Greqia konfirmoi se po fillon ndërtimi i pikës kufitare Markova Noga-Lemos në Prespë, e mbyllur prej 57 vitesh

Vendkalimi kufitar Markova Noga – Lemos ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë do të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm dhe do të hapet në vitin 2027. Me këtë, pas 60 vitesh pas mbylljes së pikëkalimit, do të mund të kalohet sërish mes dy vendeve dhe kjo do të ndikojë shumë […]

Nëntor 28, 2024 - 13:00
 0  4
Greqia konfirmoi se po fillon ndërtimi i pikës kufitare Markova Noga-Lemos në Prespë, e mbyllur prej 57 vitesh
Flamuri i Greqisë në Athinë. Foto nga Faton Curri / Portalb.mk

Vendkalimi kufitar Markova Noga – Lemos ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë do të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm dhe do të hapet në vitin 2027. Me këtë, pas 60 vitesh pas mbylljes së pikëkalimit, do të mund të kalohet sërish mes dy vendeve dhe kjo do të ndikojë shumë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në rajonin e Prespës. Këtë e kanë konfirmuar për Sdk.mk autoritetet greke dhe Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në vend, e cila zbaton projektin “BE për Prespën”, transmeton Portalb.mk.

Pika kufitare e Markova Nogës midis Greqisë dhe Jugosllavisë u mbyll në vitin 1967 me vendim politik të juntës ushtarake greke që më pas erdhi në pushtet me grusht shteti, por mbeti e mbyllur deri më sot edhe pas shfuqizimit të monarkisë dhe rënies së juntës së vitit 1974.

Jorgo Amanatidis, guvernator rajonal i zonës së Maqedonisë Perëndimore, tha për Sdk.mk se pala greke është duke punuar në këtë projekt, i cili është një hap kyç për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve dhe do të sjellë përfitime të konsiderueshme mjedisore, sociale dhe ekonomike për rajonin. Aktualisht po punohet për fazën e dytë të projektit “Stacioni kufitar në zonën e Liqenit të Prespës: Aktivitete përgatitore për ngritjen e pikës kufitare” (BorPres) në kuadër të programit INTERREG IPA CBC 2014-2020.

Projekti për rihapjen e pikës kufitare është pjesë e Marrëveshjes së Prespës të nënshkruar në vitin 2018, e cila ndryshoi emrin kushtetues të shtetit dhe zgjidhi mosmarrëveshjen 30-vjeçare mes dy vendeve. Në vitin 2019 u nënshkrua marrëveshja për rihapjen e kalimit në Prespë.