Jo në BE pa ndryshimet kushtetuese: BE-ja në kërkim të një zgjidhjeje, çfarë po ndodh me RMV-në?

Në Bashkimin Evropian po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje kreative për zhbllokimin e procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, por kjo nuk nënkupton që vendi nuk duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, ata mbeten kusht. Zgjidhja që po kërkohet ka të bëjë me kërkimin e një garance nga Bullgaria që mos të bllokojë më tej […]

dhjetor 4, 2024 - 08:00
 0  2
Jo në BE pa ndryshimet kushtetuese: BE-ja në kërkim të një zgjidhjeje, çfarë po ndodh me RMV-në?
Flamuri i BE-së dhe RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në Bashkimin Evropian po punohet për gjetjen e një zgjidhjeje kreative për zhbllokimin e procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, por kjo nuk nënkupton që vendi nuk duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese, ata mbeten kusht. Zgjidhja që po kërkohet ka të bëjë me kërkimin e një garance nga Bullgaria që mos të bllokojë më tej RMV-në, kështu thonë burimet nga Strazburgu dhe Brukseli të cilët nuk japin detaje tjera për këtë “zgjidhje kreative”. Garanca që procesi eurointegrues nuk do të kushtëzohet më tej nga çështjet dypalëshe kërkon edhe lidershipi në RMV, shkruan Portalb.mk.

Në BE po “zihet” diçka që të përshpejtohet rruga e RMV-së për në BE, por me ndryshimet kushtetuese

Tani për tani nuk ka garanci nëse Bullgaria nuk do të bllokojë sërish Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj eurointegruese.

Në këtë drejtim, burimet në Bruksel thonë se janë duke menduar dhe punuar për një zgjidhje kreative që nënkupton gjetjen e një rruge të përbashkët që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj për në BE, duke theksuar se kjo i referohet gjetjes së një zgjidhjeje me Bullgarinë, por pa dhënë detaje të tjera.

“Nuk duam që Maqedonia e Veriut të ngelet mbrapa, kjo nuk është e pranueshme, duam të ecë përpara, ju keni miq në BE, për këtë po dëgjojmë për një propozim franko-gjerman. Zgjidhja kreative që po kërkohet është të jepen garanci/siguri për RMV-në”, thonë nga Brukseli.

Megjithatë RMV-ja duhet të kryejë obligimin që ka ndërmarrë, të bëjë ndryshimet kushtetuese, ku siç thonë nga Brukseli, pas ndryshimit të kushtetutës rruga për në BE do të jetë shumë më e lehtë për vendin.

Procesi i integrimit në BE përveç elementit të meritokracisë dhe reformave, sipas disa burimeve në BE tani varret edhe nga faktori gjeopolitik, ku siç na thane shumë zyrtarë, RMV-ja duhet ta shfrytëzojë këtë moment.

“Jemi në moment të rëndësishëm të zgjerimit. Zgjerimi me Ballkanin Perëndimor është në interesin tonë (të BE-së), nga situata momentale gjeopolitike. Ne duam një kontinent të bashkuar, por me vendet që i respektojnë kriteret. Në çështjen e Maqedonisë së Veriut problemi është te çështjet bilaterale. Po, është obligim i RMV-së të bëjë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë shndërruar tani më në një çështje/temë politike”, thonë nga Brukseli.

Sytë dhe shpresat te Kos

Menjëherë pas miratimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, komisionerja e re Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në një deklaratë për media tha se pret që RMV-ja të ndryshimet kushtetuese, asgjë më shumë dhe asgjë më pak.

“Presim që Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën, kjo është diçka në të cilën ne llogarisim, asgjë më pak dhe asgjë më shumë, jam e sigurt se mund të bëhet. Atëherë ne mund të përparojmë vërtet shumë shpejt, tha Kos.

Marta Kos. Foto nga Portalb.mk
Marta Kos. Foto nga Portalb.mk

E pyetur nëse RMV-ja a mund të merr garanci se nuk do të ketë bllokada të reja nga Bullgaria, Kos tha se nuk është ajo që mund ta garantojë këtë. Ajo thotë se zgjidhja për mosmarrëveshjet midis dy vendeve është dialogu.

Duhet garanci nga Bullgaria 

Eurodeputetët dhe zyrtarët me të cilët bisedoi Portalb.mk vlerësojnë se Kos e cila vjen nga Sllovenia është zgjidhja e shkëlqyer për komisionere të zgjerimit sepse njeh mirë rajonin dhe problematikat.

Eurodeputeti dhe raportuesi për RMV-në në Parlamentin Evropian Tomas Waitz mendon se ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar nuk janë zgjidhje dhe se diçka e tillë vështirë është të kalojë.

“Na duhet mundësi për garanci ligjore nga pala bullgare se pas përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë, nuk do të lindë asnjë kërkesë e re. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për siguri të tillë juridike. Dhe në këtë drejtim, Bashkimi Evropian është në anën e Maqedonisë dhe të gjithë këtë e presim nga Bullgaria. Ky do të jetë çelësi”, tha Waitz.

Eurodeputeti dhe raportuesi për RMV-në në Parlamentin Evropian Tomas Waitz.. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Eurodeputeti dhe raportuesi për RMV-në në Parlamentin Evropian Tomas Waitz.. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ai tha se edhe pse Shqipëria ka filluar negociatat, RMV-ja ka bërë më shumë progres në implementimin e acquisit të BE-së.

Karlo Ruseleri cili është edhe kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut lidhur me çështjen e Bullgarisë theksoi se kjo është çështje dypalëshe që duhet të zgjidhet mes dy vendeve.

“BE-ja këtu dhe sipas disa përvojave që kemi pasur deri më tani, duke përfshirë qasjen e Kroacisë ndaj BE-së, mund të jetë ndihmëse, mund të jetë ndërmjetëse, mund të jetë lehtësuese, por është gjithashtu e qartë se me një dimensioni parlamentar mund të përpiqemi të ketë zbutje të marrëdhënieve të tilla”, tha Ruseler.

Karlo Ruseler kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Karlo Ruseler kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Maqedonia e Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Megjithatë në këtë drejtim problematike mbetet mungesa e një qeverie politike në Bullgari.

Eurodeputeti gjerman Michael Gahler dhe anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme në PE tha se zyrtarët bullgarë në biseda private janë më fleksibilë se sa në paraqitjet publike, siç tha ata e dinë se duhet të veprojnë në mënyrë të orientuar drejt zgjidhjes.

“Kroacia i mbijetoi bllokadës nga Sllovenia dhe ata janë brenda (në BE) dhe të lumtur, unë mendoj se ju do t’i mbijetoni bllokadave të mëparshme nga Greqia që janë kapërcyer tashmë, dhe ne së bashku do të kapërcejmë aktualen me Bullgarinë, dhe sapo të jeni brenda, do të jeni gjithashtu të lumtur dhe do të harroni të kaluarën ku duhej të gëlltitje disa gjëra që vërtet nuk ju pëlqenin, por në fund ajo shijon më mirë brenda dhe të mos qëndrosh jashtë (Be-së)”, tha Gahler.

Sipas tij, RMV-ja mund të fillojë negociatat në 2025.

Eurodeputeti gjerman Michael Gahler dhe anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme në PE. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Eurodeputeti gjerman Michael Gahler dhe anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme në PE. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Pesë vitet e fundit të shkuara kot për zgjerimin”

Nga ana tjetër, eurodeputeti austriak Andreas Schieder ishte i mendimit se pesë vitet e fundit të Komisionit Evropian ishin vite të humbura, pasi sipas tij gjërat nuk shkuan aq shpejt sa duhet lidhur me zgjerimin e BE-së.

Ai tha se Marta Kos do ta shtyjë këtë çështje të zgjerimit dhe mendoj se është e rëndësishme për BE-në.

“Do të thosha se është çështje shumë e ndërlikuar dhe gjëja dramatike është se Maqedonia e Veriut gjithmonë ballafaqohet me çështje të tilla. Ndryshimi i Kushtetutës do të ishte mënyra më e mirë për të arritur atë që populli i Maqedonisë së Veriut dëshiron dhe që është anëtarësimi në BE”, tha Schinder.

Ai mes tjerash shtoi se ndonjëherë politika e Maqedonisë së Veriut qëndron në rrugën midis Maqedonisë dhe BE-së, dhe që sipas tij kjo nuk duhet të ndodhë.

eurodeputeti austriak Andreas Schieder. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
eurodeputeti austriak Andreas Schieder. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

BE-ja duhet të angazhohet më shumë

Në zyrtar tjetër me të cilin biseduam u shpreh kritik ndaj BE-së dhe tha se duhet më tepër angazhim nga ana e tyre në shtetet të cilat kanë probleme në rrugën e tyre eurointegruese.

“Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen. Kur vjen puna te BE-ja, unë nuk jam një nga ata njerëz që thonë bëni detyrat e shtëpisë dhe do të shohim, jam kritik ndaj BE-së dhe shteteve anëtare sepse besoj se ne duhet të bëjmë më shumë përveç se të japim detyra. Ka dallim midis asaj që t’i thuash dikujt ja detyrat dhe t’i thuash këto janë detyrat dhe më lër të të ndihmojë sa më shumë që kam mundësi”, tha ai.

Ai madje u shpreh kritik ndaj liderëve si Vlladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, që siç tha mundohen të ju thonë shteteve kandidate se BE-ja nuk ju do dhe se nuk do funksionojë për ju.

“Duhet të ua dëshmojmë të kundërtën”, tha ai.

Rrezik nga Rusia

Derisa vendet e Ballkanit Perëndimor kanë sfidat e tyre në rrugën e tyre për në BE, aktorë të tjerë e shfrytëzojnë këtë moment për të përhapur ndikimin e tyre, shpesh edhe anti BE-së.

“Rusia është mjaft e angazhuar me fushatat e saj propagandistike kundër BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kina ka ndikim por nuk është kundër integrimit në BE, më shumë është e fokusuar në ekonomi”, thonë burime tjera në Bruksel.

Rokas: Pres që BE-ja këtë herë të jep rezultate më të shpejta

Për rëndësinë e zgjerimit të BE-së, ka folur edhe ambasadori i BE-së në RMV Mihalis Rokas. Ai ka thënë se nga përbërja e re e Komisionit Evropian duhet të pritet shumë punë.

“Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është prioritet kryesor për vetë Unionin. Si dëshmi apo provë e këtij prioriteti kryesor është se kemi komesar për zgjerim dhe kemi edhe një drejtor politik që mban detyrën e zgjerimit… Pres që këtë herë, si BE, edhe ne të mund të japim rezultate me një dinamikë shumë të përshpejtuar”, tha Rokas.

Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas. Foto: Europe House Skopje
Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas. Foto: Europe House Skopje

RMV-ja në pritje të garancës nga Bullgaria

Shpresat për ndryshimet kushtetuese deri në fund të këtij viti i ka shuar kryeministri Hristijan Mickoski. Ai ka thënë se nuk planifikohen ndryshimet kushtetuese të ndodhin deri në fund të vitit 2024.

Mickoski në lidhje me ndryshimet kushtetuese tha se janë përcaktuar vijat e kuqe nga të cilat “as ne dhe as askush nuk do të lëvizim asnjë milimetër”.

“Nuk do të jemi viktimë e bilateralizimit të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Ne kemi thënë se çfarë mund të bëjmë dhe ky është maksimumi që mund të bëjmë. Kjo u është thënë të gjithë faktorëve botërorë, të gjithë njerëzve që vendosin në përgjithësi apo kanë ndonjë rol në politikën botërore”, ka thënë Mickoski.

Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së
Hristijan Mickoski. Foto: Qeveria e RMV-së

Ndryshe nga kryeministri, partneri i tij në qeveri, njëri nga liderët e koalicionit VLEN dhe njëherit ministër i shëndetësisë Arben Taravari pret që deri në fund të vitit të ndodhin ndryshimet kushtetuese.

Sipas kreut të Kuvendit Afrim Gashit, Legjislativi është i gatshëm të fillojë procedurën për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nëse ka marrëveshje politike.

“Opinioni i di pikëpamjet e shumicës politike në vend. Sa i përket Parlamentit, sapo të ketë marrëveshje politike, jemi të gatshëm të fillojmë procedurën”, tha Gashi.

Gashi beson se tashmë kanë siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretave për votimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Mendoj se i kemi dy të tretat. Ky proces në Kuvend do të kalojë lehtë dhe do ta zbatojmë, por varet nga momenti politik”, tha Gashi.

Kurse Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani ka thënë se RMV-ja nuk po insiston për një zgjidhje specifike me Bullgarinë, por po kërkon një formë garancie se procesi i pranimit të vendit në BE nuk do të bilateralizohet më tej.

“Këmbëngulja jonë nuk është për një zgjidhje specifike, por për debilateralizimin e procesit të mëtejshëm të anëtarësimit në BE. Çdo zgjidhje që ne konsiderojmë se siguron procesin e anëtarësimit të vendit në BE do të jetë e pranueshme për ne. Nëse garancitë do të jenë nga Bullgaria fqinje, nga ndonjë institucion apo do ta bëjmë në mënyrë dypalëshe, apo cila do të jetë forma, nuk është aq e rëndësishme sa esenca. Ne si shtet dhe si qeveri duhet të jemi të sigurt se ky proces do të përfundojë”, tha Orhan Murtezani

Orhan Murtezani. Foto: Ministria për Çështje Evropiane
Orhan Murtezani. Foto: Ministria për Çështje Evropiane

Pa ndryshime kushtetuese nuk ka BE

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.