Intervista, Snopçe: ASH nuk do të jetë fasadë në qeveri të papërgjegjshme
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të fundit nga lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, dhe Lëvizjes Besa, duke theksuar se ASH nuk do The post Intervista, Snopçe: ASH nuk do të jetë fasadë në qeveri të papërgjegjshme appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të fundit nga lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, dhe Lëvizjes Besa, duke theksuar se ASH nuk do të jetë më pjesë e një qeverie që, sipas tij, margjinalizon shqiptarët dhe dështon në realizimin e premtimeve. Në një intervistë për televizionin Ora News, Snopçe tha se ASH nuk ka interes tjetër përveç mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve dhe përfaqësimit të tyre të barabartë në institucionet shtetërore, transmeton Flaka Media
“Mexhiti ka qenë nënkryetari i listave të zeza, nënkryetar i të korruptuarve,” deklaroi Snopçe, duke iu referuar faktit që Mexhiti për shumë vite ka mbajtur funksione të larta brenda BDI-së. “Ai tani na akuzon neve, por harron të përmendë se për 20 vite ka qenë pjesë kyçe e partisë që përfaqësonte të njëjtat praktika që sot i kritikon.”
Snopçe hodhi poshtë edhe akuzat e Lëvizjes Besa, duke kujtuar se kjo parti ka qenë në koalicion me LSDM-në dhe se nuk ka mbështetur opozitën shqiptare në momentet vendimtare. “Nëse ata që kanë qenë në qeveri ishin të korruptuar, si është e mundur që ju qëndruat në të njëjtën qeveri për vite me radhë?”, pyeti ai.
Deputeti i ASH theksoi se largimi nga Qeveria ishte një hap i domosdoshëm dhe i mirëpeshuar, duke e quajtur këtë qeveri të papërgjegjshme ndaj interesave të shqiptarëve. Ai tha se partia e tij kishte marrë përgjegjësi të caktuara, por se arritjet ishin të kufizuara, sidomos në çështjet kyçe si përfaqësimi i drejtë dhe i barabartë, ligji për përdorimin e gjuhës dhe ndryshimet kushtetuese – elemente që sipas tij janë bllokuar apo vonuar në mënyrë të qëllimshme nga VMRO-DPMNE.
“Ne kemi premtuar ndryshime kushtetuese për nisjen e negociatave me BE-në, kemi premtuar Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, kemi premtuar drejtësi për rastet e montuara politike – dhe asnjëra prej këtyre nuk është realizuar,” tha Snopçe. Ai shtoi se pas largimit të Balancuesit nga Gjykata Kushtetuese, është dashur urgjentisht të sillet ligji i ri për përfaqësim, por VMRO-DPMNE po e pengon këtë proces.
Snopçe u ndal edhe te ndarja nga koalicioni VLEN, duke thënë se partnerët nuk e pranuan vendimin që ASH të garojë me lista të veçanta në zgjedhjet lokale. “Bashkëpunimi me VLEN ka qenë një fasadë – nga jashtë kemi shkëlqyer, por brenda kemi qenë të kalbur. Prandaj vendimi për t’u ndarë dhe për të vepruar si grup parlamentar më vete ishte i pashmangshëm,” theksoi ai.
Në fund të intervistës, Snopçe tha se ASH do t’i rikthehet qytetarit dhe do të bashkëpunojë me të gjithë faktorët që e duan të mirën e shqiptarëve. “Ëndrra jonë ishte ta dërgonim BDI-në në opozitë – këtë e arritëm. Por nuk do të bëhemi fasadë për një qeveri që nuk mban fjalën. Historia është e pamëshirshme dhe ne nuk do të jemi pjesë e dështimeve të tjetrit,” përfundoi deputeti Halil Snopçe. Flaka Media
The post Intervista, Snopçe: ASH nuk do të jetë fasadë në qeveri të papërgjegjshme appeared first on Flaka, në çdo lajm... .