Gjuha e urrejtjes ndaj grave politikane ka qëllim tinëzar: T’i demoralizojë përmes vuajtjes psikologjike

Gratë në politikë në Maqedoni janë ende cak i gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore. Arena politike është veçanërisht brutale dhe e pamëshirshme ndaj tyre. Në të “fluturojnë” fyerjet, seksizmi, objektivizimi, ejxhizmi dhe gjuha e urrejtjes, me qëllim që të vështirësohet veprimi politik dhe të dekurajohen dhe demoralizohen. Ekspertët janë decidë se nevojiten më shumë […]

dhjetor 4, 2024 - 08:00
 0  2
Gjuha e urrejtjes ndaj grave politikane ka qëllim tinëzar: T’i demoralizojë përmes vuajtjes psikologjike
Ilustrimi "Slloboden Peçat" - Elisaveta Bejkova

Gratë në politikë në Maqedoni janë ende cak i gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore. Arena politike është veçanërisht brutale dhe e pamëshirshme ndaj tyre. Në të “fluturojnë” fyerjet, seksizmi, objektivizimi, ejxhizmi dhe gjuha e urrejtjes, me qëllim që të vështirësohet veprimi politik dhe të dekurajohen dhe demoralizohen. Ekspertët janë decidë se nevojiten më shumë përpjekje për të arritur barazinë, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.

Profesori universitar Sead Xhigall, i cili është komunikolog dhe doktor i shkencave politike, konsideron se, në vend, për fat të keq, edhe pse përdoret modeli perëndimor, përsëri barazia gjinore, mënyra e paraqitjes së grave në mediat, ekuilibri dhe përfaqësimi i tyre i barabartë po zhvillohen ngadalë.

“Ka ndryshime, po lëvizim në përputhje me trendet, por disi ngadalë dhe jothelbësore dhe vetëm në nivel formal. Zbatimi i ligjeve me të cilat, për shembull, duhet të ketë përqindje të caktuar të grave në listat zgjedhore, është formal dhe fatkeqësisht nuk ka esencë. Shpresoj se përpjekjet në këtë drejtim do të vazhdojnë. Për mediat mund të thuhet se dominohen nga narrativat dhe vlerat patriarkale. Kur gratë kandidohen në politikë, nuk pranohen në mënyrë të barabartë me kundërkandidatët e tyre meshkuj. Një shembull i tillë, është kur ishin dy kandidate në fushatë për zgjedhjet presidenciale. Ato u kritikuan nga perspektiva gjinore dhe në këtë kuptim, ky është tregues i kulturës politike të pazhvilluar që nuk i afrohet shekullit të 21-të dhe demokracive të zhvilluara”, thekson Xhigall.

Duke analizuar më thellë se cilat do të ishin interesat e atyre që përdorin gjuhën e urrejtjes kundër grave në politikë, profesori pohon se interesat janë mbizotërimi i fuqisë dhe dominimit.

“Kur përdoret gjuha e urrejtjes kundër grave në politikë, konsideroj se interesat e atyre që përdorin gjuhën e tilla u janë politike. Derisa të hyjnë në agjendën politike, “gratë nuk janë kërcënim” në botëkuptimin e tyre. Por, kur janë në formë lufte për fuqinë politike, i sulmojnë me instrumentet më të ulëta të mundshme. Gjuha e urrejtjes me bazë gjinore është fatkeqësisht e lehtë për t’u kaluar dhe e lehtë për t’u pranuar dhe riprodhuar. Nëse keni konkurrent politik, atëherë është më e lehtë të mobilizoni njerëz me urrejtje mbi baza racore, fetare dhe të tjera, sepse ajo gjuhë është një lloj instinkti bazik. Dhe në këtë kuptim, është shumë keq që nuk kemi kulturë politike dhe mediatike për të kuptuar se kjo është e dëmshme”, shton Xhigall.

Dëmet e gjuhës së urrejtjes drejtuar grave në politikë, pohon Xhigall, janë të shumëfishta – përdorimi i saj shkatërron një sistem të tërë rregullash të lojës politike.

“Është e dëmshme të sulmohet identiteti gjinor dhe jo vetëm ta përdor atë, por edhe të luhet me ndjenjat dhe emocionet themelore të votuesve dhe grave në politikë. Përveç se është i dëmshëm, ky i minon rregullat e luftës politike. Disa nga ato stereotipa dhe gjuha e urrejtjes përdoren për planifikim, për qëllime dhe përfitime politike dhe kjo nuk është e pranueshme për një demokraci të zhvilluar dhe moderne”, thotë ai.

Deputetja në Kuvend, Imërlije Saliu-Fetai nga partia politike “Alternativa” ka dhënë mendimin e saj për temën. Është doktor e shkencave politike dhe thotë se gjuhën e urrejtjes nuk e ka anashkaluar.

“Po, si shumica e grave që eksponohen në publik, edhe unë jam përballur me gjuhën e urrejtjes. Fatkeqësisht, megjithëse shoqëria jonë ka tendenca të shmangë paragjykimet dhe stereotipat, ato janë ende shumë të pranishme mes nesh dhe njerëzit nuk ngurrojnë fare t’i shprehin. Ky fenomen është më i pranishëm në rrjetet sociale, veçanërisht në Tik-Tok dhe Fejsbuk”, thotë ajo.

E pyetur se si gjuha e urrejtjes ndikon mbi të, psikologjikisht dhe profesionalisht, Saliu-Fetai thekson se këta narrativë nuk mund ta bëjnë njeriun të ndihet mirë, por nuk duhet lejuar që këta të jenë pengesë për veprimin politik dhe për dinjitetin e grave.

“Ashtu si çdokush do të ndihej përpara fjalëve të ulëta që mund t’i lexonte pas një paraqitjeje publike, ashtu u ndjeva edhe unë. Nuk ju japin ndjenja të këndshme. Megjithatë, kur do të merrni parasysh se 99 për qind e gjuhës së urrejtjes vjen nga njerëz të papërgjegjshëm, nuk e lë të ndikojnë në punën time. E kam filluar këtë punë dhe detyrim duke i pasur parasysh të gjitha këto rrethana dhe assesi nuk lejoj që të jenë pengesë për arritjet e mia. Përkundrazi, më motivojnë të punoj edhe më shumë”, na tha Saliu-Fetai.

E pyetur se si mund që gjuha e urrejtjes ndaj grave në politikë të reduktohet apo të eliminohet, por edhe pasojat e dëmshme të saj, deputetja tha se, sipas saj, problemi përkeqësohet për shkak të mungesës së rregullimit të duhur në rrjetet sociale, ku shpeshherë nuk arrihet efektivisht të parandalohet gjuha e vazhdueshme e urrejtjes ndaj grave në publik, si dhe për shkak të mosndëshkimit të këtyre rasteve nga organet relevante.

“Stereotipat e rrënjosura për rolet e grave në shoqëri përdoren shpesh si armë për t’i sulmuar gratë që i kontestojnë normat tradicionale dhe marrin pozicione udhëheqëse. Gratë që ekspozohen në publik zakonisht vihen në pozitë të vështirë, ku jeta e tyre publike e kërcënon jetën e tyre private. Gratë përballen me sulme që përfshijnë në mënyrë të paarsyeshme dhe shkelin privatësinë e tyre”, vuri në dukje ajo.

Deputetja në Kuvend, Rashella Mizrahi thotë se në karrierën e saj politike është përballur me lloj-lloj komentesh dhe nuk kanë bërë përjashtim as komentet fyese. Por, kjo nuk e lëkundi, ndonëse konsideron se ajo ishte qëllimi.

“Në politikë, konsideroj se ato komente nuk janë shumë të ndryshme nga shqetësimet me të cilat përballen kolegët meshkuj. Megjithatë, skena politike maqedonase nuk është imune ndaj mizogjinisë dhe seksizmit. Qëllimi i komenteve të gjuhës së urrejtjes ndaj grave politikane është që t’u dërgohet mesazhi atyre që nuk janë pjesë e skenës politike, se hyrja në politikë do t’i ekspozojë në vuajtjen psikologjike, në mënyrë që ato të mos dëshirojnë kurrë të marrin pjesë aktive në miratimin e vendimeve politike”, deklaroi Mizrahi.

Neda Çallovska, juriste dhe konsulente për barazinë gjinore, pajtohet se gjuha e urrejtjes ndaj grave në politikë po ndodh gjithnjë e më shpesh, duke qenë se edhe gratë në politikë i shohim gjithnjë e më shpesh.

“Kjo do të thotë se dhuna ndaj grave rritet kur gratë e pushtojnë dhe janë gjithnjë e më të pranishme në sferën publike. Shoqëria jonë është mësuar me politikanë meshkuj, të cilët perceptohen si liderë, përkundër pozitës së gruas, e cila zakonisht ndërlidhet me kujdesin për shtëpinë dhe familjen. Prandaj, ato gra që inkurajohen të dalin nga këto stereotipe gjinore se “gratë nuk janë për politikë” dhe nga ky pozicionim i grave nga hapësira e mbyllur në hapësirën e hapur publike – shpeshherë janë cak i formave të ndryshme të dhunës, ku përfshihet edhe gjuha seksiste, shqetësimi, si dhe gjuha e urrejtjes me bazë gjinore. Më tutje, në përgjithësi, gratë në pozicione udhëheqëse, veçanërisht në politikë, shpesh janë cak i “standardeve të dyfishta” në krahasim me meshkujt, përkatësisht atyre u kërkohet të ushtrojnë funksionin në mënyrë perfekte, ndërsa gabimet e tyre ndëshkohen të paktën me dënim të gjerë publik”, thotë Çallovska.

Ajo shton se, nga ana tjetër, meshkujve “u falet lehtësisht”, përkatësisht u lejohet të gabojnë, duke qenë se është i tillë narrativi shoqëror.

“Përveç kësaj, ata për një kohë të gjatë janë të pranishëm në skenën politike dhe disi jemi mësuar me “gabimet e tyre, rrëshqitjet, mungesën e rezultateve”, ndërsa nga femrat vazhdimisht pritet më shumë. Kjo kontribuon që shumë gra mos të inkurajohen të hyjnë në politikë, nuk mbështeten nga partitë, të cilat ende janë “shoqëri mashkullore”, sidomos në krye të partive”, thotë Çallovska.

Por, ajo paralajmëron: gjuha e urrejtjes është e rrezikshme dhe mund të çojë në tërheqjen e grave nga politika për të mbrojtur veten. Sipas Çallovskës, ky efekt i ftohjes patjetër të parandalohet, sepse nga situata e tillë më së shumti do të humbin qytetarët.

“Ato që inkurajohen, shpesh dinë të tërhiqen për shkak të dhunës që vuajnë ose nuk përparojnë në rrugën e tyre të karrierës dhe nuk zgjidhen në pozicione të larta. Dhe ne që jetojmë në shtet humbim më së shumti nga kjo situatë, sepse vetëm me diversitet dhe baraspeshë gjinore në pozicionet vendimmarrëse mund të presim edhe vendime, edhe politika që u referohen të gjithë njerëzve në shtet, si dhe institucioneve më transparente”, shtoi Çallovska.

Kodi Penal, Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe Ligji për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale, të gjitha e ndalojnë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin.

Praktika gjyqësore e Gjykatës Penale, sipas shqyrtimit që kemi bërë, tregon se këtë vit ka pasur 4 aktgjykime në të cilat është konstatuar përhapja e materialit racist dhe ksenofobik nëpërmjet sistemit kompjuterik, ku vepra ishte me paramendim, përmbante vetëdije për natyrën e materialit – që ishte për të promovuar ose nxitur urrejtje, diskriminim ose dhunë kundër personit ose grupit të bazuar në racën, ngjyrën e lëkurës ose bazat e tjera diskriminuese.

Në vend, Strategjia për Barazi Gjinore 2022-2027 është dokumenti strategjik themelor, vizioni i të cilit është arritja e barazisë gjinore në shoqëri si kusht për zhvillimin dhe progresin e përgjithshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit. Në vitin 2015, të gjitha vendet anëtare të OKB-së i miratuan Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm nga Agjenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, të cilat i ofrojnë udhëzimet kryesore për prosperitetin e përgjithshëm, paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm në të gjitha vendet. Qëllimi numër 5 i Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm është arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave dhe i referohet konkretisht arritjes së barazisë gjinore përmes futjes së masave për arritjen e qëllimeve për avancimin e pozitës së grave në botë.

Qëllimet konkrete për avancimin e pozitës së grave në botë janë të shfuqizohen të gjitha format e diskriminimit kundër grave dhe vajzave, të sigurohet pjesëmarrja e plotë dhe efektive e grave dhe mundësitë e barabarta për udhëheqje në të gjitha nivelet në vendimmarrje në jetën politike, ekonomike dhe publike.

Ky shkrim është përgatitur në kuadër të projektit Rrjeti i Diversitetit 2.0 – Agjenda e Re.

Autore: Mirosllava Simonovska