Shkupi shpreson që hapja e kapitujve të ndodhë këtë vit, Brukseli pret ndryshimet kushtetuese
Shkupi ka pritshmëri nga Brukseli, por nga ana tjetër Brukseli ka pritshmëri nga Shkupi. Kështu filloi viti i ri 2025 për integrimet evropiane të Maqedonisë, të cilat për momentin kanë ngecur për shkak të ndryshimeve kushtetuese. Kreu i diplomacisë ka mbledhur sot ambasadorët e vendeve anëtare për të përcjellë shpresat e qeverisë së re, transmeton […]
Shkupi ka pritshmëri nga Brukseli, por nga ana tjetër Brukseli ka pritshmëri nga Shkupi. Kështu filloi viti i ri 2025 për integrimet evropiane të Maqedonisë, të cilat për momentin kanë ngecur për shkak të ndryshimeve kushtetuese. Kreu i diplomacisë ka mbledhur sot ambasadorët e vendeve anëtare për të përcjellë shpresat e qeverisë së re, transmeton Portalb.mk.
“Shpresoj dhe pres që në vitin 2025 do të bëjmë hapa të mëdhenj drejt përafrimit të mëtutjeshëm me standardet evropiane dhe fillimit përfundimtar të procesit të negociatave duke hapur fushat dhe kapitujt e parë negociues”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
Është radha e përfaqësuesve të Brukselit të thonë se çfarë duhet të japë Maqedonia e Veriut, përveç ndryshimeve kushtetuese.
“Kur bëjmë përpjekje për të dhënë rezultate, ne dëshmojmë se gjithçka është e mundur. Shpresoj se ky vit nuk do të jetë vetëm për prerjen e shiritit, por edhe për progres në procesin e anëtarësimit. Ne kemi një platformë të madhe për të punuar, Agjenda e reformës është një dokument i madh, por përmban edhe elementë të rëndësishëm që duhet të përfundojnë në vitin 2025. Ju përmendët sundimin e ligjit – kjo është një fushë me rëndësi kyçe. Reforma në gjyqësor, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit do t’i mundësojnë Maqedonisë së Veriut të bëjë një hap të madh përpara, sepse besimi do të rikthehet. Është diçka që është vërtet e nevojshme”, tha Mihalis Rokas, ambasadori i BE-së.
Mucunski, para ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe atë bullgar, përsëriti tezën se vendi bëri kompromise të vështira në rrugën evropiane dhe se nuk mund të arrihet përparim me, siç tha, bilateralizimin e procesit të zgjerimit.
“Është koha për të vazhduar rrugën evropiane. Ne jemi të gatshëm për dialog me mirëbesim dhe gjetjen e zgjidhjeve racionale. Është koha që Bashkimi të marrë një vendim strategjik se si shembulli ynë do të trajtohet në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, rruga përpara na çon drejt bilateralizimit të vazhdueshëm të procesit të anëtarësimit dhe kushtëzimit me çështje që kanë pak të përbashkëta me thelbin e idesë evropiane dhe vlerat e saj. Përkundrazi, ne kemi nevojë për përgjegjësi gjeopolitike dhe vendime që do të na bashkojnë në vend që të na ndajnë”, tha Mucunski.
Takimi në MPJ-së vjen vetëm një ditë pas paraqitjes së komisioneres së re evropiane për zgjerim, Marta Kos, në Bruksel, në të cilën ajo ishte e qartë se çfarë pritet nga Shkupi.
“Maqedonia e Veriut duhet të tregojë vullnet për të ndryshuar Kushtetutën për të bërë përparim në procesin e anëtarësimit në BE”, tha komisionerja evropiane për zgjerim Marta Kos në debatin e djeshëm me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET)
“Shpresojmë që Maqedonia do të përmbushë detyrimin për ndryshimin e kushtetutës dhe pastaj, jam e sigurt, që sapo të fillojmë të lëvizim me Maqedoninë e Veriut, edhe me mbështetjen e Bullgarisë, do të mund të vazhdojmë në atë rrugë”, tha Kos duke u përgjigjur një pyetjeje të eurodeputetit bullgar Andrej Kovaçev në debat.
Ajo theksoi kompleksitetin e procesit të zgjerimit, duke theksuar se për fillimin dhe përfundimin e procesit negociator të vetëm një vendi kandidat, nevojiten 150 vendime konsensusi të anëtarëve të BE-së, por se duhet bërë gjithçka për të shmangur çështjet bilaterale që ndikojnë në negociata.
“Por kjo tashmë po ndodh dhe do të ndodhë në të ardhmen, ndaj është detyrë e të gjithëve ne t’i zgjidhim ato kur të shfaqen”, thotë Kos.
Kos thotë se nga përpjekjet e tyre duhet të përfitojnë edhe ato vende kandidate që zbatojnë reformat e nevojshme.
Ajo thekson se zgjerimi i sotëm është më ndryshe se sa ishte pesë vite më parë dhe shton se ka një mundësi të madhe për të çuar gjërat përpara në këtë proces.
“Për herë të parë në dhjetë vjet ka një perspektivë reale që gjatë këtij mandati të institucioneve të BE-së të mund të sjellim një, dy ose tre vende drejt qëllimit”, tha Kos.
Ajo shprehu shpresën se gjatë presidencës aktuale polake të Këshillit të BE-së, do të hapen një ose dy klastere me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe se do të bëhet përparim në negociatat për disa kapituj dhe klastere me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nëse vendet kandidate i përmbahen reformave të progresit, ne mund të shohim më shumë përparim gjatë presidencës polake sesa në dhjetë vitet e fundit,” shtoi Kos.
Nga ana tjetër ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut Timço Mucunski dje i pyetur në intervistën e djeshme në “Top Tema” në televizionin Telma, nëse Qeveria ende këmbëngul për propozimin e ndryshimeve kushtetuese me efekt të vonuar, ai tha se nëse palët e interesuara në Bruksel kanë ide të tjera për parashikueshmërinë, “ne jemi të hapur për dialog, por përmes konsultimit me komunitetin e ekspertëve, sektorin joqeveritar dhe publikun”.
Sipas Mucunskit, thelbi është sigurimi i parashikueshmërisë në rrugën e anëtarësimit dhe ai beson se aktualisht kjo mund të arrihet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese për të përfshirë bullgarët në Kushtetutën që do të zbatohej pasi vendi të bëhet anëtar i plotë i BE-së.
Ministri thotë se ai propozim nuk është hequr dorë dhe shton se kanë dialog të vazhdueshëm me institucionet në Bruksel dhe me shtetet anëtare “të cilëve u themi se shqetësimi ynë parësor si vend është se si do të jemi të sigurt”.
Ai thotë se Qeveria nuk do të sillet në mënyrë amatore siç ka ndodhur në të kaluarën, por do të tregojë qasje profesionale dhe strategjike.
“Ne duhet të luftojmë, por edhe të jemi të vetëdijshëm për fuqitë tona – pozicionin strategjik të vendit tonë dhe faktin se Bashkimi Evropian nuk mund të lejojë një gabim tjetër në aspektin e integrimit tonë”, tha Mucunski.
Nga ana tjetër, siguria se Bullgaria së shpejti mund të ketë një qeveri politike po ndiqet me interes në Maqedoni për shkak të pritjes që qeveria e vendit tonë të ketë një bashkëbisedues me legjitimitet të plotë politik për bisedimet për zhbllokimin integrues të vendit. Pas një periudhe të gjatë, një mundësi e tillë është tani në horizont.
Grupi parlamentar i “Demokraci, të Drejta dhe Liri-DPS” i udhëhequr nga Ahmet Dogan, vendosi mbrëmë gjatë votimit në Kuvendin Kombëtar të mbështesë kabinetin e GERB-SDS, BSP, duke hapur kështu rrugën për krijimin e qeverisë së re bullgare.
“Demokracia, të drejtat dhe liritë-DPS do të shprehë mbështetjen e saj edhe me nënshkrimin e aneksit si pjesë e Marrëveshjes për shumicë parlamentare për përmbushjen e programit qeveritar ndërmjet partive politike GERB-SDS, BSP-E majta e bashkuar dhe Ka një popull të till“, thuhej në njoftimin e mbrëmshëm të partisë.
Presidenti bullgar Rumen Radev ia dorëzoi sot mandatin për formimin e qeverisë kandidatit për kryeministër të propozuar nga grupi më i madh parlamentar GERB-SDS.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.