Draft-raporti për RMV-në iu prezantua komisionit të Parlamentit Evropian, kritikohet qëndrimi i vendit në rezolutat për Ukrainën
Draft-raportet për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën iu prezantuan më 18 mars anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET). Dokumentet theksojnë se shteti i së drejtës mbetet një çështje djegëse në këto vende dhe u bëjnë thirrje autoriteteve të krijojnë administratë publike më efikase. Duke paraqitur draft-raportin për Maqedoninë e […]


Draft-raportet për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën iu prezantuan më 18 mars anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET). Dokumentet theksojnë se shteti i së drejtës mbetet një çështje djegëse në këto vende dhe u bëjnë thirrje autoriteteve të krijojnë administratë publike më efikase. Duke paraqitur draft-raportin për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz (Të Gjelbërit/EFA), Raportuesi i PE për vendin, përmendi tragjedinë katastrofike në Koçan dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. Ai shtoi se dukej që “korrupsioni ka qenë i përfshirë”, raporton Portalb.mk.
Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian diskutoi raportin për Maqedoninë e Veriut të përgatitur nga Waitz, i cili merr parasysh dy raportet e fundit vjetore të Komisionit Evropian.
Në raportin e Parlamentit Evropian përmenden vendimet që duhet të merren nga parlamenti dhe qeveria në Shkup lidhur me ndryshimet kushtetuese. Bëhet fjalë për përfshirjen e disa pakicave në kushtetutë, deklaroi Waitz. Kjo është një kërkesë që Shkupi duhet ta përmbushë dhe është pjesë e kushteve për anëtarësim në BE, shpjegoi ai.
Waitz tha se negociatat e pranimit do të fillojnë sapo të miratohen ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, po merret parasysh mbështetja në rritje e publikut në Republikën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.
Waitz nënvizoi se ndryshimet kushtetuese ishin parakushtet kryesore për “zhbllokimin” e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.TOMAS
“Fillimi aktual i bisedimeve të anëtarësimit do të bëhet sapo të bëhen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë në tryezë dhe nënkuptojnë përfshirjen e disa pakicave etnike në Kushtetutë”, tha Thomas Waitz.
Waitz shtoi se sfidat e tjera lidhen me reformat e shtetit ligjor, ngritjen e administratës publike të bazuar në merita dhe forcimin e mëtejshëm të medias.
Çfarë përmban draft-raporti?
Parlamenti Evropian monitoron nga afër zhvillimin politik dhe socio-ekonomik në vendet në zgjerim dhe raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian zakonisht paraqet raportin e tij pas paketës së zgjerimit të Komisionit.
Si raportues i përhershëm i sapoemëruar për Maqedoninë e Veriut, Waitz ka paraqitur raportin tij të parë në përgjigje të raporteve 2023 dhe 2024 të Komisionit për vendin. Ai kërkon që Maqedonisë së veriut t’i ofrohen garancitë e nevojshme, që pas ndryshimeve kushtetuese të fillojnë negociatat.
“Me këtë raport, synoj të jap një vlerësim të balancuar të kontekstit kompleks politik të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që u bëj thirrje palëve të interesuara politike që të avancojnë reformat, të respektojnë marrëveshjet e kaluara dhe u bëj thirrje institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare të parandalojnë bllokadat e ardhshme dypalëshe dhe t’i ofrojnë vendit garancitë e nevojshme dhe mbështetjen e përshtatur”, thotë Waitz.
Raporti thekson se vendi ka ndërmarrë reforma mbresëlënëse dhe të vështira – duke përfshirë ndryshimin historik të emrit – megjithatë procesi i tij i pranimit është penguar për një kohë shumë të gjatë për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
“Në vitin 2022, për të kapërcyer veton e Bullgarisë në bisedimet e pranimit, BE përfshiu kërkesat e Bullgarisë në konkluzionet e Këshillit në lidhje me pranimin e Maqedonisë së Veriut, me BE-në që vepron si garantues i zbatimit të tyre. Megjithatë, i ashtuquajturi propozim francez vendosi një precedent shqetësues duke lejuar përdorimin e procesit qasës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kulturore dhe historike. Ndërsa kjo marrëveshje përfundimisht çoi në heqjen e vetos, Konferencën e parë Ndërqeveritare (IGC) më 19 korrik 2022 dhe fillimin e skrinigut, ajo gjithashtu kërkoi që Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën e saj për të përfshirë pakicën bullgare. Seancat e skrinigut për të gjashtë grupet u përfunduan deri më 7 dhjetor 2023 dhe vendi do të mund të kalojë në fazën tjetër të negociatave pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese”, thuhet në raport.
Raportuesi i PE-së për MAqedoninë e Veriut, në raport shton se vitet e pengesave dhe premtimeve të paplotësuara kanë çuar në mënyrë të kuptueshme në frustrim, zhgënjim dhe një rënie të vazhdueshme të mbështetjes publike për integrimin në BE në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, mes këtyre kohërave të ndryshimeve të mëdha në rendin botëror ndërkombëtar siç e njeh Evropa, Weitz shton se ka një ndjenjë të rinovuar urgjence dhe një mundësi të rëndësishme për të çuar përpara procesin e anëtarësimit.
“Të gjithë aktorët politikë, veçanërisht deputetët e koalicionit qeverisës dhe qeverisë, duhet ta shfrytëzojnë këtë moment dhe të angazhohen në dialog konstruktiv për të arritur konsensus për amendamentet kushtetuese të lartpërmendura. BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj duhet ta mbështesin plotësisht këtë përpjekje, duke përfshirë sigurimin se ndryshimet kushtetuese nuk do të çojnë në kërkesa të mëtejshme dypalëshe”, thuhet në raport.
Raportuesi vlerëson se Maqedonia e Veriut ka hartuar një agjendë të shkëlqyer dhe ambicioze reformash – “ndoshta një nga më të mirat në rajon”. Zbatimi rigoroz i saj, shton ai, do ta kthente vendin në rrugën e duhur, veçanërisht në fusha kyçe si lufta kundër korrupsionit, sigurimi i pavarësisë së gjyqësorit, reformimi i administratës publike dhe përmirësimi i situatës së lirisë së medias.
Në raport, Waitz, kritikon vendin për abstenimin në rezolutën e fundit të BE-së për Ukrainën dhe bashkë-sponsorizimin e rezolutës së SHBA-së, për çka shton se kjo ka ngritur shqetësime në mesin e mbështetësve të rrugës eurointegruese të Maqedonisë së Veriut.
“Megjithatë, disa zhvillime të fundit, duke përfshirë vendimin e vendit për të abstenuar nga rezoluta më e fundit evropiane për Ukrainën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërsa bashkë-sponsorizoi rezolutën e SHBA-së në shkurt 2025, kanë ngritur shqetësime në mesin e mbështetësve të BE-së të Maqedonisë së Veriut për trajektoren e saj afatgjatë. Sinqerisht shpresoj që të gjitha palët – autoritetet e Maqedonisë së Veriut, institucionet e BE-së dhe vendet fqinje – ta kuptojnë urgjencën e momentit dhe të veprojnë me vendosmëri për të ecur përpara. Sa i përket përgjegjësisë së kësaj Shtëpie (Parlamentit), unë jam i përkushtuar për ndërtimin e një aleance të qëndrueshme, konstruktive, pro-evropiane, pro-demokratike dhe pro-zgjerimit në mbështetje të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Shpresoj të siguroj mbështetjen e çdo deputeti që ndan këtë qëllim”, thotë Waitz në raport.
Eurodeputeti austriak Thomas Waitz zëvendësoi eurodeputetin bullgar Ilhan Kyuchyuk, i cili e mbajti këtë post për gati pesë vjet, si raportues i Parlamentit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe, SHBA-ja dorëzoi një projekt-rezolutë në OKB që përdor gjuhë më pak kritike për pushtimin e gjithanshëm të Rusisë në Ukrainë sesa projekt-rezoluta e propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Ukraina. Bashkë-sponsorizues të rezolutës amerikane ishin Gjeorgjia, Hungaria, Izraeli dhe Maqedonia.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.