Gabim në numrin e shasisë i parkoi gjashtë eko-autobusët e rinj në Shkup

Qytetarët do të mund të udhëtojnë me autobusët e rinj pasi të përfundojë procedura e regjistrimit dhe sigurimit kasko, raporton Meta, përcjell Portalb.mk. Gjashtë autobusët e rinj ekologjikë, donacion nga Bashkimi Evropian për Qytetin e Shkupit, edhe pothuajse një muaj pasi u promovuan dhe u prezantuan para publikut, para politikanëve dhe mediave të shumta, mbeten […]

dhjetor 21, 2024 - 08:00
 0  3
Gabim në numrin e shasisë i parkoi gjashtë eko-autobusët e rinj në Shkup
Dorëzimi i 6 autobusëve ekologjik për NTP-në nga BE. Foto: Qyteti i Shkupit

Qytetarët do të mund të udhëtojnë me autobusët e rinj pasi të përfundojë procedura e regjistrimit dhe sigurimit kasko, raporton Meta, përcjell Portalb.mk. Gjashtë autobusët e rinj ekologjikë, donacion nga Bashkimi Evropian për Qytetin e Shkupit, edhe pothuajse një muaj pasi u promovuan dhe u prezantuan para publikut, para politikanëve dhe mediave të shumta, mbeten të parkuar në depon e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik – Shkup (NQP). Sipas NQP-së për këtë situatë ka të paktën dy arsye. E para është se një nga autobusët është regjistruar me numër të gabuar të shasisë. Thuhet se gabimi është zbuluar pasi NQP i pranoi autobusët. Arsyeja e dytë e vonesës është llogaria e bllokuar e ndërmarrjes, gjë që e ka vonuar pagesën e sigurimit për autobusët e rinj.

“Llogaria jonë ishte e bllokuar për shkak të borxhit ndaj “Pucko Petrol” dhe për këtë arsye nuk kemi mundur ta paguajmë sigurimin për autobusët. Na duhej ta zhbllokonim. Përveç kësaj, duhej të përktheheshin disa dokumente nga gjuha turke për homologim. Tani jemi në pritje të përfundimit të procedurës të sigurimit kasko. Të martën në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit pika e shtatë e rendit të ditës duhet të jetë Vendimi për ndryshimin e Vendimit për bartjen e së drejtës së pronësisë së 6 autobusëve”, thonë nga kabineti i drejtorit. Nga atje shtojnë se në fakt është e nevojshme të miratohet Vendimi në të cilin është shënuar numri i saktë i shasisë së autobusit, sepse ai i tanishmi është i gabuar.

“Këtë e vumë re gjatë importit”, na sqaruan nga kabineti i drejtorit Dragi Kushovski.

Nga NQP thanë se sipas pritshmërive qytetarët do të mund të hipin në autobusët e rinj për rreth dhjetë ditë.

Përndryshe, promovimi i autobusëve të rinj të metanit u bë më 26 nëntor në selinë e NQP – Shkup, ku përveç ambasadorit evropian Mihalis Rokas morën pjesë edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, zëvendëskryeministri dhe ministër i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapsinor, Izet Mexhiti, dhe përfaqësuesja e UNOPS-it në vend, Mikela Telatin. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm me dhjetëra gazetarë dhe kameramanë.

Eko-autobusët e dhuruar janë prodhuar në Turqi. Për to ka një garanci dy vjeçare dhe përgjegjësit thonë se në vendin tonë ka një kompani që do të kryejë servisimin e tyre dhe do të sigurojë pjesë këmbimi në rast nevoje. Autobusët funksionojnë me metan dhe kanë një marsh automatik. Nga NQP thonë se shoferët e autobusëve nuk do të kenë nevojë për trajnime se si t’i përdorin ato.

Ky donacion pasoi menjëherë pas mosmarrëveshjes mes Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së, kur qyteti përjetoi kolaps të transportit publik. Për shkak të anulimit të tenderit për blerjen e naftës, të gjithë autobusët e NQP-së ndërprenë qarkullimin, gjë që shkaktoi një kaos në rrugët e Shkupit. Stacionet e autobusëve ishin të mbushur përplot me udhëtarë, rrugët ishin të bllokuara nga automjetet. Pas kësaj pasoi një vendim i Qeverisë që i mundësoi qytetit të Shkupit të përdorte naftë nga rezervat e shtetit. Një ditë më pas, qytetarët e Shuto Orizares protestuan para zyrave të Qytetit të Shkupit, për shkak se plot 730 ditë nuk kanë pasur kurrfarë transporti publik në komunën e tyre.