Gërvalla për Sali Çekajn: Nga lufta, përmes telefonit satelitor na fliste jo për veten, na fliste për bashkëluftëtarët e tij

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla e ka përkujtuar Sali Çekaj si një figurë të plotë me të gjitha tiparet e një burri të idealit kombëtar. Gërvalla tha se para se të rreshtohej në front të luftës dëshmori Çekaj kishte shërbyer si në jetën institucionale dhe qytetare. “Sot jemi mbledhur këtu me nderim, me mall dhe

Prill 19, 2026 - 15:30
Gërvalla për Sali Çekajn: Nga lufta, përmes telefonit satelitor na fliste jo për veten, na fliste për bashkëluftëtarët e tij
gervalla-per-sali-cekajn:-nga-lufta,-permes-telefonit-satelitor-na-fliste-jo-per-veten,-na-fliste-per-bashkeluftetaret-e-tij

gervalla-per-sali-cekajn:-nga-lufta,-permes-telefonit-satelitor-na-fliste-jo-per-veten,-na-fliste-per-bashkeluftetaret-e-tij

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla e ka përkujtuar Sali Çekaj si një figurë të plotë me të gjitha tiparet e një burri të idealit kombëtar.

Gërvalla tha se para se të rreshtohej në front të luftës dëshmori Çekaj kishte shërbyer si në jetën institucionale dhe qytetare.

“Sot jemi mbledhur këtu me nderim, me mall dhe me krenari për ta kujtuar Sali Çekajn, 27 vjet pas rënies së tij. Emri i tij zë një vend të veçantë në historinë e luftës sonë për liri dhe në kujtesën shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Kosovës. Me të drejtë, ai kujtohet me respekt të veçantë si luftëtar i vendosur, si komandant dhe si njëri ndër burrat që iu gjendën Kosovës në çastet më vendimtare të saj. Por figura e Sali Çekajt bëhet edhe më e plotë kur e kujtojmë në tërësinë e saj, si burrë i idealit kombëtar, si jurist, si organizator, si veprimtar i hershëm dhe si njeri i Kosovës që i shërbeu asaj në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Ai ishte ndër ata njerëz që nuk e ndanë kurrë bindjen nga veprimi, as idealin nga sakrifica.

Para se të rreshtohej në front, Sali Çekaj kishte shërbyer Kosovën me përkushtim të rrallë në jetën institucionale dhe qytetare. Ai kishte shërbyer si gjyqtar dhe si shef ekzekutiv i komunës së Deçanit, pikërisht në atë kohë kur regjimi serb po shkatërronte rendin juridik dhe institucional të Republikës së Kosovës. Ai e mori Kushtetutën e 7 shtatorit 1990 dhe e vuri në themel të punës së tij. Ky ishte një akt me peshë politike dhe shtetformuese; ishte dëshmi se për Sali Çekajn, Republika e Kosovës nuk ishte vetëm një aspiratë, por një themel i përgjegjësisë dhe i shërbimit ndaj qytetarëve. Po ashtu është me rëndësi të kujtojmë se rruga e tij drejt frontit ishte përgatitur herët, që në fillim të viteve ’90, ku ishte ndër ata që e kuptuan se Kosovës do t’i duhej jo vetëm qëndresë politike, por edhe përgatitje ushtarake.

Përfshirja e tij në dy grupet e para stërvitore në Shqipëri bashkë me Adem Jasharin, Zahir Pajazitin dhe shumë djem të dinjitetshëm dhe të guximshëm të Kosovës dëshmuan largpamësinë, vendosmërinë dhe ndjenjën e hershme të detyrës që e karakterizonte. Kur në vitin 1998 ndodhën masakrat në Likoshan dhe Qirez dhe sidomos pas masakrës së Prekazit, pasi u krye pamja te Bacë Rifat Jashari në Mynih, për Saliun u bë plotësisht e qartë se kishte ardhur koha që Kosovës t’i shërbehej edhe në frontin konkret të luftës për liri. Ai shkoi atje me vetëdije, me bindje të plotë dhe me ndjenjën e plotë të detyrës. Për bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë të tij, Sali Çekaj ishte dhe mbetet një emër nderi. Ai kujtohet për mënyrën se si jetoi dhe se si luftoi: me disiplinë, me urti, me guxim, me respekt dhe besnikëri ndaj shokëve dhe ndaj Kosovës”, tha Gërvalla.

Gjithashtu ajo tha se gjitha bisedat që bëheshin në atë kohë me Çekajn, ai fliste për bashkëluftëtarët dhe asnjëherë për veten e tij.

“Nga lufta, përmes telefonit satelitor na fliste jo për veten, na fliste për bashkëluftëtarët e tij. Na tregonte me admirim për guximin, mençurinë, disiplinën dhe aftësinë strategjike të luftëtarëve që ishin në vijën e frontit. Na fliste për burrat që mbanin barrën e luftës dhe që po shkruanin një nga faqet më të lavdishme të historisë sonë. Edhe në ato çaste kur vetë ishte në front, mendja e tij ishte te misioni i përbashkët, te shokët e tij dhe te lufta e drejtë e Kosovës. Për të gjithë ata që e kanë njohur nga afër Sali Çekajn, dihet që ai nuk është vetëm një figurë e historisë. Ai është kujtimi i gjallë i një njeriu me integritet, i një njeriu që të jepte siguri edhe në kohët më të vështira, i një njeriu që e barte barrën e përgjegjësisë me qetësi dhe me dinjitet. Për herë të fundit me Salinë jemi takuar në janar të vitit 1999 para se ai të kthehej sërish në front. Atëherë askush nuk donte ta mendonte se kjo do të ishte hera e fundit. Ai u kthye atje ku e thirrte detyra, me të njëjtën qetësi, me të njëjtën bindje dhe me të njëjtin përkushtim që e karakterizonte gjithmonë. Dhe prej atij kthimi ai nuk u kthye më.

Kjo është edhe madhështia, edhe dhimbja e figurës së tij. Sepse kur bie një njeri si Sali Çekaj, nuk humbet vetëm një komandant. Humbet një mik, një bashkëpunëtor i çmuar, një njeri i besës, një figurë që linte gjurmë te kushdo që e njihte, një baba jashtëzakonisht i përkushtuar për fëmijët dhe familjen e tij. Sot 27 vjet më vonë, ne kujtojmë me nderim jo vetëm për mënyrën se si ra, por edhe për mënyrën se si jetoi: me guxim, me përgjegjësi, me karakter dhe me besnikëri ndaj Republikës së Kosovës.

Si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, ne nuk e kemi për detyrë vetëm ta kujtojmë me nderim Sali Çekajn. Ne kemi për detyrë ta përkthejmë kujtimin për të në përgjegjësi shtetërore. Kjo do të thotë ta mbrojmë Republikën për të cilën ranë më të mirët tanë. Kjo do të thotë ta forcojmë shtetin ligjor, ta ruajmë dinjitetin e luftës sonë çlirimtare dhe ta mbrojmë të vërtetën historike të sakrificës së tyre. Prandaj sot kur përkulemi para emrit dhe figurës së Sali Çekajt, ne nuk kujtojmë vetëm rënien e tij. Ne kujtojmë jetën, veprën e tij, karakterin e tij dhe shërbimin e tij ndaj Kosovës. E kujtojmë si luftëtar të lirisë, si komandant, si njeri të shtetit dhe njeri të besës. I përjetshëm do të jetë kujtimi për Sali Çekajn dhe të gjithë ata që ranë për lirinë e vendit tonë”, tha Gërvalla./eo