Gjykata e Apelit e dënoi Vasil Jovanovin me 3 vjet e 10 muaj për shitje droge
Gjykata e Apelit në Shkup sot ka njoftuar se ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë me të cilën Vasil Jovanov është dërguar në institucionin korrektues dhe është dënuar me tre vjet e 10 muaj burg. Në njoftimin e Gjykatës së Apelit thuhet se vendimi është marrë në seancën me dyer të mbyllura të mbajtur […]
![Gjykata e Apelit e dënoi Vasil Jovanovin me 3 vjet e 10 muaj për shitje droge](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2023/05/DSCN2982.jpg?fit=1024%2C678&quality=89&ssl=1)
![Gjykata e Apelit Shkup, foto: Suad Bajrami](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2023/05/DSCN2982.jpg)
Gjykata e Apelit në Shkup sot ka njoftuar se ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë me të cilën Vasil Jovanov është dërguar në institucionin korrektues dhe është dënuar me tre vjet e 10 muaj burg. Në njoftimin e Gjykatës së Apelit thuhet se vendimi është marrë në seancën me dyer të mbyllura të mbajtur dy ditë më parë, transmeton Portalb.mk.
Ndryshe, Vasil Jovanov është djaloshi 20-vjeçar i cili dyshohet se më 29 janar e ka përplasur për vdekje Frosina Kulakovën, e cila është dy vjet më e madhe se ai, teksa po kalonte një vendkalim për këmbësorë në bulevardin “Aradhat Partizane”.
Rasti që Gjykata e Apelit vendosi të mërkurën ka të bëjë me aktgjykimin e shkallës së parë që Gjykata Themelore Penale e dha në korrik të vitit të kaluar pas gjykimit në të cilin Jovanov u gjykua për posedim dhe shitje të marihuanës dhe kokainës.
Aktgjykimi i shkallës së parë është ankimuar për shkak të ankesave të parashtruara nga i pandehuri Jovanov dhe nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup.
Sipas Gjykatës së Apelit, ankesa e Jovanovit është refuzuar si e pabazuar dhe ankesa e Prokurorisë është miratuar.
Vendimi i Gjykatës së Apelit për dënimin me burg të Jovanov është përfundimtar.
Pasi u bë publike se ndaj të dyshuarit Jovanov po zhvillohej një proces gjyqësor për posedim të narkotikëve, i cili përfundoi me masë edukative, Gjykata Penale e shpalli aktgjykimin javën e kaluar, ndonëse nuk ishte ligjërisht i detyrueshëm.
Një pjesë e shpjegimit në të është se masa edukative – referim në institucionin korrektues – është adekuate dhe gjykata vlerësoi personalitetin e të pandehurit, rininë e tij dhe përvojën e pamjaftueshme të jetës, mjedisin në të cilin ai u gjend në kohën e kryerjes së krimeve, “në një shoqëri ku konsumimi i drogës ishte dukshëm i përditshëm”.
Dje ka reaguar edhe Gjykata, e cila tha se gjyqtarja Daniela Aleksovska-Stojanovska me rastin e vendosjes së sanksionit ka vepruar ekskluzivisht në përputhje me dispozitat ligjore, bindjen e lirë gjyqësore dhe praktikën e përcaktuar gjyqësore, si dhe me pretendimet e prokurorit publik.
Prandaj ata hodhën poshtë si të pasaktë spekulimet se i pandehuri ka qenë më parë i dënuar dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar procedura të tjera penale.
Për nesër është paralajmëruar një protestë e re në Negotinë ku kërkohet drejtësi për vdekjen e 22-vjeçares Frosina Kulakova.
Në fillim të javës së kaluar u mbajtën dy protesta në Shkup, ku studentët dhe qytetarët kërkuan përgjigje për rrethanat që e çuan vajzën e re të humbiste jetën në një mënyrë të tillë.