Që të mos “rrihen” për tragjedinë e Koçanit, do t’i heshtin pyetjet e deputetëve, Kuvendi dy javë në pauzë
Pyetjet e dyfishta të deputetëve e shtynë edhe një javë punën e Kuvendit, pasi kryeparlamentari Afrim Gashi, nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve parlamentare u pajtuan që më mirë të mos punohet se sa të ngrihen më tej tensioni dhe të ulet rejtingu i Kuvendit pas tragjedisë së Koçanit ku humbën jetën 59 të rinj në […]


Pyetjet e dyfishta të deputetëve e shtynë edhe një javë punën e Kuvendit, pasi kryeparlamentari Afrim Gashi, nënkryetarët dhe koordinatorët e grupeve parlamentare u pajtuan që më mirë të mos punohet se sa të ngrihen më tej tensioni dhe të ulet rejtingu i Kuvendit pas tragjedisë së Koçanit ku humbën jetën 59 të rinj në diskotekën Pulse. Kuvendi ndërpreu punën javën e kaluar kur u shpallën shtatë ditë zie. Sipas marrëveshjes, deputetët do të paraqiten në punë javën e ardhshme, shkruan Sloboden Peçat.
Sipas brifingjeve nga Kuvendi, gjatë koordinimit, kryetari, nënkryetarët dhe shefat e grupeve parlamentare nuk janë marrë vesh se sa para do të ndahen për familjet e viktimave në Koçan dhe kanë vendosur që secili të dhurojë në llogarinë e Kryqit të Kuq sipas dëshirës dhe të mos bëjë bujë për këtë në publik.
Gashi në koordinim, sipas njoftimeve, ka ngritur pyetjen se si do të punojnë këtë javë pasi kanë kaluar ditët e zisë, pas së cilës qeveria ka propozuar që të mos mbahet seanca për pyetjet e deputetëve të opozitës, e cila është dashur të mbahet javën e kaluar. Të enjten është edhe seanca e rregullt për pyetje të deputetëve. Për këtë ka reaguar e Majta duke thënë se Kuvendi duhet të punojë dhe nëse nuk ka seanca për pyetje deputetësh, atëherë nuk duhet të ketë seanca as për ligje. Pas kësaj, VMRO-DPMNE, VLEN, ZNAM, LSDM dhe E Majta janë pajtuar që edhe këtë javë ta lënë Parlamentin në pauzë. Në koordinim nuk ishte i pranishëm vetëm shefi i grupit parlamentar të Frontit Evropian.
Argumentet e qeverisë që Kuvendi të mos punojë më këtë javë ishin se pyetjet e deputetëve vetëm sa mund ta nxehin edhe më shumë atmosferën, të cilën sipas tyre tashmë disa parti po e keqpërdorin dhe kjo është ajo që na duhet më së paku për momentin. Për të mos i lënë hapësirë asnjë abuzimi të tragjedisë nga Koçani dhe për të mbrojtur familjet dhe të afërmit e viktimave. Se pyetjet e deputetëve shumë lehtë mund të “dalin jashtë kontrollit”, akuzat dhe sherret mes deputetëve, situatat e ngarkuara dhe një atmosferë e elektrizuar, të cilën Parlamenti e ka dëshmuar në të kaluarën. Nuk ndihmuan as premtimet e përfaqësuesit të së Majtës, se pyetjet parlamentare nuk do të keqpërdoreshin, se do të kulturoheshin, nuk do të kishte fjalë fyese… Argumentet e qeverisë ishin që të mos lejonte më deputetët, pra Parlamenti, të ishin fajtori më i madh për gjithçka. Opozita e LSDM-së u pajtua me qeverinë.
Nga Fronti Evropian, nga ana tjetër, sikurse edhe Levica, mendojnë se parlamenti duhet të vazhdojë punën këtë javë dhe të zhvillohen dy seancat për çështjet parlamentare. Sipas Frontit Evropian, ditët e zisë kanë kaluar dhe Kuvendi, por edhe institucionet e tjera, duhet të kontribuojnë në zbardhjen e tragjedisë së madhe. Por, koordinatori i Frontit Evropian nuk ka qenë në takimin e Gashit për ta thënë këtë, dhe nga Levica thonë se nuk kanë marrë mbështetje që Kuvendi të punojë dhe e vetmja gjë për të cilën kanë luftuar është që të mos ketë seanca as për ligje. Në mbledhjen koordinuese u ra dakord që javën e ardhshme, në seancën e Kuvendit të mërkurën, të ketë pyetje të deputetëve të opozitës, ndërsa pyetjet e rregullta të deputetëve do të presin javën e fundit të prillit.
Kuvendi njoftoi zyrtarisht se po anulon të gjitha aktivitetet këtë javë.
“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut i anulon të gjitha aktivitetet e planifikuara për këtë javë pune, duke përfshirë edhe konferencën për media për shkak të tragjedisë në Koçan”, njoftoi shërbimi për shtyp i Kuvendit.
Vendimi është marrë në koordinimin e mbajtur në Kuvend ku morën pjesë kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, nënkryetarja Vesna Bendevska dhe koordinatorët e VMRO-DPMNE, LSDM, VLEN, ZNAM dhe Levica, si dhe përfaqësues nga Qeveria dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.
“Të pranishmit në mënyrë konsensuale u pajtuan që, duke marrë parasysh ndjenjat e të gjithë qytetarëve pas tragjedisë në Koçan, duke shprehur respektin për të gjithë të vdekurit dhe duke shpresuar që të lënduarit t’u kthehet shëndeti i mirë sa më shpejt, Kuvendi duhet të anulojë të gjitha aktivitetet e planifikuara për këtë javë pune, përfshirë edhe konferencën për media”, thuhet në komunikatë.
Deputetët edhe pse janë përfaqësues të popullit nuk iu drejtuan publikisht me mbështetje dhe ngushëllim familjarëve të viktimave, përveçse përmes rrjeteve sociale.
Deputetët nuk janë pajtuar si kolektiv se sa para të dhurohen për familjet e të vdekurve dhe për ata që janë lënduar në diskotekën e Koçanit. Ka pasur sugjerime që çdo deputete t’i ndajë një rrogë, një mëditje, por përfundimi ishte se sado që të dhurohet nuk mjafton dhe prandaj deputetët duhet të vendosin vetë se sa para do të paguajnë në llogarinë e Kryqit të Kuq. Deputetët ranë dakord që të mos informojnë se sa para kanë dhuruar, gjegjësisht nga ky akt njerëzor të mos bëjnë publicitet. Megjithatë, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit “Maqedonia juaj” këtë fundjavë përmes Facebook-ut kanë njoftuar se kanë dhuruar para.
“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE dhe koalicioni Maqedonia juaj tregon mbështetjen e pa rezervë për bashkëqytetarët tanë në momentet më të vështira. Të gjithë deputetët dhuruan para për Fondin e Solidaritetit të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë, për t’i ndihmuar qytetarët e dëmtuar nga zjarri i Koçanit. Ky donacion është shprehje e përkushtimit tonë ndaj popullit dhe besimit se vetëm së bashku mund t’i kapërcejmë sfidat. Ftojmë të gjithë ata që kanë mundësi të bashkohen në frymën e humanizmit dhe solidaritetit”, njoftuan nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.
Kujtojmë se në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.