Aksion në Tetovë dhe Gostivar: MPB ka kontrolluar 16 objekte hotelierike, dy prej tyre janë mbyllur

Më datë 19.03.2025, nga ora 10.00 deri në orën 15.00, zyrtarët policorë të SPB Tetovë dhe DPB Gostivar, në bashkëpunim me përfaqësues nga Drejtoria e Policisë Financiare, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, kanë kryer aksione dhe kanë ndërmarrë masa dhe aktivitete të koordinuara që kanë për qëllim shtypjen e aktiviteteve […]

Mars 20, 2025 - 14:00
 0  3
Aksion në Tetovë dhe Gostivar: MPB ka kontrolluar 16 objekte hotelierike, dy prej tyre janë mbyllur
Policia e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Më datë 19.03.2025, nga ora 10.00 deri në orën 15.00, zyrtarët policorë të SPB Tetovë dhe DPB Gostivar, në bashkëpunim me përfaqësues nga Drejtoria e Policisë Financiare, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, kanë kryer aksione dhe kanë ndërmarrë masa dhe aktivitete të koordinuara që kanë për qëllim shtypjen e aktiviteteve kriminale të paligjshme që kryhen në objektet hotelierike në zonën e Tetovës dhe Gostivarit, transmeton Portalb.mk.

“Synimi prioritar i aksioni është frenimi i tregtisë së paligjshme të drogës, ndërmjetësimit në prostitucion, pastrimit të parave, krimeve korruptive nga zyrtarë të punësuar në institucionet shtetërore që lidhen me veprimtarinë e paligjshme të subjekteve që kryejnë veprimtari hotelierike dhe veprimtari të tjera të paligjshme. Janë bërë kontrolle në 16 objekte hotelierike (TE-10 dhe GV-6), ku janë konstatuar një sërë parregullsish dhe do të përgatiten parashtresa përkatëse nga IShT dhe DMSh, ndërsa dy objekte hoteliere në Tetovë janë mbyllur nga ISHT”, thuhet në njofitmin e MPB-së.

Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva dje njoftoi se janë mbyllur edhe tri diskoteka pasi nuk plotësojnë kushtet e nevojshme teknike për t’u pajisur me licencë.

Kujtojmë se kontrollet e MPB-së vijnë disa ditë pas tragjedisë në Koçan ku në një klub nate u dogjën 59 persona. Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga përdorimi i mjeteve pirotenike. Pamjet tregojnë momentin kur flakët mbulojnë çatinë. Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe prokurori publik Ljupço Kocevski në deklaratat e tyre zyrtare përmendën përdorimin e lëndëve piroteknike në objekt si një nga fokuset e hetimeve që do të vijojnë.

Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.