Ish-zëvendësministri Bushi shpëtoi nga ndjekja penale, Prokuroria rrëzoi shpejt kallëzimin e Antikorrupsionit
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi, ka qenë objekt i një kallëzimi penal nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), pas dyshimeve për shkelje të legjislacionit zgjedhor dhe ligjit për konfliktin e interesit. Por, pavarësisht konstatimeve, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka vendosur të mos ndjekë penalisht rastin, shkruan Portalb.mk. “Prokuroria Publike Shkup […]


Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi, ka qenë objekt i një kallëzimi penal nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), pas dyshimeve për shkelje të legjislacionit zgjedhor dhe ligjit për konfliktin e interesit. Por, pavarësisht konstatimeve, Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka vendosur të mos ndjekë penalisht rastin, shkruan Portalb.mk.
“Prokuroria Publike Shkup e ka shqyrtuar iniciativën dhe më 10 tetor 2024 ka marrë aktvendim me të cilin ka hedhur poshtë kallëzimin penal, me arsyetimin se vepra e paraqitur nuk paraqet vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Antikorrupsionit për Portalb.mk.
Nga Antikorrupsioni shtojnë se ata konfirmuan si të bazuar ankesën drejtuar ish-zëvendësministrit Bushi dhe vendosi të inicojë procedurë në Prokurorinë Publike në pajtim me kompetencat e saj ligjore.
“Ju njoftojmë se në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionitme datë 28.06.2024 u formua lëndë me numër 12-1852/1 pas kallëzimit për shkelje të nenit 34 paragrafi 1 alineja 3 i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit, si dhe të nenit 8-a, paragrafi 1, alineja 3 dhe nenit 8-b të Kodit Zgjedhor, nga zëvendësministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, nëpërmjet miratimit të vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes miratimit të 204 vendimeve për vendosjen dhe ngritjen në detyrë të punonjësve në Ministrinë e Brendshme gjatë periudhës zgjedhore, të cilat kanë pasur edhe implikime financiare për buxhetin”, thuhet në përgjigje.
Nga Kpomisioni shtojnë tutje, se pas përfundimit të procedurës, në seancën e 8-të të mbajtur më 24.07.2024 dhe vazhdimin më 01.08.2024, KSHPK-ja miratoi Vendimin nr. 12-1852/3 me të cilin:
- Procedura ndërpritet,
- Konfirmohen pretendimet në ankesë,
- Konstatohet shkelje e nenit 34 paragrafi 1 pika 3 të Ligjit për Zgjedhjet dhe Kontestet dhe nenit 8-a paragrafi 1 pika 3 të Kodit Zgjedhor.
- KSHPK-ja vendosi të iniciojë procedurë pranë autoritetit kompetent në pajtim me kompetencat e saj ligjore.
Në bazë të kësaj, në Prokurorinë Themelore Publike Shkup është dorëzuar iniciativë për inicimin e procedurës penale kundër Nazim Bushit për veprën penale “Kryerja nga pakujdesia e detyrës zyrtare” nga neni 353-c paragrafi 1 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 45 – “vepër e zgjatur penale”.
“Prokuroria Publike Shkup e ka shqyrtuar iniciativën dhe më 10 tetor 2024 ka marrë aktvendim me të cilin ka hedhur poshtë kallëzimin penal, me arsyetimin se vepra e paraqitur nuk paraqet vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Antikorrupsionit për redaksinë e Portalbit.
KSHPK thekson se ka vepruar në përputhje të plotë me kompetencat ligjore, ka konfirmuar faktet dhe ka inicuar procedurat pranë organeve përkatëse. Megjithatë, me vendimin e Prokurorisë, çështja për momentin është mbyllur.
Ndryshe, vendimi i Prokurorisë për të mos e ndjekur rastin ngre pikëpyetje mbi kufijtë e përgjegjësisë institucionale dhe zbatimin e barabartë të ligjit për zyrtarët publikë.
Kujtojmë se Komisioni antikorrupsion atëkohë deklaroi se do ta denoncojë në organin kompetent ish-zëvendësministrin e Brendshëm Nazim Bushi pasi në vakum deri në votim të qeverisë së re, pra ministrit të ri të Brendshëm, ka firmosur 189 vendime për rishpërndarjen e punonjësve në Ministri, dhe periudha për zgjidhjet e reja konsiderohet si kohë zgjedhjesh.
Sipas KShPK-së, Bushi kishte shkelur Kodin Zgjedhor, për të cilin është penalisht përgjegjës.
Më datë 28.06.2024, Komisioni ka marrë ankesë nga një denoncues, i cili e ka raportuar Bushin se ka shkelur nenin 34 paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktin e Interesit dhe nenin 8 paragrafi 1 të Kodit Zgjedhor.
Nga ato 189 vendime që ai ka nënshkruar gjatë asaj periudhe, 98 ishin për vendosje horizontale të punonjësve në MPB dhe 68 për gradim, të cilat kanë implikime financiare në buxhetin e Ministrisë. Ai gjithashtu ka nënshkruar 23 vendime me të cilat ka ulur të njëjtin numër punonjësish në pagë më të ulët.