“Fokus” zbulon: Lojtarët e medias serbe hyjnë në hapësirën mediatike në Maqedoni
Biznesmenët e medias serbe, të afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po hyjnë në hapësirën mediatike në Maqedoni. Grupi “Alo Media Sistem DOO Beograd” po blen “Naša TV” dhe “Radio RFM”, të cilat janë në pronësi të Risto Gogovski...
Biznesmenët e medias serbe, të afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po hyjnë në hapësirën mediatike në Maqedoni. Grupi “Alo Media Sistem DOO Beograd” po blen “Naša TV” dhe “Radio RFM”, të cilat janë në pronësi të Risto Gogovskit, përmes entitetit ligjor të formuar lokalish “Alo Media Sistem DOOEL Shkup”. Kjo kompani është formuar me qëllimin e vetëm për të zbatuar transaksionet e blerjes për të dy mediat maqedonase.
Javën e ardhshme, Këshilli i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AVMU) do të duhet të vendosë për miratimin e ndryshimit të strukturës së pronësisë së “Naša TV”, e cila transmeton në nivel kombëtar përmes kabllit, si dhe për “Radio RFM”, programi i të cilit transmetohet në Shkup dhe rajonin e Shkupit. Sipas informacioneve të “Fokus”, tashmë ka nisur afati që Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës të vendosë nëse kjo shitblerje krijon një pozicion të mundshëm monopol. Pas kësaj, nuk ka pengesa që kontrata e shitblerjes të realizohet brenda një afati prej tre muajsh.
“Fokus” kontaktoi pronësinë e të dy mediave, Gogovskin, i cili konfirmoi se ka firmosur një letër synimi, por ende nuk deshi të zbulojë detaje nga kontrata e shitblerjes për “Naša TV” dhe “Radio RFM”. “Kemi të firmosur një letër synimi e cila duhet të shndërrohet në një kontratë për të cilën jemi ende duke zhvilluar negociata. Po pres vendimet nga të dy institucionet kompetente, AVMU dhe Komisioni Antimonopol, pas të cilave procesi mund të vazhdojë, për çka kemi një afat prej 90 ditësh. Për momentin nuk mund të zbuloj më shumë detaje, sepse kemi rënë dakord edhe për një klauzolë konfidencialiteti mes dy palëve,” u deklarua për “Fokus” Gogovski. Dhe në këtë mënyrë, la pa përgjigje pyetjen se sa është shuma e shitblerjes së mediave të tij.
Cili është Grupi Alo?
Mbi hyrjen e përmendur të Grupit Alo në Maqedoni shkruajnë edhe mediat serbe. Sipas publikimit të N1, kjo paraqet zgjerimin e parë të madh rajonal të këtij grupi mediatik serb jashtë kufijve të Serbisë. Për momentin, ai zotëron dy portale online në Mal të Zi. Në vendin e tij amë, ai njihet për botimin e gazetës ditore “Alo”, si dhe portalit “alo.rs”. Pronari i saj dominues është biznesmeni Sasha Blagojeviq, i cili më vonë e zgjeroi portofolin e tij mediatik duke blerë studion e Beogradit “Studio B”, si dhe 10 për qind të “Informer” – media që vlerësohen si mbështetëse të forta të politikave të pushtetit të udhëhequr nga Vuçiq dhe partia e tij SNS.
Sipas informacioneve, Blagojeviq vlerësohet si një biznesmen me ndikim të fortë në hapësirën mediatike serbe, i cili po zgjeron me shpejtësi pjesën e tij të pronësisë përmes disa prej kompanive të tij. Përveç “Alo” dhe “alo.rs”, ai ka themeluar portalin e biznesit “BizPortal” në Serbi dhe “Pogled” në Mal të Zi. Blerjet e tij të fundit mediatike në nivel rajonal dhe lokal në Serbi janë “TV Priboj”, “TV Lav Plus” dhe “Niš TV”. Ndërsa ka qenë i suksesshëm edhe në sektorin e marketingut, ku është shfaqur në rolin e bashkëpronarit të agjencisë “Trilenium”, por edhe të agjencisë së themeluar prej tij “Alo Marketing”.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.