Izraeli vazhdon ofensivën në Gaza, mbi 83 viktima në orët e fundit
Izraeli zhvilloi një valë të re sulmesh mbi Gaza, teksa vazhdon ofensivën tokësore. Sipas raportimeve janë bombarduar zonat afër disa prej pak spitaleve që kanë mbetur ende në funksion. Mediat ndërkombëtare shkruajnë për të paktën 83 palestinezë të vrarë në orët e fundit. Raketat ranë fare pranë spitalit Al-Shifa dhe atij Al-Ahli. Ofensiva izraelite në […]

Izraeli zhvilloi një valë të re sulmesh mbi Gaza, teksa vazhdon ofensivën tokësore. Sipas raportimeve janë bombarduar zonat afër disa prej pak spitaleve që kanë mbetur ende në funksion. Mediat ndërkombëtare shkruajnë për të paktën 83 palestinezë të vrarë në orët e fundit. Raketat ranë fare pranë spitalit Al-Shifa dhe atij Al-Ahli.
Ofensiva izraelite në Gaza “po detyron gratë që të lindin nëpër rrugë, pa përkujdesje të specializuar mjekësore apo ujë të pastër”. Këtë e konfirmoi një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara, që shton se “mbi 23 mijë gra janë privuar nga kurat mjekësore, ndërsa rreth 15 fëmijë lindin çdo javë pas asistencë nga mjekët”.
OKB kërkon që të mundësohet mbrojtja e civilëve dhe jep alarmin se situata po përkeqësohet nga ora në orë. Ushtria izraelite pretendon, sipas mediave në Tel Aviv, se Hamasi ka grumbulluar 10 mijë burra për të luftuar këtë ofensivë tokësore në Qytetin e Gazës.
Thuhet se komandanti Az al-Din al-Haddad, që mban rolin e kreut të krahut ushtarak të Hamasit pas vrasjes së Mohammed Sinwar, do të udhëheqë betejën. Bashkimi Europian duke njoftuar disa prej sanksioneve që i ka vendosur Izraelit, bën të ditur se mbështet zgjidhjen me dy shtete, si një prioritet kryesor. Teksa termi “gjenocid” për të përshkruar atë që IDF po bën mbi palestinezët po përdoret gjithnjë e më shpesh dhe zyrtarisht, Vatikani ende nuk është gati për të deklaruar qëndrimin e tij.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka kundërshtuar ashpër njollën e gjenocidit duke thënë se “kush dënon Izraelin është një hipokrit”. Me paqen që nuk është më as në tavolinë dhe as në terren, bilanci i viktimave bëhet tepër tragjik: mbi 65 mijë palestinezë raportohen të vrarë, shumica gra dhe fëmijë, që prej nisjes së konfliktit Izrael-Hamas.
Më 7 tetor të vitit 2023, militantët vranë 1200 izraelitë dhe morën peng 251 të tjerë. Aktualisht mendohet se në Gaza mbahen 20 pengje të gjalla, 28 të vdekur dhe pjesa tjetër janë liruar.
