Alarmi i rrejshëm i LDK ‘së, fotografitë e Rugoves nuk janë larguar – ato janë në Zyrën e Presidentes
Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi gjatë ditës, ndaj siç tha, largimit nga vendet e nderit në Presidencë të fotografisë së presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë, nga presidentja Justina Shiroka Pula. “Lidhja Demokratike e...


Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi gjatë ditës, ndaj siç tha, largimit nga vendet e nderit në Presidencë të fotografisë së presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë, nga presidentja Justina Shiroka Pula.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin nga vendet e nderit në Presidencë të fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë, të vendosura përkatësisht nga Presidentja Osmani dhe Presidenti Sejdiu. Presidenca është institucion shtetëror ku nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar ai. Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore. Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm”, u tha në reagimin e LDK-së.
Ndërkohë, Presidentja Justina Shiroka Pula, priti në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, ku nga ato pamje shihet se fotografia e presidentit Ibrahim Rugova ndodhet në ambientet e presidencës.
Presidentja Shiroka Pula shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës, si dhe në përpjekjet për forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare.
Ajo vlerësoi kontributin e Italisë në mbështetjen e zhvillimit dhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të partneritetit dhe të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.