Humbja në 5 bashki, Salianji: Opozita zgjodhi rehatinë, PD duhet të ndryshojë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji përmes një reagimi të gjatë në Facebook, ka shprehur qëndrimin e tij për rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme lokale, që u zhvilluan këtë të dielë në pesë bashki të vendit. Salianji nuk e fsheh zhgënjimin, duke nënvizuar se “e djeshmja ishte një ditë e zeze për demokracinë dhe të […]

Nëntor 10, 2025 - 15:00
 0

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji përmes një reagimi të gjatë në Facebook, ka shprehur qëndrimin e tij për rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme lokale, që u zhvilluan këtë të dielë në pesë bashki të vendit.

Salianji nuk e fsheh zhgënjimin, duke nënvizuar se “e djeshmja ishte një ditë e zeze për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë”.

Qytetarët treguan se nuk kanë më besim se me votën e tyre mund te ndryshojnë diçka në qytetet ku jetojnë. Për shkak të korrupsionit të larte të qeverisë, për shkak se Rama ka përqendruar të gjithë pushtetin në një dore të vetme, asnjë qytetar pa interesa nuk mendoi se kryetaret e bashkive apo qeverisja lokale ka ndonjë rëndësi për ta”, thotë Salianji.

Teksa kritikon qeverinë për mënyrën si sipas tij ka vrarë shpresën në qytetet e vendit, duke bërë që qytetarët të humbasin interesin për të votuar, Salianji shprehet me rezerva edhe për Partinë Demokratike, e cila refuzoi të hynte me kandidatë politikë në këto zgjedhje.

Ish-ligjvënësi opozitar e pranon se PD ka humbur shpirtin e betejës dhe që prej zgjedhjeve të 11 majit nuk guxon të përballet me PS në beteja politike.

Me dhimbje duhet ta pranojmë që prej zgjedhjeve të 11 Majit e deri sot nuk jemi në rrugën e duhur. Partia Demokratike ka humbur pasionin dhe zemrën për të luftuar, për të bërë betejë, për të lexuar drejt shpresat dhe zhgënjimet e qytetarëve. Qytetarët, demokratët e opozitarët që luftuan në këto zgjedhje meritojnë përgëzime për angazhimin dhe kurajën e tyre. Por personalisht ndjehem i ligështuar që, pavarësisht kapaciteteve, opozita zgjodhi rehatinë në vend të përballjes, paqen në vend të luftës, qetësinë në vend të angazhimit”, shkruan Salianji.

Salianji nënvizon më tej se është detyra e Partisë Demokratike që të rikthejë besimin te qytetarët, ndaj disfata si 11 maji dhe zhgënjime si ky i së dielës për të duhet të jenë shtysë për ndryshime brenda vetë familjes demokrate.

Detyra jone si opozite është ta ndryshojmë këtë apati edhe opozitare që dëmton të ardhmen e Shqipërisë dhe është premisë për kohëzgjatjen e autokracisë. Mijëra demokratë sot na gjykojnë me të drejtë. Miliona shqiptarë na gjykojnë jo vetëm për pafuqinë, por edhe për vendimet e gabuara strategjike, që e kanë lënë vendin në duart e një autokrati që luan me jetët e njerëzve si t’i teket. Shqiptarët ndjejnë përditë dhunën, represionin, arrogancën, korrupsionin masiv, prepotencën, gjobat, shembjet dhe burgosjet. Ka ardhur koha të ndryshojmë! Mundësisht sot, jo nesër! Partia Demokratike duhet të ndryshojë, ne duhet ta lexojmë, ta themi e më pas të ndryshojmë realitetin! Çdo orë e vonuar është karburant për autokratin”, nënvizon Salianji.