Gjashtë nga shtatë komunat kryesore drejt një raundi të dytë vendimtar – Prishtina dhe Mitrovica me garë shumë të ngushtë
Pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, nga shtatë komunat më të mëdha të Kosovës, gjashtë prej tyre do të shkojnë në balotazh, pasi asnjë kandidat nuk ka arritur të sigurojë mbi 50% të votave të vlefshme. Komunat që do të votojnë sërish në raundin e dytë


Pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, nga shtatë komunat më të mëdha të Kosovës, gjashtë prej tyre do të shkojnë në balotazh, pasi asnjë kandidat nuk ka arritur të sigurojë mbi 50% të votave të vlefshme.
Komunat që do të votojnë sërish në raundin e dytë të zgjedhjeve janë:
Prishtina mes Përparim Ramës të LDK-së dhe Hajrulla Çekut të LVV-së. Nga numërimi i 98,88% të votave nga KQZ, Rama ka marrë 33,76% apo 34 mijë e 752 vota, kurse Çeku ka 33,05% apo 34 mijë e 022 vota.
Në balotazh do të shkojë edhe komuna e Prizrenit.
Shaqir Totaj i PDK-së do të përballet sërish me Artan Abrashin e LVV-së. Nga numërimi i 94,92% të votave nga KQZ, Totaj ka marrë 41,99% apo 24,281 vota, kurse Abrashi ka 29,80% apo 17 mijë e 231 vota.
Edhe komuna e Pejës do të ketë balotazh. Gazmend Muhaxheri i LDK-së do të përballet me Taulant Kelmendin e LVV-së në raundin e dytë.
Nga numërimi i 100% të votave nga KQZ, Muhaxheri ka marrë 46,11% apo 19 mijë e 035 vota, kurse Kelmendi ka 27,88% apo 11 mijë e 508 vota.
Mitrovica gjithashtu do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve. Arian Tahiri i PDK-së do të përballet me Faton Pecin e LVV-së.
Nga numërimi i 100% të votave nga KQZ, Tahiri ka marrë 47,89% apo 15 mijë e 368 vota, kurse Peci ka 47,80% apo 15 mijë e 340 vota. Diferenca e votave në këtë komunë është vetëm 28 sosh.
Edhe Gjilani do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve pasi që edhe në këtë komunë asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë mbi 50% të votave.
Alban Hyseni i LVV-së do të përballet sërish me Arbër Ismajlin e LDK-së. Nga numërimi i 100% të votave nga KQZ, Hyseni ka marrë 49,79% apo 21 mijë e 463 vota, kurse Ismajli ka 34,24% apo 14 mijë e 761 vota.
Komuna e Gjakovës gjithashtu do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve. Ardian Gjini i AAK-së do të përballet me Ardian Golën e LVV-së.
Nga numërimi i 100% të votave nga KQZ, Gjini ka marrë 47,74% apo 18 mijë e 893 vota, kurse Gola ka 32,82% apo 12 mijë e 989 vota.
E vetmja është komuna e Ferizajt e cila ka përfunduar në raundin e parë zgjedhjen e kryetarit. Sipas 95,45% të votave të numëruar në këtë komunë, Agim Aliu i PDK-së ka marrë 56,74% apo 27 mijë e 720 vota.
Duhet theksuar se në këto rezultate nuk janë të përfshira votat nga diaspora të cilat mund të përmbysin rezultatin në disa prej komunave.
Qytetarët e këtyre komunave do të kenë sërish mundësinë të vendosin për udhëheqësit e tyre lokalë, përmes votës që do të hedhin më 9 nëntor.
