Filipçe: Mickoski sillet si kryeministër, gjykatës dhe prokuror në të njëjtën kohë
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në tribunën qytetare në Dellçevë kritikoi ashpër pushtetin e VMRO-DPMNE-së për, siç tha, kolapsin e plotë të sistemit gjyqësor dhe zhgënjimin e pritjeve të qytetarëve. “Qytetarët e pritën me padurim drejtësinë e shumëpremtuar dhe shtetin ligjor të VMRO-DPMNE-së. Por në vend të drejtësisë, pamë drejtësi selektive, skandale me avancime të […]

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në tribunën qytetare në Dellçevë kritikoi ashpër pushtetin e VMRO-DPMNE-së për, siç tha, kolapsin e plotë të sistemit gjyqësor dhe zhgënjimin e pritjeve të qytetarëve.
“Qytetarët e pritën me padurim drejtësinë e shumëpremtuar dhe shtetin ligjor të VMRO-DPMNE-së. Por në vend të drejtësisë, pamë drejtësi selektive, skandale me avancime të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për reformat vetëm flitet – asnjë ligj nga agjenda reformuese nuk është miratuar. Sistemi gjyqësor është lënë në mëshirë të vetvetes,” deklaroi Filipçe.
Ai reagoi ashpër edhe ndaj qasjes politike të kryeministrit Hristijan Mickoski, për të cilin tha se po sillet si kryeministër, gjyqtar dhe prokuror në të njëjtën kohë.
“E dëgjoj Mickoskin si del në mitingje dhe flet për drejtësi dhe përgjegjësi. Dhe e dini çfarë është më e trishtueshmja? Të njëjtën gjë e dëgjuam edhe para zgjedhjeve – e njëjta retorikë, të njëjtat premtime. Pas zgjedhjeve lokale, tha se personalisht do të merret me prokurorinë dhe gjyqësorin. Pra, kryeministër, gjyqtar dhe prokuror – të gjitha në një. Ai emëron, shkarkon, vlerëson gjyqtarë dhe prokurorë, dhe në fund vendos nëse rroga e tyre është e merituar apo jo,” tha Filipçe në fjalën e tij në Dellçevë.
Ai shtoi se kjo situatë është vazhdimësi e politikave të VMRO-DPMNE-së, që për vite të tëra kanë abuzuar me gjyqësorin për interesa partiake.
“Kjo është pamja e gjyqësorit maqedonas sot. Me VMRO-DPMNE-në e dimë se si funksionon gjyqësori — nga ‘fletoret e vogla’, me drejtësi që ata vetë e shpërndajnë sipas interesit të tyre. Pas zgjedhjeve thonë se do të luftojnë krimin dhe do të pastrojnë gjithçka, por duket se pastrimi po u ecën shumë ngadalë,” përfundoi Filipçe.
