Dje ishte i pakapshëm, sot kryetari i Komunës së Koçanit dha dorëheqje të parevokueshme
Kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Komunës së Koçanit. Ai dje fillimisht ishte i pakapshëm, ndërsa në konferencë për media refuzonte të përgjigjej nëse do të japë dorëheqje nga pozita, raporton Portalb.mk. Postimin e tij në Facebook po e përcjellim më poshtë: “Të dashur […]


Kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Komunës së Koçanit. Ai dje fillimisht ishte i pakapshëm, ndërsa në konferencë për media refuzonte të përgjigjej nëse do të japë dorëheqje nga pozita, raporton Portalb.mk.
Postimin e tij në Facebook po e përcjellim më poshtë:
“Të dashur bashkëqytetarë,
Në këto momente më të vështira për vendin tonë dhe për mua personalisht, dua të njoftoj se po dorëzoj dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i kryetarit të Komunës së Koçanit.
Kjo humbje është e madhe!
Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndjejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. Unë i njihja shumicën prej tyre, i njihja familjet e tyre dhe disa prej tyre ishin miq të familjes.
Tronditja dhe thyerja e zemrës që ndjej do të zgjasë gjithë jetën time. Kjo tragjedi e la në errësirë Koçanin dhe Maqedoninë dhe boshllëku që mbeti është i pariparueshëm.
Kërkoj nga të gjitha institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve! Dështimi për të vepruar është gjithashtu përgjegjësi. Të gjitha detajet duhet të hetohen, të gjitha gabimet duhet të gjenden dhe të gjithë personat që kontribuan në këtë tragjedi duhet të mbajnë përgjegjësi. Unë vihem plotësisht në dispozicion të institucioneve. Edhe pse sipas ligjit nuk kam pasur autoritet të drejtpërdrejtë në këtë rast, jam i gatshëm t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve për gjithçka, si dhe për veprimet e mia personale.
Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen time! Por në këto momente, ne duhet të tregojmë virtyt, të shfaqim përgjegjësi të plotë dhe të tregojmë ndryshim në mënyrën se si veprojmë. Duhet të japim shembull me sjelljen tonë që kundërshtojmë një sistem që nuk funksionon. Nëse ka ndonjë bazë përgjegjësie nga ana ime, i bëj thirrje prokurorisë që ta hetojë dhe të veprojë sipas ligjeve.
Për mua, pas kësaj tragjedie, asgjë nuk ka më të njëjtin kuptim! Këta ishin fëmijët tanë! Shumë e kanë vënë re me të drejtë pse dje nuk dola në publik gjithë ditën. Por ata që më njohin e dinë se sa i thyer jam dhe si ndihem për atë që ndodhi. Është e vështirë, dhe vështirë do t’i mbijetoj. Unë kam punuar me ndershmëri dhe përkushtim gjithë jetën time! Asnjëherë nuk e kisha menduar se angazhimi im do të përfundonte kështu, por tani po tërhiqem nga kjo pozitë, duke iu lutur Zotit për shpirtrat e fëmijëve tanë, për familjet e tyre dhe për popullin e Maqedonisë!”.
Dje zjarri në diskotekën e Koçanit mori pas vete jetën e 59 të rinjve ndërsa la të plagosur mbi 150 të tjerë.
Zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan ka rënë në orët e para të mëngjesit të 16 marsit.
Arsyet e zjarrit janë përdorimi i mjeteve piroteknike të cilat u përdorën gjatë koncertit të grupit “DNK”, ku më pas ata kapluan tavanin dhe u shpërndanë në mënyrë të pakontrolluar.
Viktimat dhe të plagosurit janë të rinj nga mosha 16-24 vjeç, i vdekur mbeti edhe një polic, një futbollist i klubit të futbollit Shkupi, anëtarët e grupit “DNK” dhe të tjerë.
Shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e rrëmujës (stampedos) së krijuar nga paniku pas shpërthimit të zjarrit në diskotekë.
Të rinjtë që shpëtuan të cilët kanë lëndime më të rënda dhe që në numër janë rreth 140 po trajtohen nëpër institucionet shëndetësore në vend, kurse pacientët në gjendje më kritike po trajtohen në vende të rajonit dhe Evropës.