Interpelanca ndaj Këshillit Gjyqësor, anëtarët: Akt i kundërligjshëm dhe antikushtetues
“Interpelanca ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, është e palejueshme. Jo vetëm që nuk lejohet, por ky akt paraqet precedent në demokracinë parlamentare të Republikës së Maqedonisë së Veriut deri më sot. Krejtësisht e pazakontë dhe për herë të parë në historinë mbi 30-vjeçare të Kuvendit të ngrihet një akt […]


“Interpelanca ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, është e palejueshme. Jo vetëm që nuk lejohet, por ky akt paraqet precedent në demokracinë parlamentare të Republikës së Maqedonisë së Veriut deri më sot. Krejtësisht e pazakontë dhe për herë të parë në historinë mbi 30-vjeçare të Kuvendit të ngrihet një akt i tillë kundër udhëheqësve të institucioneve të pushtetit gjyqësor”. Kështu përgjigjen disa nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor, kundër të cilëve shumica parlamentare e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka parashtruar interpelancë, shkruan Portalb.mk.
“Në më shumë se 30 vjet nuk ka ndodhur që Kuvendi të ketë dorëzuar interpelancë për një anëtar të Këshillit Gjyqësor”, tha anëtarja e Këshillit Gjyqësor Tanja Çaçarova-Ilievska, pas seancës së sotme të rregullt të Këshillit.
Lidhur me debatin e sotëm, i cili po mbahet paralelisht nëKuvend, ku deputetët votojnë për interpelancat kundër pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, Çaçarova-Ilievska tha se nuk do të marrë pjesë, duke theksuar se interpelanca e një anëtari të Këshillit Gjyqësor është veprim i kundërligjshëm dhe antikushtetues.
“Qëndrimi im është se interpelanca e një anëtari të Këshillit Gjyqësor është e paligjshme dhe akt antikushtetues. Në interpelancë shoh se parashtruesit e saj i referohen, dhe këtë e dëgjojmë vazhdimisht në media, për të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë për të paraqitur interpelancë, sipas nenit 72 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, dispozita e nenit 68, paragrafi 1, pika 15, ka një zgjidhje tjetër kushtetuese. Aty thuhet se një interpelancë mund të bëhet kundër çdo bartësi të funksionit publik që përgjigjet para Kuvendit. Anëtarët e Këshillit Gjyqësor, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Këshillin Gjyqësor, i cili është një “lex specialis” dhe të cilit Kushtetuta i referohet në lidhje me çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me Këshillin Gjyqësor, përkatësisht përbërjen e Këshillit Gjyqësor, mandatin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, kompetencat e Këshillit Gjyqësor, kushtet dhe procedurën e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor përgjegjësia e një anëtari të Këshillit Gjyqësor, janë çështje të cilat në përputhje me Kushtetutën më konkretisht dhe me vendosmëri janë të shpjeguara dhe të rregulluara me Ligjin për Këshillin Gjyqësor”, tha Çaçarova – Ilievska.
Deputetët, shtoi ajo, nuk kanë të drejtë kushtetuese për një akt të tillë, pasi siç sqaroi, Kushtetuta përmban dispozita në nenet 104 dhe 105, të zëvendësuara me amendamentet 28 dhe 29, të cilat rregullojnë saktësisht çështjet kyçe që kanë të bëjnë me Këshillin Gjyqësor.
“Mbrëmë, rastësisht, në një nga televizionet tona pata rastin të dëgjoj një nga deputetët që tha se ishte një “e drejtë e natyrshme” që ai që ju zgjedh mundet edhe t’ju shkarkojë. Shikoni, në ligj ne nuk kemi të drejtë natyrore, në ligj kemi situata të standardizuara, çështje të standardizuara, të drejta dhe përgjegjësi të standardizuara, kështu që Kushtetuta ka dispozita të mjaftueshme në nenet 104 dhe 105 të zëvendësuara me amendamentet 28 dhe 29, saktë janë rregulluar cështjet kryesore që kanë të bëjnë me Këshillin Gjyqësor dhe, deputetët fatkeqësuisht nuk kanë të drejtë kushtetuese për këtë veprim”, shtoi Çaçarova-Ilievska.
Ajo tha se me interpelancën e paraqitur vetëm ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, jo vetëm që është cenuar një nga vlerat themelore të rendit kushtetues, ndarja e pushteteve në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, por siç tha ajo, është shkelur edhe parimi bazë i barazisë së anëtarëve të Këshillit.
“Ligji për Këshillin Gjyqësor nuk bën dallime ndërmjet anëtarëve pavarësisht faktit nëse ata zgjidhen nga radhët e gjyqtarëve apo zgjidhen nga Kuvendi, duke bërë diskriminim ndërmjet anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, gjë që është e palejueshme. Deputetët që janë përfaqësues të pushtetit ligjvënës duhet të respektojnë Kushtetutën, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të cilat Kuvendi i ratifikon dhe të veprojnë në përputhje me to”, tha Çaçarova Ilievska.
Edhe anëtari tjetër i KGJ, Milazim Mustafa në letrën e tij drejtuar Kuvendit në lidhje me interpelancën, thekson se pushteti ekzekutiv por edhe ai legjislativ, në vend që të hapin debat publik për të gjetur zgjidhje adekuate për përmirësimin e gjendjes dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe sistemin gjyqësor, ata edhe më tepër e rëndojnë situatën dhe nisin një praktikë deri më tani të paparë duke bërë presion direkt ndaj anëtarëve të caktuar të pushtetit gjyqësor me qëllim të tërheqjes së tyre pa mbaruar mandatin e tyre të caktuar me ligj, pa u konstatuar ndonjë shkelje ligjore apo etike të shqiptuar nga ndonjë organ kompetent i paraparë me ligj.
“Përmes interpelancës së lartpërmendur tentohet të konstatohet përgjegjësia ime individuale, si pjesëtar i një organi kolektiv ku vendimet merren me shumicë votash. Edhe atë pa mos e përmendur as edhe njëherë emrin tim në tekstin e së njëjtës, apo edhe pa e ditur apo analizuar fare rolin tim në disa nga lëndët që janë përmendur në tekstin e interpelancës. Për atë, Kuvendi si bartës i pushtetit legjislativ duhet t’i respektojë ligjet që i ka sjellë, si dhe dokumentet ndërkombëtare që i ka ratifikuar dhe mos të bëjë shkelje që në të ardhmen mund ta dëmtojnë imazhin e shtetit para organeve dhe gjykatave ndërkombëtare, sepse me veprimet e tilla në mënyrë direkte dhe flagrante më thyhen të drejtat e mia të fituara me ligj, si dhe pa u konstatuar faj apo ndonjë lëshim nga ana ime qoftë personal apo profesional të privohem nga një e drejtë e fituar. Veç kësaj, asnjë vendim në Këshillin Gjyqësor nuk është marrë individualisht nga unë, që dua të them se në Këshillin Gjyqësor të përbërë prej 13 anëtarëve me të drejtë vote, në asnjë moment nuk mund të sillen vendime nga unë si i vetëm, apo edhe nga vetëm 5 (pesë) anëtarët ndaj të cilëve është ngritur interpelanca. Për atë me ngritjen e interpelancës ndaj vetëm një pjese të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nuk synohet të gjendet përgjegjësia individuale por më tepër bëhet diskriminim i një pjese të anëtarëve të këtij trupi”, ka nënvizuar mes tjerash Mustafa.
Sipas Mustafës, interpelanca nuk është në përputhje me angazhimet për pavarësinë e gjyqësorit në raport me pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, pasi e njëjta është procedurë dhe instrument për kontroll politik mbi Qeverinë, apo mbi një bartës të funksionit publik.
“Kjo do të thotë se qëllimi parësor i interpelancës është vendosja e përgjegjësisë politike te bartësit e funksionit publik. Ky synim i interpelancës bie ndesh me pretendimet në të njëjtën, e cila u parashtrua, ndër të tjera, për shkak se ishte dëmtuar perceptimi publik i gjyqtarëve për pavarësinë e tyre, duke u nisur nga e drejta e qytetarëve për t’u gjykuar nga një gjyqtar i pavarur dhe i paanshëm. Kjo do të thotë se sipas logjikës së parashtruesve del se pavarësia e gjyqësorit duhet të sigurohet përmes procedurave dhe instrumenteve politike dhe pikërisht në raport me politikën. E cila në vetvete është e çuditshme, e palogjikshme dhe e pakuptimtë”, shkruan tutje në përgjigjen e Mustafës drejtuar Kuvendit.
“Ndërhyrja e pushtetit legjislativ në punën e pushtetit gjyqësor është një precedent shqetësues që cenon ndarjen e pushteteve, një nga parimet themelore të demokracisë. Kjo interpelancë, e pa bazë dhe paushale, nuk është vetëm një tentativë për diskredimin tim personal dhe profesional, por gjithashtu një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit në tërësi. Unë vazhdoj të jem i përkushtuar në misionin tim për një drejtësi të paanshme, efektive dhe të besueshme”, ka përfunduar Mustafa.
Sot në Kuvend po zhvillohet seanca e 40-të, ku në rend dite janë pesë interpelanca për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi – Vesna Dameva, Pavlina Cërvenkovski, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska dhe Selim Ademi. Nisma e dorëzuar më 7 shkurt, u mbështet nga 67 deputetë të mazhorancës qeverisëse, por ata do të duhet të vendosin vetë nëse do të largohen nga detyra, siç e kërkon Ligji për Këshillin Gjyqësor.
- LEXO: Gashi: Interpelancat për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor në seancë parlamentare në gjysmën e parë të marsit
- LEXO: Deputetët e shumicës dorëzuan interpelancë për anëtarët e Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi
- LEXO: Kambovski: Shpërbërja e Këshillit Gjyqësor nuk është ide e mirë, përgjegjësia është individuale e jo kolektive