Pritje të gjata dhe kaos në Laboratorinë e Kumanovës, “infermierët punojnë edhe në sportel edhe në dhomat e dhënies së gjakut”
Pritjet për të bërë analizat në repartin laboratorik në Spitalin e Kumanovës shkojnë në mbi tre orë. Kjo shkakton revoltë çdo ditë te qytetarët, ata ankohen se nuk ka mjaftueshëm infermierë, siç thonë të njëjtit punojnë njëkohësisht edhe në sportel edhe në dhomat e marrjes së gjakut. Pavarësisht kësaj situate, Spitali i Kumanovës e mohon […]
Pritjet për të bërë analizat në repartin laboratorik në Spitalin e Kumanovës shkojnë në mbi tre orë. Kjo shkakton revoltë çdo ditë te qytetarët, ata ankohen se nuk ka mjaftueshëm infermierë, siç thonë të njëjtit punojnë njëkohësisht edhe në sportel edhe në dhomat e marrjes së gjakut. Pavarësisht kësaj situate, Spitali i Kumanovës e mohon këtë problem, por Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se janë të njoftuar me këtë problem dhe se kanë reaguar në Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, shkruan Portalb.mk.
Të mërkurën që lamë pas (18 dhjetor) gazetarja e Portalb.mk vizitoi Repartin e Laboratorisë në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, ku pritjet për të bërë analizat ishin të gjata.
Qytetarët të cilët takuam aty u ankuan nga pritjet e gjata, që nga dorëzimi i dokumenteve në sportel deri te pritjet në dhomat e dhënies së gjakut.
I gjithë ky kaos, siç thonë qytetarët vjen për shkak të mungesës së infermierëve.
Qytetarja A.A. na tha se njëra nga infermieret e cila punon në sportel, njëkohësisht edhe pranonte dokumentet dhe u merrte gjak në dhomën tjetër.
“Mungesa e stafit dhe më keq mungesa e profesionalizmit dhe sjelljes te stafi si çdo ditë edhe sot ishte në repartin laboratorik, në të cilën njëra nga infermieret që punonte në sportel njëkohësisht edhe pranonte pacientët dhe i shponte ata. Ne që ishim me dhjetëra njerëz dhe në mosha të ndryshme por posaçërisht shumica ishin në moshë më të shtyer u detyruam të presim me orë të tëra për të ardhur në radhë. Kjo pritje e cila shkaktonte pakënaqësi lodhje dhe stres te ne pacientet të cilët në fund përballeshin me nervozizmin e infermiereve”, tha A.A.
Pritjet e gjata shkaktuan stres, nervozizëm dhe vonesë për në punë edhe për qytetarin L.R.
“Kam pritur dy orë në Repartin Laboratorik, dhe pas pritjeve të gjata mezi më erdhi radha për të dorëzuar dokumentet dhe pasi mbarova punë këtu duhet të prisja edhe te dhoma e dhënies së gjakut, dhe aty njëra nga infermierët u nervozua dhe filloi të bërtasë pa arsye dhe kjo sjellja e infermiereve ishte në nivel shumë të dobët. Kjo gjë më shkaktoi stres, nervozizëm dhe vonesë për në punë dhe jo vetëm mua por të gjithë pacientëve të tjerë që ishim në radhë”, tha L.R.
Qytetarët apeluan dhe shpresojnë që do të merren masa që të zgjidhet ky problem, që siç thonë është bërë i përhershëm.
Pavarësisht kësaj situate në terren, nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës arsyetohen, ata thonë se ka numër të mjaftueshëm të punonjësve në Repartin Laboratorik.
“Janë 18 punonjës në laboratori të organizuar në një qendër pagesash, në dhoma të posaçme për marrjen e gjakut në kabina dhe laborantë të përfshirë në procesin e punës në laborator biokimik, të cilët punojnë me dy turne. Aktualisht, ka një numër të mjaftueshëm të punëtorëve në laboratori”, thanë nga Spitali i Kumanovës.
Pritjet e gjata gjatë periudhës së mëngjesit sipas spitalit nuk mund të shmangen për shkak se pacientët vijnë me rekomandime për analiza laboratorike nga kontrollet terminale në spital dhe nga 80 mjekë amë në territorin e Komunës së Kumanovës.
Kurse sa i përket punësimeve të reja të infermierëve nga spitali i Kumanovës theksuan se bisedimet janë në proces për fondet buxhetore dhe miratimi i programeve për punësime për vitin fiskal 2025, dhe se në muajin e ardhshëm do të kenë informacione më të detajuara për këtë çështje.
Megjithatë, për situatën në laboratori tani më është e njoftuar dhe Ministria e Shëndetësisë, ku siç thonë janë në pritje të veprimeve të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.
“Për këtë rast, Ministria tashmë ka reaguar në Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, i cili është përgjegjës për kryerjen e inspektimeve dhe veprimin e raporteve të tilla. Do të ndjekim përgjigjen dhe veprimet që do të ndërmerren nga Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe do të informojmë më tej për hapat dhe zgjidhjet që do të merren”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ndryshe, në Spitalin e Kumanovës ka edhe shumë probleme tjera. Në nëntor Portalb.mk raportoi se në Repartin e Oftalmologjisë nuk ka mjekë kujdestar dhe se mjekimet dhe kontrollet e tyre i bëjnë infermieret. Gjithashtu në korrik qytetarët u ankuan se nuk ka pajisje ekografike dhe detyrohen që incizimet t’i bëjnë nëpër ambulanca private.