“Euractiv”: Sofja porositi Shkupin të qëndrojë në angazhimin e tij ndaj ndryshimeve kushtetuese
Qeveria e re bullgare ka njoftuar se refuzon të negociojë me Maqedoninë e Veriut për të liruar kushtet në të cilat Shkupi mund të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, raporton portali “Euractive” me seli në Bruksel, transmeton Portalb.mk. “Tre vjet më parë, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut arritën një marrëveshje, të ndërmjetësuar nga Franca, […]
![“Euractiv”: Sofja porositi Shkupin të qëndrojë në angazhimin e tij ndaj ndryshimeve kushtetuese](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2023/12/51827914781_203a65db89_c.webp?fit=799%2C533&quality=80&ssl=1)
![Flamuri i Maqedonise dhe ai i Bullgarisë. Foto: Qeveria e RMV-së](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2023/12/51827914781_203a65db89_c.webp)
Qeveria e re bullgare ka njoftuar se refuzon të negociojë me Maqedoninë e Veriut për të liruar kushtet në të cilat Shkupi mund të fillojë negociatat për anëtarësim në BE, raporton portali “Euractive” me seli në Bruksel, transmeton Portalb.mk.
“Tre vjet më parë, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut arritën një marrëveshje, të ndërmjetësuar nga Franca, për lëshime reciproke për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor.
Qeveria në Shkup ka pranuar të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutën e saj dhe autoritetet në Sofje kanë premtuar heqjen e vetos për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut”, kujton teksti i publikuar sot.
Autori i shkrimit më tej thekson se vitin e kaluar ka ndodhur një ndryshim i qeverisë në Shkup dhe se qeveria e re e udhëhequr nga Hristijan Mickoski ka premtuar se “nuk do t’i bëjë lëshime Sofjes”.
“Euractive” përcjell deklaratën e Mickoskit se presin zgjedhjen e qeverisë së rregullt në Sofje për të filluar negociatat për heqjen e vetos bullgare, por thekson se sinjalet e para nga pala bullgare janë se nuk do të ketë rinovim të dialogut.
“Bullgaria rikujton se përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut nuk është çështje dypalëshe, por kusht i Brukselit ndaj Shkupit”, thekson portali.
Teksti citon gjithashtu një deklaratë të një ministri bullgar të paidentifikuar se Bullgaria mbetet “jashtëzakonisht konsistente” me politikën e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe integrimit evropian të të gjitha vendeve në rajon.
Ekziston një konsensus evropian, i njohur në Bullgari si “propozimi francez”, i cili do të respektohet me përpikëri.
Ajo që është arritur si marrëveshje nuk është problem dypalësh mes Sofjes dhe Shkupit, por është mes Brukselit dhe fqinjëve tanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, thotë ministri.
Nga ana tjetër, sipas “Euractive”, VMRO-DPMNE vazhdon të insistojë që amendamentet kushtetuese të miratohen që tani, por të hyjnë në fuqi pas hyrjes së Maqedonisë së Veriut në BE për të parandaluar rrezikun e vendosjes së vetos së re nga Bullgaria mbi baza të tjera dhe se kryeministri Mickoski tashmë ka kërkuar takime me përfaqësues të qeverisë bullgare.
“Në të kaluarën kemi pasur takime me lidershipin bullgar në nivelin më të lartë dhe me kryeministrin e përkohshëm të atëhershëm. Pres që në periudhën e ardhshme të ketë takime me qeverinë bullgare në nivele të ndryshme dhe kjo nuk duhet të na habisë. As ne do të zhdukemi, as ata nuk do të zhduken, ne do të jemi akoma fqinjë. Duhet të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, por kjo nuk do të thotë se pajtohemi për disa tema për të cilat kemi dallime, përcjell “Euractive” në deklaratën e kryeministrit Mickoski.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.