Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim e 2000 euro gjobë për spiunazh
Gjykata Themelore në Prishtinë pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, e ka dënuar me 6 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, lidhur me akuzën për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje. Sipas a...


Gjykata Themelore në Prishtinë pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, e ka dënuar me 6 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, lidhur me akuzën për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Kushtrim Shyti, Jevtiq për veprën penale “Spiunazhi” u dënua me 6 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje 2 mijë euro gjobë. Ndaj tij, u shpall dënim unik në kohëzgjatje prej 6 vitesh dhe gjobë me 2 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit. Ndërkaq, u urdhërua shkatërrimi i armës së gjetur dhe të gjitha gjësendet e sekuestruara konfiskohen në pajtim me ligjet në fuqi.
Jevtiqit iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në administratë publike në kohëzgjatje prej 5 vitesh pas mbajtjes së dënimit me burgim.
Prezent në shpallje ishte prokurori special, Bekim Kodraliu dhe mbrojtësi i Jevtiq, avokati Millosh Nikoliq.
Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh./BetimipërDrejtësi/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
