“Diskriminimi po merr formë të qëllimshme”, thotë Mustafi pasi gjyqtarja serbe emërohet në krye të gjykatës në Preshevë
Ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, ka reaguar lidhur me vendimin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit në Serbi për emërimin e një gjyqtareje serbe në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë. Ai në Facebook shkruan se mospërfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore po vazhdon dhe sipas tij diskriminimi
Ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, ka reaguar lidhur me vendimin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit në Serbi për emërimin e një gjyqtareje serbe në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë.
Ai në Facebook shkruan se mospërfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore po vazhdon dhe sipas tij diskriminimi po merr formë të qëllimshme.
“Vendimi i fundit i Këshillit të Lartë të Gjyqësorit për të emëruar Aleksandra Kuzmanoviq si kryetare të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë, komunë me 94% të popullsisë shqiptare, është dëshmi e politikave të vazhdueshme diskriminuese ndaj shqiptarëve. Ky vendim, që anashkalon dhe margjinalizon profesionistët shqiptarë, është shembull flagrant i trajtimit të pabarabartë në sistemin gjyqësor”, shkruan ai
“Gjendja në Gjykatën për Kundërvajtje në Preshevë është alarmante: nga 5 gjykatës, me pensionimin e njërit prej tyre këtë fundmuaj, mbesin vetëm 2 shqiptarë dhe 2 serbë. Ndërkohë, kryetarja e re është nga komuniteti serb e madje edhe nga Vraja, duke përforcuar këtë balancë të pabarabartë. Në një institucion me 23 të punësuar, ku diku gjysma janë shqiptarë, por përfaqësimi në pozitat vendimmarrëse lë shumë për të dëshiruar”.
Mustafi mes tjerash thotë në postim se kjo situatë nuk është e rastësishme.
“Ajo reflekton qëndrimet e qëllimshme dhe institucionalizojnë frymëzimin politik dhe retorikat e urrejtjes. Zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin vazhdon të promovojë koncepte të tilla si “Srpski svet,” duke e paraqitur atë si “barrierë kundër Shqipërisë së Madhe.” Këto deklarata të mbushura me ksenofobi dhe përçarje janë justifikimi i vazhdueshëm për margjinalizimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.