Katër persona nga Shtipi me ndihmë sociale, bënin jetë luksoze duke u ofruar ilegalisht bixhoz online qytetarëve turq

Një çift i martuar nga Shtipi nga shtëpia e tyre lejuan që legalisht shtetasit turq të luanin bixhoz online për katër vjet. Në skemë janë përfshirë vajza e tyre dhe një person tjetër që i ka ndihmuar në pastrimin e parave të fituara, njofton prokuroria për krimin e organizuar, e cila ka zhvilluar edhe procedurën […]

Nëntor 28, 2024 - 19:00
 0  3
Katër persona nga Shtipi me ndihmë sociale, bënin jetë luksoze duke u ofruar ilegalisht bixhoz online qytetarëve turq
Kazino, lojëra të fatit. Foto nga Faton Curri / Portalb.mk

Një çift i martuar nga Shtipi nga shtëpia e tyre lejuan që legalisht shtetasit turq të luanin bixhoz online për katër vjet. Në skemë janë përfshirë vajza e tyre dhe një person tjetër që i ka ndihmuar në pastrimin e parave të fituara, njofton prokuroria për krimin e organizuar, e cila ka zhvilluar edhe procedurën para hetimore, transmeton Portalb.mk.

Kumari online është i ndaluar në Turqi, por në Shtip ka edhe shumë studentë turq. Klientët duhej të kishin numër amze turk.

Prokuroria njoftoi se ndaj dy personave është hapur  hetim, ndërsa për dy të tjerë po zhvillohet procedimi i shkurtuar. Ata dyshohen për organizimin e lojërave të fatit pa licencë dhe pastrim parash. Për çiftin e martuar do të kërkohet masa e paraburgimit, ndërsa për dy të tjerët masa sigurie.

Mbrëmë janë kryer bastisje gjatë të cilave janë sekuestruar bizhuteri ari, katër makina luksoze, pesë motoçikleta dhe një katërçikletë.

“Dy bashkëshortët, pasi kanë siguruar mjete dhe pajisje kompjuterike, kanë punësuar persona të cilët i dyshuari i parë i ka trajnuar për përdorimin e një platforme për t’u shërbyer klientëve të interesuar dhe i dyshuari i dytë u ka dhënë këshilla dhe ka siguruar pajisje elektronike, pajisje celulare dhe karta SIM për punonjësit duke dhënë kështu një kontribut të veçantë për veprimet e kundërligjshme. Ata komunikonin me klientët, të cilët duhet të ishin shtetas turq, përmes aplikacioneve të kontaktit Skype dhe Whatsapp, duke u ofruar përfitime për baste dhe lojëra fati”, tha Prokuroria.

Platforma e lojërave të fatit ishte turke, ndërsa klientët paguanin për shërbimet në kriptovaluta. Të dyshuarit i ndërronin kriptovalutat në dollarë ose euro dhe i shpenzonin ato, “duke bërë jetë luksoze edhe pse ishin të papunë dhe merrnin asistencë sociale”, njoftoi prokuroria.