Dy dekada pritje: Studentët e Likovës kërkojnë transport publik, por janë të padukshëm për autoritetet

Banorët e Komunës së Likovës për mbi dy dekada kërkojnë transport publik, pavarësisht nevojës së madhe autoritetet nuk e kanë parë të arsyeshme që t’ua realizojnë këtë kërkesë. Mungesën e transportit publik më së shumti e vuajnë studentët të cilët për çdo ditë përballen me vështirësi gjatë lëvizjes dhe humbje të kohës. Komuna e Likovës […]

Jan 31, 2025 - 09:00
 0  4
Dy dekada pritje: Studentët e Likovës kërkojnë transport publik, por janë të padukshëm për autoritetet
Studentët: Fatjona Sulejmani, Besim Nuhiji, dhe Sebehate Ameti nga Komuna e Likovës. Foto nga Portalb.mk/Ilustrim në Canva.

Banorët e Komunës së Likovës për mbi dy dekada kërkojnë transport publik, pavarësisht nevojës së madhe autoritetet nuk e kanë parë të arsyeshme që t’ua realizojnë këtë kërkesë. Mungesën e transportit publik më së shumti e vuajnë studentët të cilët për çdo ditë përballen me vështirësi gjatë lëvizjes dhe humbje të kohës. Komuna e Likovës qëndron në heshtje për këtë problem, shkruan Portalb.mk.

Për rreth 27 mijë banorët e Komunës së Likovës mungesa e transportit publik është problem i përditshëm.

Për të udhëtuar për në Kumanovë ku edhe marrin shumicën e shërbimeve ata duhet të udhëtojnë me furgonë ose taksi, të cilët sipas tyre nuk janë zgjidhja më e mirë e mundshme, sepse udhëtimi me taksi ka edhe koston më të lartë. 

Për këtë problem më së shumti ankohen studentët. Ata për Portalb.mk shprehën vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë. 

Studentja Sebahate Ameti nga fshati Hotël e cila për të udhëtuar deri në universitet në Shkup thotë se i humbet tre orë për shkak të transportit. 

“Një ndër problemet më kryesore në Komunën e Likovës është mungesa e transportit publik, gjë e cila neve si studentë na pengon shumë. Kjo situatë na krijon sfida të mëdha që përballemi çdo ditë për të udhëtuar në Kumanovës pastaj duke vazhduar udhëtimin deri në Shkup. Pra kjo që na merr kohë gati tre orë. I bëjmë thirrje Komunës së Likovës që të ndërmarrin masa të na sigurojnë linja direkte të transportit publik veçanërisht për studentët”, tha Ameti. 

Transport Publik në Likovë nuk ka për mbi dy dekada. Kështu thotë studenti nga fshati Likovë. 

“Për shkak se të gjithë punët obligative i kryejmë në Kumanovë për të cilën nuk kemi transport efikas ose publik të siguruar nga Komuna e Likovës për në Kumanovë, gjë që na detyron neve studentëve, gjithashtu dhe banorëve të Komunës së Likovës të udhëtojmë deri në Kumanovë me taksi, të cilët nuk janë shumë të saktë dhe ka vonesa të shumta. Kërkojmë nga Komuna e Likovës që ta përmbushin këtë kërkesë e cila nuk është plotësuar që dy dekada”, tha Nuhiji. 

Ndërsa studentja Fatjona Sulejmani nga fshati Hotël thotë se mungesën e transportit publik më së shumti e ndjejnë ata si studentë. 

“Gjithashtu, ne për taksi nuk është puna se vetëm paguajmë shtrenjtë mirëpo aty d.m.th ka pritje të shumta të cilët një student mund të pres deri në dy orë sepse nuk niset d.m.th se taksi nuk niset vetëm me një person, dhe për këtë arsye i ka edhe problematikat e veta d.m.th mungesa të shumta të taksive, ka ditë që nuk mund të gjesh asnjë, ka ditë të cilët mungojnë, dhe që nuk vjen askush dhe për këtë arsye kërkojmë zgjidhje për këtë”, tha Sulejmani. 

Studentët u bënë thirrje autoriteteve që të dëgjojnë kërkesat e tyre për të lëshuar në funksion linja të transportit publik në Komunën e Likovës. 

Komuna e Kumanovës thotë se organizimi i transportit komunal varret nga Komuna e Likovës. 

“Transporti me orar ndër komunal mund të realizohet vetëm nëse Komuna e Likovës ka transport të organizuar të rregullt komunal. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve jep miratimin për transportin ndër komunal. Komuna e Likovës deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet”, thanë nga Komuna e Kumanovës. 

Por nga Komuna e Likovës nuk përgjigjën me ditë të tëra në pyetjet gazetareske të Portalb.mk për këtë problem. 

Premtime por jo realizim për transportin publik 

Të rinjtë e Kumanovës kërkuan transport publik dhe zgjidhje edhe në vitin 2020, kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi përmes Alsat aso kohe kërkoi përkrahjen e pushtetit qendror për t’i kthyer në funksion linjat ndër-urbane. Po atëherë, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve pati deklaruar se ekziston projekt për të cilin është duke u punuar dhe pas përfundimit të tij do të konsultohet edhe me autoritetet lokale për ta vënë në funksion transportin publik.

Dy vite më vonë, në vitin 2022, kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski për Portalb.mk tha se edhe pse nuk është nën kompetencat e tyre, shprehi interes për bashkëpunim me Komunën e Likovës për futjen e linjave ndërkomunale të transportit me komunat tjera. Kreu i Likovës, Erkan Arifi aso kohe tha se transportin publik e kanë ngritur si çështje dhe se bëheshin analiza.

Ndërsa vitin 2023, kryetari i Likovës Erkan Arifi për gazetën Koha ka deklaruar se janë në fazën e përgatitjes dhe analizës sa i përket organizimit të transportit publik, megjithatë se duhej edhe leja nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Madje ai kishte thënë se mendojnë të lëshojnë në përdorim linjat Likovë-Kumanovë, Mateç-Likovë-Kumanovë si dhe Ropalcë-Nakushtak-Kumanovë, Llojan-Vaksincë-Kumanovë dhe Sllupçan.

Por pavarësisht premtimeve, qytetarët ende nuk kanë transport publik.