Gashi për ndryshimet kushtetuese: I kemi numrat, Kuvendi i gatshëm të fillojë procedurën nëse ka marrëveshje politike

Legjislativi është i gatshëm të fillojë procedurën për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nëse ka marrëveshje politike, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në konferencën e sotme për media, transmeton Portalb.mk. “Mendoj se opinioni i di pikëpamjet e shumicës politike në vend. Sa i përket Parlamentit, sapo të ketë marrëveshje politike, jemi të gatshëm të fillojmë […]

Nëntor 28, 2024 - 19:00
 0  3
Gashi për ndryshimet kushtetuese: I kemi numrat, Kuvendi i gatshëm të fillojë procedurën nëse ka marrëveshje politike
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, foto nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut

Legjislativi është i gatshëm të fillojë procedurën për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nëse ka marrëveshje politike, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në konferencën e sotme për media, transmeton Portalb.mk.

“Mendoj se opinioni i di pikëpamjet e shumicës politike në vend. Sa i përket Parlamentit, sapo të ketë marrëveshje politike, jemi të gatshëm të fillojmë procedurën”, tha Gashi, duke komentuar deklaratën e djeshme të komisioneres së re evropiane për Zgjerim, Marta Kos, se pret që Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën dhe përshpejtohet procesi.

Gashi beson se tashmë kanë siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretave për votimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Mendoj se i kemi dy të tretat. Ky proces në Kuvend do të kalojë lehtë dhe do ta zbatojmë, por varet nga momenti politik”, tha Gashi.

Menjëherë pas miratimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, komisionerja e re Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në një deklaratë për media dje përsëriti qëndrimin e saj për Maqedoninë e Veriut, se vendi pret ndryshime në Kushtetutë që të përfshijë Bullgarët – asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Kjo, tha Kos, është diçka në të cilën KE po mbështetet.

E pyetur nëse pas miratimit të amendamenteve kushtetuese mund të jepen garanci se vendi nuk do të ketë më pengesa në rrugën drejt BE-së, Kos tha se nuk është ajo që mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Për mënyrën se si mund të zgjidhet mosmarrëveshja me Bullgarinë, eurokomisionerja thotë se është e nevojshme të bisedohet sa më shumë edhe me Shkupin edhe me Sofjen.

Kryeministri Hristijan Mickoski dje në lidhje me ndryshimet kushtetuese tha se me to janë përcaktuar vijat e kuqe nga të cilat “as ne dhe as askush nuk do të lëvizim asnjë milimetër”.

“Nuk do të jemi viktimë e bilateralizimit të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Ne kemi thënë se çfarë mund të bëjmë dhe ky është maksimumi që mund të bëjmë. Kjo u është thënë të gjithë faktorëve botërorë, të gjithë njerëzve që vendosin në përgjithësi apo kanë ndonjë rol në politikën botërore”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për koment për deklaratën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, se rolin kyç për pranimin e qëndrimit të ndryshimeve kushtetuese me efekt të vonuar e ka Franca dhe se nëse arrijmë të punojmë me të dhe disa vende të tjera nga Evropa Perëndimore, argumentet tona mund të pranohen lehtësisht.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.