Gërxhaliu kundërshton Kurtin: Kosova nuk mund të quhet storie suksesi ekonomik
Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se “viti pas viti Kosova po bëhet storie suksesi për rritje ekonomike” dhe se “vendi do të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon sipas projeksioneve të FMN-së”. Gërxhaliu e ka quajtur këtë narrativë politike, duke theksuar se


Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se “viti pas viti Kosova po bëhet storie suksesi për rritje ekonomike” dhe se “vendi do të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon sipas projeksioneve të FMN-së”.
Gërxhaliu e ka quajtur këtë narrativë politike, duke theksuar se realiteti ekonomik në Kosovë është ndryshe nga ajo që e paraqesin politikanët. Ai tha se nuk mund të ketë rritje ekonomike në një vend që është i varur nga importi, me tkurrje të eksporteve, mungesë të dialogut publik–privat, mungesë të investimeve të huaja dhe kosto të lartë të energjisë që po e ngulfat sektorin prodhues.
“Kur i dëgjon deklaratat e politikanëve kosovarë nëpër konferenca ndërkombëtare duke biseduar për të arriturat ekonomike, atëherë definitivisht duhet të ndryshojë qasja e studimit të ekonomisë. Nuk mund të besoj që dikush që e njeh ABC-në e ekonomisë mund të pajtohet që Kosova ka rritje ekonomike në qoftë se është shtet i varur nga importi, që thyen rekord të importit në vitin 2025; një shtet që ka tkurrje të eksporteve, që nuk ka dialog publik–privat, që ka zero investime të huaja, qoftë në mënyrë direkte apo jo direkte; një shtet që ka energjinë shumë të shtrenjtë dhe po e ngulfat sektorin prodhues. Një shtet nga i cili po iket për vetë faktin që sot thuhet se viteve të fundit janë larguar më tepër se 210 mijë qytetarë dhe vetë fakti që në Gjermani tani zyrtarisht thuhet se janë afër 600 mijë kosovarë që jetojnë, punojnë dhe veprojnë në Gjermani — a qenkan këto trende të rritjes ekonomike të cilat promovohen nëpër konferenca të ndryshme ndërkombëtare, që kanë shumë më tepër zanafillë apo, të themi, një formë të promovimit politik–partiak sesa për të paraqitur realitetin e Kosovës”, tha ekonomisti Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut, nuk mund të ketë rritje ekonomike në një vend që është i varur nga importi, me tkurrje të eksporteve, mungesë të dialogut publik–privat, mungesë të investimeve të huaja dhe kosto të lartë të energjisë që po e ngulfat sektorin prodhues.
“Të flitet për rritje ekonomike në kohën kur ke sanksione nga BE-ja, ke ngrirje të partneritetit strategjik me SHBA-në, vërtet është diçka që e besojnë vetëm militantët partiakë, por jo qytetarët. Le të jetë një mesazh i qartë për të gjithë: Kosova ka nevojë për rritje ekonomike në interes të qytetarëve e jo në interes të numrave. Si është e mundur të ketë rritje të numrave dhe në anën tjetër të kemi rritjen e varfërisë, derisa ke rritje të inflacionit dhe shumë produkte esenciale janë shumë më të shtrenjta se në vendet më të zhvilluara evropiane — Gjermani, Austri — a qenka kjo rritje ekonomike? Është koha që edhe në politikë të ketë moral, pak etikë, të paktën të mos manipulohet me ndjenjat e qytetarëve që me vështirësi ia dalin deri në fund të muajit për të përmbushur nevojat esenciale, sepse vërtet shporta e qytetarit sot është varfëruar dhe çka ke blerë në të kaluarën me 100 euro, sot e blen me 300 euro. Nëse kjo është rritje ekonomike, atëherë le të gëzohet partia, por zhgënjehet dhe dënohet qytetari i Kosovës”, nënvizoi ai.
Sipas tij, largimi masiv i qytetarëve dhe varfërimi i shportës familjare tregojnë qartë krizën ekonomike në vend.
“Kosova është pa institucione, është në një situatë të një vorbulle politike që nuk ka zgjidhje. E vetmja që mund të bëjnë është që të përdoret rritja ekonomike si një metaforë, por jo realitet, për të motivuar diasporën dhe militantët që janë në rrugë të mirë. Situata është më e larmishme sesa që mendohet; nuk ka zgjidhje të situatës. Për fat të keq, institucionet kanë shumë më tepër afinitet për ta bajpasuar problemin, për ta hijeshuar problemin”, theksoi ekonomisti./Ekonomia Online
