HOXHA DRILON GASHI: NUK KËRKOVA MËSHIRË. KËRKOVA MUNDËSINË TË JETOJ NGA PUNA IME!
Drilon Gashi NUK KËRKOVA MËSHIRË. KËRKOVA MUNDËSINË TË JETOJ NGA PUNA IME! (Disa fjalë pas gjithë kësaj jehone publike, për miqtë, dashamirët, kritikët dhe të gjithë ata që u ndalën te historia ime.) Të dashur miq, Kam lexuar mesazhe që më ...
Drilon Gashi
NUK KËRKOVA MËSHIRË.
KËRKOVA MUNDËSINË TË JETOJ NGA PUNA IME!
(Disa fjalë pas gjithë kësaj jehone publike, për miqtë, dashamirët, kritikët dhe të gjithë ata që u ndalën te historia ime.)
Të dashur miq,
Kam lexuar mesazhe që më kanë prekur thellë. Disa nga njerëz që më njohin prej dekadash, disa nga ish-nxënës e dashamirë, disa nga miq të besimeve dhe bindjeve të ndryshme, e shumë të tjera nga njerëz që nuk më kanë takuar kurrë.
Më kanë telefonuar njerëz duke qarë. Më kanë treguar histori të ngjashme me timen, për humbjen e punës, për kreditë, për mërgimin, për sakrificat dhe për ëndrrat që nuk u realizuan.
Dhe kuptova se ajo që kisha shkruar si një ndjenjë dhimbjeje personale, për shumë të tjerë ishte historia e jetës së tyre.
Ju falënderoj nga zemra!
Por kam lexuar edhe gjykime për jetën time, për aftësitë, për sukseset e dështimet, madje edhe thirrje për pendim fetar.
Historia ime u interpretua politikisht, u shndërrua në lajm e polemikë dhe më solli ftesa të shumta për emosione e intervista.
Nuk i mohoj mediat që kanë raportuar me korrektësi, por e njoh edhe anën tjetër të kësaj bote. Kamerat ndizen, historia bëhet lajm, njerëzit komentojnë dhe pastaj vjen lajmi tjetër.
Ndërsa njeriu mbetet me po ato halle që kishte përpara se të bëhej lajm.
Sepse qindra mijëra shikime mund ta bëjnë të njohur dhimbjen e një njeriu, por nuk ia paguajnë vetvetiu asnjë këst të kredisë!
Prandaj, e pashë të udhës t’i sqaroj disa gjëra.
Së pari, unë nuk kam dështuar në jetë vetëm pse sot punoj në ndërtim!
Kam kaluar rreth njëzet e pesë vjet duke studiuar e kërkuar dije në teologji, filozofi dhe shkenca humane. Kam shërbyer si imam, kam punuar në institucione, jam marrë me përkthime, shkrime, libra dhe edukim.
Kur m’u mbyllën dyert e profesionit tim të parë, nuk qëndrova duke pritur që dikush të më mbante.
Vazhdova studimet në filozofi. Konkurrova shumë herë përmes SIMBNJ-së. Kërkova punë në sektorin privat. Ndoqa trajnime në elektricitet, kreva praktikë profesionale, punova me instalime elektrike, ndërtimtari e keramikë.
Paralelisht fillova edhe specializimin në psikoterapi, një program gjashtëvjeçar, prej të cilit kam përfunduar katër vjet dhe ende jam duke u specializuar.
Pra, nuk kam dështuar as në psikoterapi. Jam ende në rrugën e formimit profesional!
Por, miq të dashur, duhet të kuptojmë edhe diçka:
Jeta ekonomike e një familjeje nuk mund të pezullohet derisa babai ta përfundojë edhe diplomën e radhës!
Unë kam katër fëmijë. Kam bashkëshorten që po ashtu është duke u rikualifikuar profesionalisht. Kam kredi bankare dhe përgjegjësi që nuk presin.
Nuk mund t’i them bankës: «Prit edhe dy vjet, derisa ta përfundoj specializimin!»
As fëmijëve: «Sot nuk kemi të ardhura, por babi ka shumë libra e diploma!»
Dhe kështu mora rrugën e gyrbetit.
Jo për t’u bërë hero. Jo për të dëshmuar ndonjë teori filozofike. Por për të punuar e për ta mbajtur familjen në këmbë.
Së dyti, nuk kërkova që shteti të më falte një vend pune!
Kam kërkuar mundësi, konkurse të ndershme dhe një mjedis ku njeriu mund të jetojë nga puna e vet.
Unë dhe bashkëshortja ime i kemi dorëzuar dokumentet në Zyrën e Punësimit në Prishtinë. Sipas përvojës sonë, për rreth tri vjet nuk morëm asnjë telefonatë për ndonjë mundësi konkrete pune.
Dhe këtu lind një pyetje që shkon përtej rastit tim:
Çfarë kuptimi ka të regjistrohesh si i papunë, nëse institucioni që duhet të të ndihmojë për punësim nuk arrin të të ofrojë as orientim e as ndonjë mundësi konkrete?
Nuk kërkoj që çdo i diplomuar të punësohet automatikisht. As që shteti ta mbajë çdo qytetar.
Por një shoqëri serioze nuk mund ta trajtojë papunësinë vetëm si dështim individual, duke harruar përgjegjësinë e institucioneve për arsimimin, orientimin profesional, rikualifikimin dhe funksionimin e tregut të punës.
Nuk pretendoj se çdo konkurs që kam humbur ishte padrejtësi. Nuk pretendoj as se çdo vendim që kam marrë në jetë ishte i drejtë.
Kam bërë gabime. Ndoshta kam qenë tepër idealist. Ndoshta nuk kam ditur t’i menaxhoj si duhet aftësitë, njohuritë dhe mundësitë e mia.
Por nuk mund të pranoj që gjithë rrugëtimi im të reduktohet në një fotografi me kovë e mistri në dorë.
Njeriu nuk është vetëm pozita që ka pasur, as profesioni që ushtron sot, as gjendja e tij bankare.
Sot më shihni duke punuar ndërtimtari. Por pas asaj fotografie janë vite studimi, konkurse, refuzime, përpjekje, rikualifikime dhe net pa gjumë duke menduar për të nesërmen.
Dhe dua ta them qartë:
Nuk ka asgjë të turpshme në punën fizike. Turp nuk është të mbash kovën me llaç. Turp do të ishte të refuzoja punën e ndershme vetëm për të ruajtur imazhin e intelektualit, ndërkohë që familja ime përballej me pasiguri ekonomike.
Së treti, për ata që e kanë shndërruar gjendjen time ekonomike në debat teologjik.
Unë nuk pretendoj se e zotëroj të vërtetën absolute. Kam ndryshuar mendime, kam rishikuar bindje dhe vazhdoj të mësoj.
Por nuk besoj se një njeri mund ta njohë marrëdhënien time të brendshme me Zotin vetëm nga kundërshtimet tona doktrinare.
Nëse kam gabuar, jam i gatshëm të dëgjoj argumente dhe të korrigjohem.
Por pendimi para Zotit nuk është detyrimisht pajtimi me interpretimin fetar të dikujt tjetër.
Dhe fakti që sot punoj në Baustelle nuk është as argument për të vërtetuar, as për të rrëzuar bindjet e mia teologjike.
Varfëria nuk është dëshmi e devijimit. As pasuria dëshmi e udhëzimit.
Historia njerëzore njeh profetë të varfër e sundimtarë të pasur, njerëz të drejtë që kanë vuajtur dhe njerëz të padrejtë që kanë jetuar në begati.
Prandaj, le të diskutojmë me argumente, por jo duke i përdorur vështirësitë e njëri-tjetrit si prova teologjike.
Së katërti: Babai im ka punuar rreth njëzet vjet në Rilindje, në Redaksinë e Revistave. Nëna ime, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë, ka kaluar tetëmbëdhjetë vjet pa punë.
Ata na rritën me shumë sakrifica.
Nuk na lanë fabrika, biznese apo pasuri të mëdha. Na lanë dashurinë për dijen dhe besimin se shkollimi, ndershmëria dhe puna do të na hapnin rrugë në jetë.
Dhe ne, brezi ynë, besuam se pasiguria ekonomike që kishin përjetuar prindërit tanë do të përfundonte me ne, sidomos pas luftës dhe çlirimit të Kosovës.
Por ja që sot, pas gjithë atyre viteve, unë po e ndiej përsëri në lëkurën time një pjesë të asaj pasigurie.
Ndoshta kjo është dhimbja më e madhe e gjithë historisë sime.
Jo pse mbaj kovën me llaç.
Por sepse dikur besoja se fëmijët tanë do ta kishin më të lehtë se ne.
Më kujtohet miti i Sizifit, ai personazhi i mitologjisë greke i dënuar ta shtynte përjetësisht një gur drejt majës së malit. Sa herë që i afrohej majës, guri rrokullisej përsëri poshtë dhe ai detyrohej ta fillonte gjithçka nga e para.
Dikur, kur lexoja Albert Camus-në, e kuptoja këtë mit si metaforë të absurdit të ekzistencës njerëzore.
Sot e kuptoj edhe ndryshe.
Nganjëherë më duket sikur Sizifi ka jetuar edhe në familjen tonë.
Babai dhe nëna e shtynë gurin e mbijetesës me shpresën se fëmijët e tyre do të arrinin në majë.
Pastaj erdhi radha ime. Studiova, punova, u përpoqa, ndërtova dhe sa herë që mendoja se po arrija njëfarë sigurie, diçka ndryshonte dhe më duhej të filloja përsëri.
Sikur guri të mos ishte vetëm i imi, por një barrë që po kalonte nga një brez te tjetri.
Dhe kjo më dhemb më shumë se çdo kritikë apo etiketim publik.
Sepse nuk dua që një ditë, pasi fëmijët e mi t’i përfundojnë shkollimet, të më pyesin:
«Babë, mësuam, punuam, u përpoqëm, ashtu siç na the. Po tash, kah t’ia mbajmë?»
Nuk dua që guri që e shtynë prindërit e mi, e që sot po e shtyj unë, të bëhet edhe dënimi i fëmijëve të mi.
Ne kemi nevojë për një shoqëri ku çdo brez të mos detyrohet ta fillojë jetën nga e para, duke përsëritur të njëjtat pasiguri të brezit të mëparshëm.
Një shoqëri ku dija të ketë mundësi të shndërrohet në punë, ku puna të sigurojë dinjitet dhe ku humbja e një vendi pune të mos e rrënojë gjithë jetën ekonomike të një familjeje.
Së fundi, dua t’u drejtohem atyre që më kanë mbështetur.
Më keni shkruar njerëz nga tradita të ndryshme fetare, nga botëkuptime të kundërta, nga vende të ndryshme të Evropës.
Miq të vjetër, ish-nxënës, kolegë, njerëz që më kanë njohur për së afërmi dhe njerëz që nuk i kam takuar asnjëherë.
Dhe më keni kujtuar diçka që, mes gjithë zhgënjimeve, ndoshta kisha filluar ta harroja:
Se njeriu mund të humbasë një vend pune, një pozitë apo sigurinë ekonomike, por kjo nuk do të thotë se ka humbur edhe gjithë atë që ka mbjellë në zemrat e njerëzve.
Më besoni, nuk dua që kjo histori të shndërrohet në garë mes atyre që më lavdërojnë dhe atyre që më përçmojnë.
As nuk dua ta kaloj pjesën tjetër të jetës duke numëruar padrejtësitë që besoj se më janë bërë.
Dua të punoj, ta përfundoj specializimin, ta siguroj familjen dhe, nëse më jepet mundësia, të vazhdoj të kontribuoj me dijen dhe përvojën time.
Por dua edhe që historia ime të na shtyjë të mendojmë për mijëra qytetarë që nuk kanë as audiencë, as diploma, as mundësi për ta treguar publikisht hallin e tyre.
Për atë punëtor që nuk ka sigurim.
Për atë prind që nuk e paguan dot kredinë.
Për atë të ri që konkurron dhjetëra herë dhe vazhdon të presë.
Për atë grua që punon me orë të gjata për një pagë të pamjaftueshme.
Për atë mërgimtar që buzëqesh në fotografi, por në heshtje numëron ditët deri kur do t’i përqafojë përsëri fëmijët.
Po ata që nuk kanë as kamera, as portale, as mijëra ndjekës, kush po ua dëgjon historinë?
Sepse historia ime nuk është më e rëndësishme se historia e tyre.
Thjesht, këtë herë, historia ime u dëgjua.
Dhe nëse kjo jehonë shërben për të dëgjuar edhe zërin e tyre, atëherë shkrimi im ka marrë një kuptim shumë më të madh sesa e kisha menduar.
Sa për mua, sot punoj në ndërtim.
Nesër nuk e di se ku do të jem.
Por e di se nuk kam përfunduar as si intelektual, as si profesionist, as si njeri.
Nuk kam ardhur në Baustelle sepse e urrej dijen. Kam ardhur sepse e dua familjen time!
Dhe nuk kam ndërmend ta fsheh as të kaluarën time mes librave, as të tashmen time mes çimentos.
Të dyja janë pjesë e jetës sime.
Me gjithë gabimet, përpjekjet, zhgënjimet dhe shpresat e saj.
Në fund, unë nuk kërkoj që jeta të më kursejë nga çdo vështirësi.
Kërkoj vetëm që puna të ketë dinjitet, përpjekja të ketë mundësi dhe fëmijët tanë të mos e trashëgojnë pasigurinë si të vetmen pasuri të brezave që i paraprinë.
Babai im besoi se një ditë do të bëhej më mirë.
Edhe unë besova.
Sot dua që fëmijët e mi të mos kenë nevojë vetëm të besojnë. Dua që ata ta jetojnë atë të mirë!
Me respekt dhe mirënjohje për të gjithë,
Drilon Gashi
Gjermani, 4 nëntor 2026
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.