RMV, Metapneumovirusi do të përhapet edhe më shumë, por nuk ka nevojë për panik, thonë mjekët
Metapneumovirusi (HMPV) shkakton pneumoni virale, por nuk është i rrezikshëm, është në nivelin e gripit dhe për këtë arsye nuk ka vend për panik, thonë ekspertët e shëndetësisë. Në vendin tonë nuk mbahen evidenca specifike vetëm për rastet e metapneumovirusit, pikërisht sepse, siç sqaron Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), nuk ka rrezik që ai të […]
![RMV, Metapneumovirusi do të përhapet edhe më shumë, por nuk ka nevojë për panik, thonë mjekët](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2023/10/Foto-49.png?fit=960%2C540&quality=80&ssl=1)
![Grip, kollitje. Foto: Towfiqu në Canva](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2023/10/Foto-49.png)
Metapneumovirusi (HMPV) shkakton pneumoni virale, por nuk është i rrezikshëm, është në nivelin e gripit dhe për këtë arsye nuk ka vend për panik, thonë ekspertët e shëndetësisë. Në vendin tonë nuk mbahen evidenca specifike vetëm për rastet e metapneumovirusit, pikërisht sepse, siç sqaron Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), nuk ka rrezik që ai të shkaktojë komplikacione më të rënda shëndetësore, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Prof. Dr. Nikolla Panovski thotë se ky virus ekziston prej kohësh dhe se nuk është i rrezikshëm për të shkaktuar pasqyrë të rëndë klinike.
“Për disa arsye, ka ndodhur të ketë më shumë raste të HMPV në Kinë, por nga të gjitha viruset, përveç Covid-it dhe gripit, është gjetur edhe ky, i cili është virusi i dytë më i zakonshëm tek fëmijët nën 5 vjeç. Kjo nuk është asgjë e re, as diçka e rrallë, por përkundrazi, shpesh është e pranishme. Në vendin tonë gjatë gjithë sezonit janë shënuar 9 raste dhe këta janë vetëm ata që janë testuar. Ndoshta ka pasur edhe 900”, tha Panovski.
Virusi, siç shpjegon ai, sulmon më shumë fëmijët dhe te të rriturit mund të sjellë komplikime me sëmundjet e frymëmarrjes, veçanërisht te ata pacientë me SPOK dhe astmë, ku zhvillojnë pneumoni virale.
“Edhe pse konsiderohet si një virus që sulmon rrugët e sipërme të frymëmarrjes, tek fëmijët zbret në mushkëri dhe për këtë quhet “pneumoni”. Virusi është tashmë i përhapur. Është në nivelin e gripit, megjithëse edhe gripi, apo jo, mund të shkaktojë komplikime. Masat për mbrojtjen nga ky virus vlejnë si për çdo sëmundje tjetër – shmangni tubimet, mbani maska, sidomos në periudhën e ardhshme sepse ky virus mund të intensifikohet pikërisht në fund të dimrit dhe në fillim të pranverës”, shtoi Panovski.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Maja Andonovska, thotë për Meta.mk se nuk ka obligim ligjor që laboratorët në mbarë vendin të raportojnë rastet konkretisht për këtë virus, ashtu siç janë të obliguar të raportojnë rastet e gripit.
“Megjithatë, metapneumovirusi zbulohet në panelet virologjike, së bashku me viruse të tjera, si gripi A, B, viruset e frymëmarrjes, kështu që ne kemi të dhëna. Gjatë sezonit deri në maj të vitit të kaluar kemi pasur 9 raste me HMPV. Ato u zbuluan në ato panele virologjike. Mjeku juaj i kujdesit parësor mund t’ju thotë, për shembull, se keni një virus dhe të mos ju dërgojë të shihni se çfarë lloj virusi është. Nuk ka detyrim ligjor për regjistrimin e rasteve, pasi nuk ka rrezik që të shkaktojë komplikime më të rënda. Nuk ka terapi të veçantë për të”, tha Andonovska.
Epidemiologu Aleksandar Stojanov pajtohet se nuk ka rrezik për pasoja të rënda shëndetësore nga HMPV.
“Ky virus nuk është asgjë e re dhe nuk është asgjë e frikshme. Nuk kemi nevojë për panik. Nuk kemi shumë raste, por kjo është për shkak se njerëzit nuk janë testuar”, thotë Stojanov.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, njerëzit e infektuar me HMVP do të kenë simptoma të ngjashme me një ftohje ose grip: kollë, ethe, dhimbje të fytit, rrufë ose bllokim të hundës dhe dhimbje trupi. Mund të shkaktojë infeksion të mushkërive (pneumoni) ose inflamacion të rrugëve të frymëmarrjes në mushkëri (bronkiolit, bronkit). Simptomat e një sëmundjeje më të rëndë përfshijnë vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi, marramendje, lodhje të rëndë, dehidrim ose ethe të vazhdueshme që nuk përmirësohen.
Gjatë javës së pestë të vitit 2025, nga 27 janari deri më 2 shkurt, janë raportuar 3.036 raste të gripit për të sëmurët nga gripi dhe sëmundje të ngjashme. Janë evidentuar dy raste të vdekjes të asocura me grip. Në Resnjë, Kavadar, Kratovë, Shën Nikollë dhe në Strumicë ka aktivitet shumë të lartë të virusit të gripit. Në krahasim me periudhën e njëjtë të sezonit të kaluar, numri i rasteve të paraqitura është rritur për 0,8 për qind, ndërsa në krahasim me modelin e 14 sezoneve të fundit, regjistrohet rritje prej 11,9 për qind.
Kujtojmë se sipas autoriteteve, kulmi i të sëmurëve pritet në mesin e muajit shkurt. Fillimi i gjysmë-vjetorit të dytë për nxënësit dhe shoqërimi në ambiente të mbyllura për shkak të temperaturave të ulëta janë disa nga faktorët që mund të kontribuojnë në rritjen e numrit të të sëmurëve me grip.