Hulumtim: Çfarë pritet të ndërtohet tek ish-Monopolli i Tetovës, a e shiti Kasami për pak para pronën publike?
Katër ndërtesa për banim do të ndërtohen te ish-Monopolli në Tetovë e cila ishte në pronë të Shoqërisë Aksionare ‘Tetovo Tabak’. Drita e gjelbër për këtë ndërtim, investitorit të kompanisë “Elastan” i është dhënë me 18 vota nga Këshilli Komunal i Tetovës qysh në tetor të vitit 2024, gjë që çoi në ndryshimin e planit […]


Katër ndërtesa për banim do të ndërtohen te ish-Monopolli në Tetovë e cila ishte në pronë të Shoqërisë Aksionare ‘Tetovo Tabak’. Drita e gjelbër për këtë ndërtim, investitorit të kompanisë “Elastan” i është dhënë me 18 vota nga Këshilli Komunal i Tetovës qysh në tetor të vitit 2024, gjë që çoi në ndryshimin e planit gjeneral urbanistik dhe planit detal urbanistik për këtë bllok. Vendin bashkë me objektet ‘Tetovo Tabak’ ia ka shitur investitorit i cili më tej pronën e ka kompletuar dhe me tokën shtesë përmes tjetërsimit për 70 denarë metër katror. Pse ky çmim dhe gjithë detajet tjera do i sqarojmë në këtë artikull, shkruan Portalb.mk.
Hapësira në hyrje të Tetovës, e njohur si ish-Monopolli i Tetovës me Planin e fundit Gjeneral Urbanistik dhe të vetëm, të përpiluar në vitin 2003 ka qenë e paraparë si zonë industriale, përkatësisht për industri të lehtë.
Ky vend bashkë me objektet aty për gjithë këto vite kanë qenë në pronësi të Shoqërisë Aksionare ‘Tetova Tabak’ dhe në të është lejuar vetëm veprimtari industriale, përkatësisht nuk ka mund askush që të ndërojë objekte për banim.
Destinimi ‘G2’ për zonë industriale mund të shihet në këtë dokument të Planit Gjeneral Urbanistik të përpiluar në vitin 2003 tregon se bëhet fjalë për “industri të lehtë”.
Në vitin 2019 jepen shenjat e para se aty do të ndërtohet
Plani i parë detal urbanistik për këtë zonë, zyrtarisht blloku 31 fillon të përpilohet në vitin 2019 kur kryetare komune ishte Teuta Arifi. Kompania ‘Urban Plan Tetovë’ e përpiloi planin, me çka edhe u definuan fiks ngastrat ndërtimore dhe kufijtë e hapësirës.
Kujtojmë se edhe me këtë plan urbanistik destinimi i kësaj zone vijoi të ngelet për industri të lehtë dhe jo për banim. Përpilimi i këtij plani megjithatë hapi dyert pronarit të tokës që të përgatisë hapësirën për shitje, pasi asnjë investitor deri atëherë nuk ishte i interesuar të blejë vend që nuk ka Plan Detal Urbanistik.
Më datë 15 korrik, viti 2021 u miratua përfundimisht ky plan urbanistik, dhe u nënshkrua nga kryetarja e atëhershme e komunës, Teuta Arifi.
Portalb-i mëson se gjatë gjithë kësaj kohe, përfaqësues të ‘Tetova Tabak’ veçse kanë qenë në kontakt dhe afër marrëveshjes me pronarin e ‘Elastan’, Dashmir Aliji për ta t’ia shitur gjithë hapësirën me qëllim të ndërtimit të banesave.
Vini re: Qëllimi i investitorit ishte kompletimi i pronës dhe ndryshimi i destinimit nga zonë industriale në zonë për banim, gjë që bëhet me shumicë votash në këshillin komunal.
Shitja e tokës për 70 denarë m2: Pse kaq lirë dhe pse pa ankand publik?
Në tetor të vitit 2022, pronarët e atëhershëm të ish-Monopollit, Shoqëria Aksionare ‘Tetovo Tabak’ kërkojnë nga komuna e Tetovës që të tjetërsojnë hapësirën rreth pronës së tyre nga tokë shtetërore, në tokë private.
Bëhet fjalë për gjithsej 6,817m2 ndërsa të drejtën ekskluzive për blerjen e kësaj hapësire e ka pasur ‘Tetovo Tabak’, pasi ligji kërkon që blerësi të jetë pronar i më së paku 30 përqind të tokës që shpreh interes ta tjetërsojë.
Andaj, kjo nuk do të mund të ishte realizuar me ankand publik.
Theksojmë se këtu nuk bëhet fjalë për kontratë klasike për shit-blerje të pronës publike por për tjetërsim të tokës ndërtimore, pronë e RMV-së. Portalb-i siguroi të plotë dhe shqyrtoi kontratën e publikuar më herët në disa medie.
“Lënda e kontratës është tjetërsimi (blerja) i tokës ndërtimore, pronë e RMV-së, e paraparë me plan urbanistik”, shkruan neni 1 i kontratës mes komunës së Tetovës dhe ‘Tetovo Tabak’.
Dashmir Aliji, pronar aktual i ish-Monopollit dhe drejtues i kompanisë ‘Elastan’, për Portalb sqaroi se lartësinë e çmimit për tjetërsim të tokës ndërtimore nuk e përcakton komuna, por ligji aktual.
“Çmimi i metër katrorit për tjetërsim të tokës ndërtimore, pronë e RMV-së përcaktohet përmes një tabelari zyrtar, të miratuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe nuk është në dorë të vetëqeverisjes lokale që të vendosë.” i tha Aliji Portalb-it.
Andaj, Komuna e ka pasur të pamundur që këtë pronë ta shet për më shtrenjtë se 70 denarë për metër katror.
Portalb-i siguroi tabelarin me anë të së cilit përcaktohen çmimet.
“Ështe dashur fillimisht t’i ndryshohet destinimi, pastaj të shitet..”
Çmimi për blerjen e hapësirave që janë zonë industriale (G2) është shumë më i lirë se ai për blerjen e hapësirave që janë për banim (A2). Komuna e Tetovës vendosi ta shesë hapësirën prej 6,871m2 gjatë kohës kur ishte me destinim industrial.
Gjatë gjithë kësaj kohe, komuna e Tetovës ka qenë në dijeni se ka investitorë që planifikojnë të ndërtojnë banesa në këtë zonë dhe se për shpejt kohë do të vinte në rend të ditës ndryshimi i destinimit nga zonë industriale në zonë për banim.
“Absolutisht nuk është dashur ta bëje këtë, ata e kanë ditë se dita e ditës ata do ta votonin dhe do e ndryshonin nga zonë industriale në zonë për banim, ta bënin fillimisht këtë, pastaj ta shisnin, më shumë para për komunën e cila është e zhytur në borxhe” i tha një urbanist Portalb-it.
Ai thotë se kjo i shton dyshimet që komuna e Tetovës më shumë ka menduar për interesin e investitorit se sa të komunës.
Viti 2022: ‘Elastan’ përvesh krahët, fillon punën që t’ia ndryshojë destinimin këtij blloku dhe të mundësohet ndërtimi i objekteve për banim
Pasi ‘Tetovo Tabak’ me bashkëpunim të komunës së Tetovës kishte kryer të gjitha procedurat e nevojshme për kompletim të pronës, kompania ‘Elastan’ kishte përveshur për të punuar që aty të ndërtohen 4 banesa.
“Elastan” kishte angazhuar kompaninë ‘Pollog Projekt’ nga Gostivari që të përpunojë një projekt-plan për ndryshimin e destinimit të ish-Monopollit nga zonë industriale (G2) në zonë për banim (A2).
Qëllimi përfundimtar i iniciativës ishte të që këshilltarët komunal me shumicë të votave të ndryshojnë edhe planin gjeneral urbanistik, edhe planin detal urbanistik. Projektin e titulluan: Procedurë e përbashkët për ndryshimin e planit gjeneral urbanistik dhe planit detal urbanistik blloku 31 në komunën e Tetovës për periudhën planore 2022-2032.
Kujtojmë që në këtë kohë ‘Elastan’ nuk ka pasur asgjë nga ish-Monopolli në pronësi, të paktën jo zyrtarisht apo de-jure (sipas ligjit).
Për të lexuar planin e kësaj iniciative në tërësi, klikoni KËTU.
Gjithçka shkon sipas planit: Në tetor 2024 me 18 vota PËR ky bllok kthehet në zonë banimi
Nëntë tetor, 2024, dy pikat e fundit të rendit të ditës të seancës së këshillit komunal kishin ishin pikërisht ndryshimi i planeve që do të ndryshonin krejtësisht destinimin e kësaj zone, nga zonë për industri të lehtë, në zonë banimi.
Portalb-i shqyrtoi proces verbalin e kësaj seance të këshillit komunal, asnjë prej këshilltarëve që kishte marrë fjalën për diskutim nuk ishte shprehur kundër ndryshimit të destinimit të kësaj zone, apo nuk kishte parashtruar pyetje se si do të bëhej kjo dhe çfarë konkretisht planifikohej të ndërtohet në atë zonë.
Pika e rendit të ditës, përkatësisht porpozim-ndryshimi i planit gjeneral urbanistik dhe planit detal urbanistik të përgatitur nga ‘Pollog Projekt’ që e kishte angazhuar kompania ‘Elastan’ kaloi me gjithsej 18 vota PËR, 6 vota KUNDËR, dhe asnjë votë të PËRMBAJTUR.
Zyrtarisht, nga kjo datë investitorit i jepet drita e gjelbër që të mund të ndërtojë objekte për banim tek ish-Monopolli.
Arkitekti Darijan Sotirovski potencoi se kjo procedurë është dashur të jetë më transparente.
“Planifikimi urbanistik përbën interes publik. Andaj, më intereson kush e ngriti dorën dhe lejoi që papritur të ndryshohen si Plani i Përgjithshëm ashtu edhe ai Detaj i Urbanistikës për Bllokun 31 më 09.10.2024, pa dijeninë e publikut të gjerë, duke shembur kështu Monopolin e Tetovës dhe duke ndërtuar 4 ndërtesa gjigante me mbi 2.000 njësi banimi?” tha Darijan Sotirovski, arkitekt.
Portalb-i siguroi vendimin:
Katër ditë pas këtij vendimi: Ish-Monopollin e bleu kompania ‘Elastan’
Më 13 tetor të vitit 2024, kompania ‘Elastan” nga ‘Tetovo Tabak’ për afër gjashtë milion euro i blen të gjitha pronat që kjo Shoqëri Aksionare i ka poseduar tek ish-Monopolli dhe fillon planin për ndërtimin e katër banesave.
“Nuk kam filluar ende diçka në terren për ndërtim të banesave, por e kam shumë të rëndësishme që gjithçka në opinion të qartësohet dhe të mos shpërndahen lajme të rreme, pasi në mënyrë indirekte më dëmtojnë edhe mua” i tha Dashmir Aliji, gazetarit të Portalb.
Aliji gjithashtu tha se ata i kanë kaluar të gjitha filtrat e nevojshme ligjore për këtë.
“Ne kemi respektuar ligjin, ka pasur edhe debate publike, asnjë vërrejtje nuk ka pasur që aty të mos ndërtohen objekte banini, zero, asnji” shtoi Aliji.
Totali i m2 i objekteve për banim që do të ndërtohen është 31,871 m2.
Këto ditë tek ish-Monopolli janë vërejtur ekskavatorë të cilët po e pastrojnë zonën, mirëpo nuk dihet se kur do të fillohet zyrtarisht ndërtimi i objekteve për banim. Kujtojmë që bëhet fjalë për një ndër zonat më të mira të Tetovës, në hyrje të qytetit. Aktivistët megjithatë kanë kritikuar se Tetova po mbingarkohet me objekte banimi ndërsa mungojnë parqe dhe hapësira tjera për rekreacion.