Dy persona në Shkup janë arrestuar për ndezje të fishekzjarrëve në ditë zie, qytetarët në rrjetet sociale e cilësojnë si provokim

Dje rreth orës 21:25 në SPB Shkup është raportuar se në parkun e qytetit në Shkup ka fishekzjarre dhe nuk respektohet vendimi i Qeverisë për shtatë ditë zie. Për këtë në rrjetet sociale kishte komente të lloj-llojshme, me gjuhë të urrejtjes, pasi disa pretendonin se një akti i tillë është kryer nga persona të etnitetit […]

Mars 20, 2025 - 14:00
 0  3
Dy persona në Shkup janë arrestuar për ndezje të fishekzjarrëve në ditë zie, qytetarët në rrjetet sociale e cilësojnë si provokim
Foto printscreen

Dje rreth orës 21:25 në SPB Shkup është raportuar se në parkun e qytetit në Shkup ka fishekzjarre dhe nuk respektohet vendimi i Qeverisë për shtatë ditë zie. Për këtë në rrjetet sociale kishte komente të lloj-llojshme, me gjuhë të urrejtjes, pasi disa pretendonin se një akti i tillë është kryer nga persona të etnitetit shqiptar, kishte edhe komente të tilla që e konsideronin si provokim, disa si kurdisje për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga përgjegjësia e rastit tragjik në Koçan, raporton Portalb.mk.

Menjëherë kanë vepruar punonjësit policorë të SPB Shkup dhe është konstatuar se në një objekt hotelierik në parkun e qytetit është organizuar një festë ditëlinjeje ku 18-vjeçarët M.F. dhe M.F., të dy nga Shkupi, kanë ndezur fishekzjarrët.

Ata janë arrestuar dhe janë ndaluar në Stacion policor në lidhje me nenin 387 të Kodit Penal dhe pas dokumentimit të rastit do të bëhet kallëzim përkatës.

“Më 19 mars 2025, rreth orës 21:25, SPB-Shkup ka marrë njoftim se në parkun e qytetit në Shkup ka fishekzjarrë dhe se nuk respektohet vendimi i Qeverisë për shtatë ditë zie. Menjëherë nga ana e zyrtarëve policorë të SPB-Shkup është konstatuar se në një objekt hoteliere në parkun e qytetit është organizuar një festë e ditëlindjes, ku M.F. (18) dhe M.F. (18), të dy nga Shkupi, kanë ndezur fishekzjarrët. Ata janë privuar nga liria dhe janë ndaluar në Stacion të Policisë lidhje me nenin 387 të Kodit Penal dhe pas dokumentimit të rastit do të bëhet kallëzimi përkatës”, thonë nga MPB.

Mediat mbrëmë raportuan se dy personat që pas mesnate, kanë ndezur fishekzjarre kanë qenë në rrugën kryesore në Butel, afër objektit të Komunës, ndërsa më pas janë larguar me një motoçikletë. Për këtë është publikuar edhe video e momentit të aktit.

Shqiptarët e kësaj lagje të Shkupit, raportojnë mediat, dyshojnë se personat në fjalë janë të etnisë maqedonase dhe ndezjen e fishekzjarrëve e kanë bërë me qëllim që, faji t’u mbetet shqiptarëve dhe me këtë, të krijohet përshtypja në opinion se jo të gjithë shprehin dhimbje për tragjedinë e Koçanit.

“Vet fakti se kishin kapele në kokë dhe ndodhi pikërisht afër objektit të komunës dhe në rrugën kryesore, pa patur frikë nga policia, tregon se dikush dëshiron probleme ndëretnike dhe të na paraqesin se ne nuk kemi dhimbje për tragjedinë! Janë monstra që kërkojnë shpërqendrim të vëmendjes nga një rast tragjik në problem etnik”, thonë, gjithmonë sipas mediave, banorët shqiptarë të Butelit, ndërsa kërkuan nga policia kapjen e shpejtë të dy personave të maskuar.

Qytetarët në rrjetet sociale nga ana tjetër, disa shpreheshin me gjuhë të urrejtjes, se kjo është e inskenuar nga persona të nacionalitetit shqiptar, disa e konsideronin si provokim për të nxitur përçarje ndëretnike, disa edhe si kurdisje për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga përgjegjësia e rastit tragjik në Koçan.

Kujtojmë se prej katër ditësh vendi ndodhet në ditë zie. Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli shtatë ditë zie për shkak të tragjedisë së zjarrit në Koçan, në të cilën humbën jetën të paktën 59 persona, ndërsa mbi 196 janë të lënduar, nga të cilët 22 janë në gjendje kritike.

Gjatë këtyre ditëve nuk mbahen manifestime dhe ngjarje kulturore. Flamujt në të gjitha institucionet do të jenë në gjysmë shtize, ndërsa televizionet, radiot dhe gjithë që emetojnë program publik do të duhet të përshtatin programin, në mënyrë që muzika të jetë e zhanreve të përshtatshme për ditët e zisë. Në radio transmetohet vetëm muzikë serioze.

Ndalohen emisionet humoristike.

Transmetimi i programeve argëtuese, emisioneve humoristike ose programeve të luajtura nga zhanri i komedisë do të shtyhet për ditë të tjera, kur të përfundojnë ditët e zisë.

Anulohen edhe të gjitha shfaqjet teatrore, projeksionet kinematorgrafike, koncertet, ndërsa janë anuluar edhe të gjitha ngjarjet sportive vendase. Ndalohen të gjitha ngjarjet në vende publike.

Ndalohen të gjitha manifestimet dhe ngjarjet kulturore në pjesët e zisë.