjuhës shqipe në proceset gjyqësore.

‘’ Disproporcioni në mesin e të punësuarve në gjykatën e Bujanocit, ku prej 13 gjykatësve janë vetëm tre shqiptarë, pamundësia e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në proceset gjykuese’’, deklaron Kamberi.

Ai ka përmendur  edhe faktin që nuk janë emëruar zëvendësprokurorë shqiptarë për të zëvendësuar ato që ishin më parë, duke theksuar se ky është një tjetër element i diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve.

‘’Mos zëvendësimi i tre zëvendësprokurorëve shqiptarë me kandidatë tjerë shqiptarë, paraqesin elementet kyçe të diskriminimit që qeveria serbe e ushtron ndaj shqiptarëve në sferën e gjyqësorit. Këtë emërim nuk duhet parë vetëm si veprim të izoluar, por, si një tërësi të veprimeve në sferën e gjyqësorit dhe administratës shtetërore si tërësi, ku punësimi apo përzgjedhja e shqiptarëve në insttucionet e shtetit paraqitet si sfidë që po zgjat mbi 23 vite’’, tha Kamberi.

Kamberi ka kritikuar gjithashtu dështimin e Serbisë për të realizuar Planin Shtatë Pikësh, i cili ishte miratuar në vitin 2013 dhe synonte avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, përfshirë integrimin e tyre në administratën shtetërore dhe forcat e rendit. Ky plan, i cili kishte mbështetje nga OSBE, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, synonte të krijonte mundësi për përfaqësim më të barabartë të shqiptarëve në institucionet e Serbisë deri në vitin 2026. Megjithatë, Kamberi thekson se deri tani, realizimi i këtij plani ka dështuar, dhe asnjë masë konkrete për përmirësimin e kushteve për shqiptarët në institucione nuk është marrë. Edhe pse OSBE, BE dhe Këshilli i Evropës janë përfshirë në këtë proces, ata po heshtin, duke i dhënë Serbisë mundësinë për të shmangur detyrimet e saj dhe për të vazhduar diskriminimin.

‘’ Plani Shtatë pikësh, të cilin qeveria e Serbisë e kishte aprovuar më 2013, shihej si mundësi e avancimit të të drejtave të shqiptarëve, por ja që prej atëherë ai mbetet i parealizuar. Këshilli kombëtar shqiptarë, më 2022, me ndërmjetësimin e OSBE, Këshillit të Evropës dhe me ndihmën e Delegacionit të BE në Serbi, kishte hartuar një Plan aksional për implementimin e “Planit shtatë pikësh”. Synimi ishte që në periudhën 2022 deri më 2026 të realizohet integrimi i shqiptarëve në këto institucione. Tani që jemi në fund të vitit 2024, realizimi i këtij plani as që ka filluar, ndërsa OSBE, BE dhe Këshilli i Evropës po heshtin, ndërkohë që Serbia, duke blerë kohë, po i shmanget obligimeve të marra’’, vuri në pah Kamberi.

Kamberi ka theksuar se diskriminimi ndaj shqiptarëve nuk është i kufizuar vetëm në gjyqësor, por ndikon në çdo aspekt të jetës publike, duke përfshirë arsimin, kulturën, informacionin, zhvillimin ekonomik dhe administratën shtetërore.

‘’Diskriminimi është shumëvjeçar dhe prek çdo sferë të jetës publike. Diskriminimi i vrazhdë vërehet në arsim, në kulturë, në informim, në zhvillim ekonomik, në privatizimin e dështuar të kapaciteteve ekonomike shtetërore’’, tha Kamberi.

Kamberi gjithashtu ka përmendur militarizimin e rajonit, duke thënë se ai është përdorur si një tjetër mjet për të marginalizuar shqiptarët dhe për të krijuar një klimë të frikës dhe pasigurisë në Luginën e Preshevës.

‘’Militarizimi i rajonit, bashkë me këto forma të tjera të diskriminimit, të cilëve i janë shtuar edhe mosnjohja e diplomave dhe pasivizimi po përdoren i metoda të shpopullimit të Luginës së Preshevës nga shqiptarët’’,  përfundoi Kamberi.

 

Nevzad Lutfiu: Serbia shkel ligjet e veta kur është fjala për interesat e shqiptarëve

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka bërë thirrje për adresimin e diskriminimit të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve në këtë rajon, duke përmendur si një prej rasteve më shqetësuese emërimin e një serbeje në krye të Gjykatës së Preshevës.

Lutfiu ka deklaruar për “Front Online” se jo vetëm emërimi i kësaj figure, por edhe procedurat e tjera të konkurseve për pozita gjyqësore, janë shoqëruar me diskriminim sistematik ndaj shqiptarëve.

“Jo vetëm në zgjedhjen e kryetares së Gjykatës, por edhe në konkurset e tjera të këtij institucioni, injorohen kuadrot shqiptare, ndërsa sjellin kuadro nga qytete të tjera të Serbisë”, tha Lutfiu.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar theksoi se ky diskriminim është shndërruar në një problem të madh, duke prekur kufijtë e racizmit.

“Për këto arsye ne kemi realizuar 3 protesta kohëve të fundit, sepse diskriminimi i  Serbisë ndaj komunitetit shqiptar i ka prekur kufijtë e racizmit”, shtoi Lutfiu.

Lutfiu shprehet se Serbia shkel ligjet e veta kur është fjala për interesat e shqiptarëve.

Ai theksoi se Ligji për gjykatës ndalon diskriminimin dhe kërkon kujdes të veçantë për përbërjen kombëtare të popullsisë, duke siguruar përfshirjen e pakicave dhe përdorimin e terminologjisë profesionale në gjuhën e tyre.

 “Kur janë në pyetje interesat e shqiptareve Serbia shkel ligjet e veta. Gjatë propozimit për zgjedhjen e gjyqtarit dhe gjatë zgjedhjes së gjyqtarit është i ndaluar diskriminimi në çdo formë”, precizon Ligji për gjykatës, ku kërkohet të tregohet kujdes i veçantë në përbërjen kombëtare të popullsisë, përfshirjen e duhur të pakicave kombëtare dhe njohjen e terminologjisë profesionale juridike të gjuhës së pakicave kombëtare e cila është në përdorim zyrtar në atë Gjykatë”.

Lutfiu thotë se këto janë disa nga fushat që qytetarët e Luginës janë të diskriminuar, duke përmendur mos integrimin e shqiptarëve në institucione shtetërore.

“Pasivizimi i adresave, proces përmes së cilit Serbia po realizon spastrim etnik, mos integrimi i shqiptarëve në institucione shtetërore. E para po ulë numrin e shqiptarëve në Serbi e dyta po i detyron shqiptarët që si rezultat i mungesës së perspektivës të emigrojnë”, shprehet Lutfiu.

 

Mustafi: Emërimi i një serbeje nga Vranja në krye të Gjykatës në Preshevë përjashton komunitetin shqiptar nga vendimmarrja

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi në një deklaratë për FrontOnline ka kritikuar këtë vendim, duke e quajtur atë një dëshmi të politikave diskriminuese ndaj shqiptarëve. Sipas tij, ky emërim anashkalon dhe margjinalizon profesionistët shqiptarë, duke theksuar se në këtë Gjykatë janë vetëm 2 shqiptarë dhe 2 serbë, ndërsa kryetarja e re është nga Vranja. Kjo e bën situatën edhe më të pabarabartë, duke përforcuar përfaqësimin e ulët të shqiptarëve në pozita kyçe.

‘’ Në një komunë me mbi 94% shqiptarë është dëshmi e politikave të vazhdueshme diskriminuese ndaj shqiptarëve. Ky vendim, që anashkalon dhe margjinalizon profesionistët shqiptarë, është shembull flagrant i trajtimit të pabarabartë në sistemin gjyqësor. Gjendja në Gjykatën për Kundërvajtje në Preshevë është alarmante- nga 5 gjykatës, me pensionimin e njërit prej tyre këtë fund muaj, mbesin vetëm 2 shqiptarë dhe 2 serbë. Ndërkohë, kryetarja e re është nga komuniteti serb e madje edhe nga Vraja, duke përforcuar këtë balancë të pabarabartë’’, tha Mustafi për FrontOnline.

Mustafi ka kujtuar gjithashtu se reforma e gjyqësorit e vitit 2011, e cila shndërroi Gjykatën Themelore të Preshevës në një gjykatë më të largët në Vranjë, ishte një hap tjetër i margjinalizimit të shqiptarëve. Kjo reformë ka bërë që shqiptarët të kenë akses më të kufizuar në sistemin gjyqësor, duke i larguar ata nga vendimet e rëndësishme që ndikojnë në jetën e përditshme.

‘’Gjithashtu më lejoni të iu kujtoj se shuarja e Gjykatës Themelore në Preshevë me reformën e gjyqësorit më 2011 nën pretekstin “Drejtësia më afër qytetarit” ishte fillimi i margjinalizimit të shqiptarëve në gjyqësor sepse e largoj më se 40 km larg gjykatën themelore, përkatësisht në Vranjë nga vjen edhe zonja Kuzmanoviq’’, deklaroi Mustafi.

Në lidhje me emërimin e Kuzmanoviq, Mustafa ka theksuar se ky është një akt që përforcon politikat e diskriminimit dhe përjashtimit të shqiptarëve.

‘’Emërimi i një serbe nga Vranja në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë nuk është thjesht një vendim administrativ, por një akt që përforcon politikat e diskriminimit dhe përjashtimit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës’’, potencoi Mustafi.