Gostivar – Qeveria nuk ka bazë ligjore për të emëruar të besuar në Komunë
Detyrën e Ushtruesit të detyrës së Kryetarit të Komunës së Gostivarit e kam marrë në bazë të Vendimit të Këshillit nr. 08-1413/1 të datës 08.07.2024 – thuhet në sqarimin zyrtar The post Gostivar – Qeveria nuk ka bazë ligjore për të emëruar të besuar në Komunë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Detyrën e Ushtruesit të detyrës së Kryetarit të Komunës së Gostivarit e kam marrë në bazë të Vendimit të Këshillit nr. 08-1413/1 të datës 08.07.2024 – thuhet në sqarimin zyrtar të Komunës së Gostivarit, shkruan Gazeta Flaka
Vendimi i Këshillit komunal, siç theksohet, është marrë në përputhje me nenin 54, paragrafi (5) të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 5/2002), dhe e gjithë procedura për zgjedhjen e Ushtruesit të detyrës është zhvilluar në pajtim të plotë me dispozitat ligjore.
Në ndërkohë, më 1 tetor 2024 është miratuar dhe shpallur në “Gazetën Zyrtare” nr. 202/2024 Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale. Në nenin 4, paragrafi (2) i këtij ligji përcaktohet qartë se:
“Në një komunë në të cilën, për shkak të ndodhjes së njërit prej rasteve për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të Komunës sipas ligjit, Këshilli ka zgjedhur një anëtar nga radhët e tij, i cili do të kryejë detyrën e kryetarit të Komunës, me ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, anëtari i zgjedhur do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, në zgjedhjet e rregullta lokale të ardhshme.”
Nga kjo dispozitë buron se vendimi i Këshillit të Komunës së Gostivarit prodhon efekte juridike deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, pas mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta. Si rrjedhojë, Qeveria nuk ka bazë ligjore për të emëruar të besuar në Komunën e Gostivarit.
Po ashtu, e njëjta logjikë juridike vlen edhe për komunat Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë, ku nuk është arritur censusi në raundin e parë të zgjedhjeve. Sipas nenit 134 të Kodit Zgjedhor, i besuari i Qeverisë mund të caktohet vetëm në rast se dështon edhe raundi i dytë i zgjedhjeve. Në këto komuna, ashtu si në Gostivar, do të përsëritet raundi i parë i votimit, që juridikisht llogaritet sikur zgjedhjet nuk janë zhvilluar aspak.
Prandaj, edhe në bazë të Kodit Zgjedhor, Qeveria nuk ka asnjë bazë juridike për të emëruar të besuar në këto komuna.
Sa u përket komunave ku mandati i kryetarëve skadon sipas ligjit, si zgjidhje ligjore propozohet që Qeveria të konstatojë përfundimin e mandatit të kryetarëve aktualë dhe t’u hapë rrugë këshillave komunalë që, në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, të zgjedhin nga radhët e tyre një Ushtrues detyre Kryetar komune deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj. Gazeta Flaka
The post Gostivar – Qeveria nuk ka bazë ligjore për të emëruar të besuar në Komunë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .